Përplasja me Memën, Ngo drejt Tiranës B, por me mendjen nga gjyqi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 31, 2018 | 17:59

Përplasja me Memën, Ngo drejt Tiranës B, por me mendjen nga gjyqi

Majkëll Ngo pritet të kalojë te Tirana B për t’u stërvitur në pritje të vendimit përfundimtar nga ana e klubit bardheblu. Janë burime pranë klubit që bëjnë me dije një fakt të tillë. Kështu, Ngoja pritet të kalojë tek ekipi B (për të mos thënë që ka nisur stërvitjen) për të mbajtur formën sportive në pritje të një vendimi përfundimtar që do të marrë klubi bardheblu.

Edhe dje “Panorama Sport” kërkoi një sqarim nga ana e klubit Tirana sesi qëndron e vërteta dhe çfarë do të ndodhë me futbollistin në të ardhmen. Zyrtarisht, nga ana e klubit njoftohet se për anglezin ende nuk ka një vendim zyrtar dhe përfundimtar, por nuk ka mohuar që lojtari do të stërvitet tek ekipi B. Ndërkaq, lojtari dje është parë civil në “Skënder Halili”, duke ndjekur ekipin në stërvitje. Gjithsesi, për të situata është pak e çuditshme, pasi Tirana për kapriço po humbet një sulmues të mirë.

ngoo

ÇËSHTJA – Ndërkaq, mësohet se Majkëll Ngo dhe agjentët e tij britanikë janë duke monitoruar me vëmendje situatën dhe po merren hap pas hapi me çështjen. Nga ana e shoqërisë që menaxhon lojtarin, po shikohet opsioni që nëse Ngo vazhdon të jetë i pezulluar nga klubi, nuk luan, apo gjobitet sërish nga Tirana pala do të vendosë që të zgjidhë problemet në gjyq, pasi sulmuesi nuk mund të qëndrojë i varur nga një vendim që nuk po jepet nga klubi Tirana. Për bardheblutë një përplasje në gjyq do të thoshte një hall më shumë, pasi anglezi jo vetëm që ka rrogë të madhe, por mbrohet nga një agjent anglez, i cili do të kërkojë deri në një të gjitha detyrimet financiare dhe jo vetëm.

Kujtojmë Majkëll Ngo është pezulluar pa afat, pasi është përplasur me trajnerin në stërvitje, duke përdorur fjalë fyese. Futbollisti Majkëll Ngo është thirrur një javë më parë nga drejtuesit e klubit dhe i është sqaruar se mbetet i pezulluar pa afat. Ai nuk do të jetë me grupin, si dhe nëse kthehet në stërvitje, nuk do të përgatitet me ekipin e parë. Lojtarit i është konfirmuar gjoba dhe i është qartësuar pozicioni i klubit. Majkëll Ngo është një nga lojtarët më të paguar të Tiranës dhe një nga futbollistët, që nuk ka luajtur shumë këtë sezon. Gjatë këtij kampionati ka dhënë tre asiste, që janë shumë për aq minuta sa ka luajtur me fanellën e Tiranës. Ka shënuar një gol në kupë dhe në shtatë takime është aktivizuar 325 minuta.

OLSI AVDIAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"