Partizani i Hanoit ’63

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 23, 2014 | 9:00

Partizani i Hanoit ’63

Panajot dhe Ledio Pano

Panajot dhe Ledio Pano

Nga BESNIK DIZDARI
HANOI 1963 – “MISTERI” POLITIK I SHQIPËRISE SPORTIVE

Në historinë modeste të fut bollit shqiptar, nëse ka një ngjarje disi të nënvleftësuar, madje të harruar dhe asnjëherë të trajtuar për së mbari – ky është Turneu i Futbollit i Ushtrive të shteteve Komuniste, zhvilluar në Hanoi në dhjetorin e vitit 1963. Ndaj, për herë të parë përmes këtij kapitulli po mëtojmë ta trajtojmë deri diku më në thellësi këtë ngjarje.
Dhe a ka pasur disa arsye për këtë thuajse mënjanim të Hanoit ’63? Ndërsa turneut, po të këtillë të zhvilluar në Lajpcig më 1958, ku Partizani i Ushtrisë Popullore të Shqipërisë zuri po vendin e dytë, vazhdimisht i është kushtuar rëndësi e vëmendje, shpesh deri në tejkalim, për këtë identik të Hanoit, heshtja thuajse e ka mbuluar atë.
Nuk ka dyshim se kjo vjen ngaqë ky i Hanoit ka një nivel disi më të ulët të vlerave të futbollit. Dhe e dyta, sepse pjesëmarrja e Partizanit shqiptar në këtë turne është bërë dy vjet mbasi Shqipëria ishte prishur, deri sa nuk ka ku shkon më, me Bashkimin Sovjetik dhe vetvetiu jo pak edhe me shtetet e tjera komuniste. Ndonëse ende ajo nuk kishte dalë formalisht nga Traktati i Varshavës.
Sot e kësaj dite është një enigmë e tanë, se si Shqipëria mori pjesë në këtë turne. Dhe këto nuk janë vetëm punë sporti e futbolli. Kjo është dhe politikë, që do të thotë se në Hanoi nuk është shkuar vetëm për shkaqe sportive, por edhe për shkaqe të politikës, të paktën në dukje të jashtme, ende të paqëndrueshme të Shqipërisë. Natyrisht gjithnjë e më fort Kina Popullore është më e pranishme në Shqipëri, por ende jo aq sa çdo të ishte me kalimin e shpejtë të viteve. Për Shqipërinë Bashkimi Sovjetik po “zhdukej” gjithnjë e më fort, ndonëse për ne të rinjtë, të etur për dije, libraria “Libri Sovjetik” tejet e varfëruar, ekzistonte dhe në Bibliotekën Kombëtare, vazhdonte të vinte shtypi sovjetik i pjesshëm.
Nuk mund të thuash ndërkaq se viti 1963 ishte një vit izolimi për futbollin shqiptar. Shqipëria sapo ishte përuruar si në Kupat e Europës ashtu dhe në Kampionatin Europian të futbollit. Në një farë mënyre, Hanoi ishte një sfidë e çuditshme deri aty sa të duket si një përgjigje e Imperializmit Amerikan dhe atij Europian, se “Shqipëria nuk do të afrohet as me ju”. Madje, në fund të fundit, ajo është ende pjesë e Traktatit të Varshavës, edhe pse te Bashkimi Sovjetik tashmâ, qoftë dhe në mbrapaskenë, ajo sheh një social-imperializëm agresiv. Dhe drejt e në Turnen e futbollit të Hanoit të Vietnamit, si në një lloj politike, disi inverse, të ping-pogut të disa viteve më pas në versionin SHBA – Kinë.
Nuk mund të pohohet plotësisht as kjo. Por sot na duhet të pohojmë se pjesëmarrja e Partizanit shqiptar në Turneun e Hanoit ka qenë sa një sensacion politik apo gjeopolitik, po aq dhe më sportiv apo futbollistik. Mbetet një mister, jo se çka ishte në vetvete ai futboll i Lindjes së Largët, në një qytet dramatik si Hanoi, i cili veçse qytet sportiv nuk mund të quhej, nëse pati apo jo sinjale, ftesa, diskutime, biseda të atjeshme që kishin të bënin me marrëdhëniet me Shqipërisë izolacioniste.
