Partizani jo vetëm blerje, largon Antanasijeviç

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 5, 2014 | 9:28

Partizani jo vetëm blerje, largon Antanasijeviç

Dragan AntanasijevicDuke filluar nga dje, mesfushori Dragan Antanasijeviç nuk do të jetë më pjesë e Partizanit. Lajmi në fjalë është publikuar nga zyra e shtypit, ku bëhet me dije se palët e kanë ndërprerë me mirëkuptim marrëveshjen që kishin. “Dragan Antanasijeviç nuk do të jetë më pjesë e skuadrës në sezonin e ri futbollistik 2014-2015. Mesfushori serb dhe klubi kanë ndërprerë sot (dje) marrëveshjen mes tyre me mirëkuptim. Klubi falënderon 26-vjeçarin për kontributin e dhënë me fanellën e kuqe dhe i uron suksese të mëtejshme në karrierën e tij futbollistike”,- kështu njoftoi dje klubi. Kur mendohej se ishte gjithçka gati për fillimin e përgatitjeve të sezonit të ri, pakkujt i kishte shkuar në mendje se do të kishte largime të tjera nga pjesa e lojtarëve që “mbijetuan” nga edicioni i shkuar. Dragan Antanasijeviç iu bashkua Partizanit në merkaton e janarit dhe ishte i vetmi nga të huajt, që bindi te “demat”. Serbi ishte i vetmi futbollist i kryeqytetasve, që u aktivizua në 17 ndeshjet e pjesës së dytë të sezonit, i cili u mbyll më 10 maj. Madje, Antanasijeviç ishte i pari futbollist që klubi e konfirmoi edhe për sezonin e ri. Me anë të një njoftimi për mediat, më 12 maj klubi bën me dije se Dragan Antanasijeviç ka rinovuar kontratën me Partizanin edhe për një vit, me opsion shtyrjeje për sezonin pasues. Por pa u mbushur mirë dy muaj, klubi ndryshon mendje, ku disa ditë nga fillimi i përgatitjeve të para njoftohet se 26-vjeçari serb nuk do të jetë më pjesë e klubit. Dragan Antanasijeviç ishte një nga lojtarët më të preferuar të ish-trajnerit Marcio Samapio, i cili e aktivizoi në çdo ndeshje. Portugezi pohoi asokohe se i kishte këshilluar presidentit Demi që të rinovonte me shtatlartin serb, pasi është lojtar cilësor dhe mund të përfitohet edhe financiarisht, duke e shitur në ndonjë klub tjetër. Me largimin e Antanasijeviçit te Partizani nuk ka më gjurmë të trajnerit portugez, pasi dihet se klubi ka rikthyer edhe kosovarin Mazrekaj, me të cilin Sampaio pati probleme. Me largimin e serbit, të kuqtë tani kanë një lojtar të huaj më pak në organikë. ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"