Partizani është nisur për në Hanoi më 20 nëntor 1963, i kryesuar, siç emërtohet zyrtarisht, “nga nënkolonel Besim Fagu, shef i KS Partizanit”, – figurë e madhe e sportit dhe futbollit kombëtar. Është vërtet diçka e rrallë që ekipi kryesohet nga një njeri krejtësisht sportiv, pavarësisht nga grada ushtarake, diçka normale për organizimin partiako-ushtarak, asisoj të klubit sportiv të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore. Kryesimi prej Fagut, të paktën nga jashtë, tregon se atje Partizani dhe drejtuesit e tij kanë punë vetëm me futbollin, vetëm me ndeshje sportive, vetëm me turneun. Të ketë qenë vetëm kështu?…
Një heshtje e tanë mbi 50-vjeçare ka “harruar” këtë turne futbolli, në të vërtetë i veshur me jo pak me politikë. Mbi të gjitha, siç e parathamë, me politikë shqiptare, e pakta prej dy vjetësh, armike edhe e kampit komunist me në krye Bashkimin Sovjetik, por formalisht një Shqipëri ende e patërhequr prej Traktatit ushtarak të Varshavës. Ky është një nga paradokset më të çuditshëm të politikës shqiptare të asokohe të Regjimit komunist. Madje, po kaq i çuditshëm është emërtimi i këtij turneu si “Kampionat i Ushtrive Motra të vendeve socialiste për futbollin”. Çka do të thotë se Shqipëria qenka ende pjesë e kësaj familje të “Ushtrive Motra”, kur nga ana tjetër shtypi shqiptar kishte e pakta dy vjet që çdo ditë sulmonte agresivitetin e Bashkimit Sovjetik dhe paksa jo drejtpërdrejt edhe të këtyre shteteve po komuniste ndaj Shqipërisë. Por le të vijmë te futbolli.
“ARGJENDI” I NDRITSHEM I HANOIT ’63
Partizani shkon në Hanoi me këta futbollistë:
Maliqati, M.Janku, Deliallisi, M.Papadhopulli, Frashëri, Dingu, O.Mema, Shllaku, Ndini, Jashari, Pano, T.Shehu, Bytyçi, Bukoviku, Andoni, Zaho, Resmja. Me trajnerë Loro Boriçin dhe Rexhep Spahiun. Është një Partizan autentik – Kampion në fuqi (1962-63) ku Panajot Pano ka zhvilluar pa ndalë ndeshje të paharrueshme, duke u shpallë dhe kryeshënuesi i Kampionatit me 17 gola – hera e dytë mbas vitit 1956 (Resmja) që një futbollist shënonte 17 gola. I riu i sotëm nuk mund ta marrë me mend se çka ishte prania e tij në ndeshje. Madje sido që të luante. Mund të heshtte për 60 minuta të tana, kur ja, krejt papritmas shpërthente në inkursione të rrufeshme, në finta e driblime ku pleksej teknika racionale, jo ajo romantike e futbollit, me gjuajtjet e fuqishme nga çdo pozicion. Dhe kishim të bënim me një Partizan, i cili në atë kampionat 1962- 63 kishte pësuar vetëm 1 humbje dhe kishte lënë në vend të dytë me 4 pikë largësi një Dinamo mjaft të fuqishme.
Partizani do të merrte rrugën e Hanoit, duke qenë në krye edhe të kampionatit 1963-64, tejet i sigurt, ku ndeshjet e tij të dukeshin më tepër si një duel i pandalshëm për “titullin” e kryeshënuesit, midis Panos dhe Robert Jasharit, ku do të triumfonte Jashari – padyshim në kampionatin më të bukur të jetës së tij.
Ishte një Partizan që shkonte në Hanoi pa asnjë lojtar të ekipeve të tjera shqiptare, dy herë rresht (1961, 1962- 63) – Kampion absolut i Shqipërisë, në gjirin e të cilit ndodheshin plot katër “ushtarë” (Frashëri, O.Mema, Bytyçi, Bukoviku) – një katërshe e fuqishme, që jo larg, por mbas nja disa muajve, teksa ata do të riktheheshin te klubi i tyre i lindjes, 17 Nëntori, do të tronditnin jo thjesht këtë Partizan, por do të ndërronin vetë kahun e ecurisë së mëvonshme të futbollit shqiptar. Ndërkaq, në Hanoi gjithçka do të zhvillohej thuajse në mënyrë të rrufeshme.
Më 4 dhjetor 1963, Partizani fiton 2-1 në qytetin Tjan-Hao ndaj CDNA të Sofjes, me të cilën kishte humbur ndeshjen fundore të vendit të parë, në Lajpcig 1958. Dy ditë më vonë, më 6 dhjetor, në qytetin Nandig Partizani e shkatërron skuadrën hungareze – legjendë të futbollit botëror për kah emri, Honvedin e Budapestit, që merrej me mend, ishte me vite drite larg Honvedit të Ferenc Pushkashit të viteve ’50. Më 10 dhjetor përsëri në Tjan-Hao Partizani fiton 3-1 ndaj FC Vorwarts të Republikës Demokratike Gjermane, duke hyrë në grupin e katër skuadrave që do të mëtonin medaljet e arta. Shorti kapricioz e çon Partizanin përsëri edhe në gjysmëfundore kundër Honvedit më 12 dhjetor dhe prapë fitore, tash e ngushtë, 1-0.
Në Shqipëri për çudi, ka ditë sportive si në marramendje. Papritmas njoftohet me eufori se Shqipëria do të marrë pjesë për herë të parë në Kampionatin Botëror të Futbollit, Ndërkaq, në Xhakarta të Indonezisë, themelohen Lojërat e ashtuquajtura GANEFO (Lojërat e para të Forcave të Reja) – një organizim sportivo-politik për t’iu kundërvënë Lojërave Olimpike me parullën absurde që këto lojëra (48 shtete, 3000 sportistë) janë në gjendje “të luftojnë kundër imperializmit dhe kolonializmit”. Madje, “Sporti popullor” i Tiranës shkon edhe më tej në kryeartikullin e tij kur shkruan e zeza në të bardhë se:
“Gjatë Lojërave të Para të Forcave të Reja dështuan me turp të gjitha planet dhe intrigat e qarqeve reaksionare sportive, të disa federatave sportive dhe të vetë Komitetit Olimpik Ndërkombëtar!”. Guxim i tepruar shqiptar, kur dihej se Republika Popullore e Shqipërisë ishte anëtare e këtij Komiteti (CIO) dhe e disa Federative Sportive Ndërkombëtare!
Atleti Ramazan Driza, qitësi Ismail Rama, boksieri Rami Sadushi janë nënkampionë (medalje argjendi) të kësaj GANEFO-je, ndërsa boksieri Hysen Sharra është medalje bronzi.
Në Tiranë mbërrin ekipi i të Rinjve të Kubës në basketboll, përballë së cilës del Kombëtarja e Shqipërisë e quajtur Qyteti i Tiranës, e cila fiton 77-54 dhe 81-76. Duket qartë se e gjitha kjo është një synim i ri, gjeopolitik i çizolimit të pafat sportiv të Shqipërisë, e cila shumë shpejt do të ndjehej e braktisur… Ndërkaq, zëvëndëskryeministri i parë, Spiro Koleka, prêt basketbollistët kubanë. Është një paradë enigmatike e cila duket se mbyllet me vizitën e kryetarit të Komitetit Olimpik të Shqipërisë në Kinë, Vasil Konomi, të cilit ky funksion nuk i përmendet askund, por thjesht Kryetar i Komitetit të Kulturës Fizike e Sportit.
Megjithatë, të gjitha këto duken sikur harrohen përballë suksesit të Partizanit, – në të vërtetë rast i një Shqipërie sportive si të ndarë më dysh. Shqipëria e GANEFO-s, “pro” Kinës Popullore që sapo mbërrinte fuqishëm në tokën arbënore dhe Shqipëria e Hanoit vietnamez “kundër” BRSS, edhe pse gjithnjë anëtare e Traktatit të Varshavës! Më 15 dhjetor 1963 Partizani dhe e famshmja CSKA e Moskës zhvillojnë ndeshjen fundore për medaljet e arta dhe sovjetikët fitojnë 2-0 mbas 120 minutave lojë dramatike, duke qenë se 90 minutat përfundojnë 0-0. Ashtu si në Lajpcig më 1958, Partizani i Shqipërisë fiton medaljet e argjendta të vendit të dytë.
Dhe drejt e në Republikën Popullore të Kinës, ndërkohë që kryeministri i saj, Çu En Lai, mbërrin për një vizitë disi të gjatë në Shqipëri. Kjo ishte politika dhe gjeopolitika e re sportive dhe josportive e Shqipërisë së vitit 1963. Pjesë e së cilës vetvetiu bëhet edhe Partizani i Panajot Panos e shokëve të tij, – skuadra që shndërrohet në idhullin e vietnamezëve, të cilët i detyrojnë edhe dy ndeshje miqësore: Hong Gai-Partizani 0-6 dhe Skuadra e Ushtrisë së Vietnamit -Partizani 0-1. E përsëri drejt e në Kinën Popullore me dy ndeshje që thuajse u ndalin frymën rreth nja 100.000 spektatorëve kinezë: Kantoni-Partizani 0-2 dhe Shangai-Partizani 0-1. Asnjëherë në historinë e futbollit shqiptar deri sot, nuk kishte dhe as nuk ka ndodhë që një klub shqiptar të luajë jashtë vendit 9 ndeshje brenda vetëm pak ditëve dhe të fitojë 8 prej tyre. Natyrisht, duke futur këtu qoftë ndeshjet e Turneut të Hanoit, qoftë dhe këto miqësore. Sado modeste, kjo statistikë fitimtare prapë së prapi mbetet unike në historinë modeste të futbollit shqiptar.
Kur mbërrin në Tiranë, Partizani pritet në aeroportin e Rinasit me buqeta me lule dhe të gjithë futbollistët të cilët nuk e kishin, thuajse pa zbardhë dita, nderohen me titullin e Mjeshtrit të Sportit (M.Janku, T.Shehu, O.Mema, P.Bukoviku, I.Dingu, L.Bytyçi, A.Zaho). Ndërsa mjeshtrit 33-vjeçar Refik Resmja, i jepet titulli Mjeshtër i Merituar i Sportit. Pa u harruar përgjegjësin e ekipit, Besim Fagu, i cili veçohet me dekoratën modeste “Kuadër i dalluar në fizkulturë e sport…!”
RËNDËSIA DHE “PARËNDËSIA” E NJË TURNEU
CSKA-ja e Moskës, CDNA e Sofjes, Honved i Budapestit, FC Vorwarts e Berlinit, Dukla e Pragës, CCA apo Steau e Bukureshtit, Legia e Varshavës. Të kenë qenë këto? Sepse do të mjaftonin këto emra klubesh elitë të futbollit të Lindjes komuniste, për ta vlerësuar së tepërmi këtë sukses të befasishëm të Partizanit 1963 (shto dhe tri skuadrat ushtarake të Kinës, RDP të Koresë e të Vietnamit). E, nga ana tjetër, mjafton për të kujtuar se sot nuk mund të gjesh diku një jehonë sado të vogël për zhvillimin e këtij turneu, që menjëherë të kuptohet se Hanoi nuk ishte as Kupa e Kampioneve të Europës dhe as e asaj të Azisë.
Interesante është se para Hanoit, Partizani e nis gjithçka nga Kina, teksa stërvitet atje për rreth dhjetë ditë, në qytetin Nanin, në jugun kinez, madje duke i gjetur një qytet me një klimë të ngjashme me Vietnamin. Kësisoj, gjithçka të duket si një sfidë e përkujdesje kineze për një triumf shqiptar në Hanoi në të mirë të bllokut të ri të ashtuquajtur kundërrevizionist Shqipëri- Kinë.
Është thënë se Dukla e Pragës së Çekosllovakisë – Nënkampione e botës vetëm një vit më parë, kishte në përbërje të saj emra të tillë si Masopust, Pluskal, Novak, Jelinek, Shtibranji. Më 1991 kam pasur rastin në Tiranë të kaloj një darkë me Novakun e famshëm, por assesi ai nuk kujtohej të thoshte nja dy fjalë të vetme për Hanoin ’63. Po ashtu u tha se përfaqësuesja e Ushtrisë Sovjetike ishte një bashkim i CSKA-së së Moskës dhe të klubit tjetër ushtarak sovjetik SKA Rostov me emra të tillë të shquar si Kopajev, Bauzha, Manoshin. Gjithashtu u fol për emra të mëdhenj të Kombëtares gjermano-lindore të tillë si Shpikenagel apo Krampe. Çka ia rrit tejet vlerën suksesit të Partizanit. Sot na duhet të vlerësojmë fort jo thjesht fitoret, por qoftë dhe humbjen me skuadrën sovjetike, çka flet qartë koha shtesë mbas 90 minutave në barazim. Ajo ishte një CSKA e Moskës, e cila që nga viti 1951 nuk fitonte asnjë titull të Kampionit në BRSS. Kishte marrë goditjen absurde të vitit 1952, kur me urdhrin e Josiv Visarionoviç Stalinit, klubi ishte shkrirë dhe përjashtuar nga Kampionati sovjetik, sepse shumica e lojtarëve të saj kishin qenë pjesë e Kombëtares Olimpike të BRSS-së në Lojërat e Helsinkit ku ishte eliminuar prej skuadrës së Jugosllavisë titiste të Cajkovski, Horvat, Stankovic, Mitic, Vukas, Bobek, Zebec – emra të mëdhenj, të cilët ishin mposhtur e pakta dy herë më 1946 dhe 1948 prej Kombëtares Shqiptare të Loro Boriçit me shokë. Dhe përjashtimi e shkrirja e CSKA-së (ndoshta do ta tregojmë më vonë në një shkrim të posaçëm) është një rast botëror, që gati-gati i afrohet rastit tonë të vitit 1967 me përjashtimin e 17 Nëntorit dhe Partizanit. Por asokohe të Bashkimit Sovjetik stalinian, rasti është vërtetë unikal. Jugosllavia fiton 3-1 ndaj BRSS-së dhe gjithë populli i saj ftohet në festën e madhe. Deri dhe në garnizonin e Prishtinës suksesi festohet me të shtëna topash! Ndërsa në Moskë Stalini ngarkon sekretarin e Komitetit Qendror të Partisë, Malenkovin, të urdhërojë përjashtimin e CSKA-së me vendimin e Komitetit Olimpik të BRSS-së, Nr.793 të 18 gushtit 1952, që thotë fjalë për fjalë “Për shkak të dështimit në Lojërat Olimpike, për dëmin serioz që i është shkaktuar prestigjit të sportit sovjetik, përjashtohet skuadra CDSA (CSKA) nga kampionati i BRSS-së dhe klubi shkrihet”.
Nuk dimë nëse në këtë dhjetor 1963, Nikita Hrushovi do ta shkrinte si Stalini, CSKA-në e Moskës nëse humbiste titullin e Hanoit prej Partizanit të Shqipërisë! Po vështirë të ndodhte asisoj… Ndërkohë, duhet thënë se në këtë 1963, ndonëse synonin si përherë kreun, CSKA-ja e Bullgarisë, FC Vorwarts e RDGJ, Legia e Polonisë dhe Honved i Hungarisë nuk ishin kampione në vendet e tyre. Dukla e Pragës po, ishte kampione, madje radhazi e pandalshme. Në thelb, forca e skuadrave ushtarake të vendeve komuniste do të vinte duke rënë, ndonëse edhe për pak kohë Partizani i Shqipërisë ishte i palëkundshëm në kampionatin Shqiptar. Sidoqoftë, me gjithë këto “rënie”, suksesi partizanas është i padiskutueshëm, pavarësisht nga përmasat disi të ndryshme. Partizani fiton 2-1 me skuadrën bullgare dhe kjo ka qenë ndeshja që ka vërtetur forcat shqiptare: 1-0 për bullgarët, barazim i Ben Bukovikut dhe goli i fitores prej Tomor Shehut. Dhe, mandej, 4-0 ndaj Honvedit: Ndini, T.Shehu, T.Shehu, Jashari! Prej të tria ndeshjeve, natyrisht veçohet ajo kundër gjermanëve të FC Vortwarts, e fituar 3-1.
Kjo është ndeshja e madhe e Panajot Panos. Stili i tij, futbolli i rrufeshëm i tij, driblimi prej sprinteri i tij, gjuajtja e tij në ecje e sipër, fuqia e tij e palëkundshme. Tre gola të tij, deri në apogjeun 3-0 dhe goli gjerman i minutave të fundit. Kjo fitore do të ishte përftimi i një morali të lartë në fitoren e dytë, tash të ngushtë, vetëm 1-0 po kundër Honvedit me gol Bukovikut qysh në pjesën e parë. Kështu shkohet te drama më vete që është ndeshja për vendin e parë, ajo CSKA e Moskës-Partizani në stadiumin e Hanoit para 40.000 shikuesve. Madje, nën thirrjet disi të çuditshme “Albania! Albania!”. 90 minuta 0-0, shtesë dy herë nga 15 minuta, dy gola në secilën pjesëz me autorë Kopajev dhe Grekov. Ky ishte në rëndësinë dhe “parëndësinë” e tij, Partizani i Hanoit të dhjetorit 1963, 11-shi bazë i të cilit ka qenë ky: M.Janku – Deliallisi, M.Papadhopulli, Frashëri, O.Mema, Shllaku – T.Shehu, Bukoviku, Ndini, Pano, Jashari. Është përmendur edhe skema taktike e vendosur kësisoj prej trajnerit Loro Boriçi: 1-3-3-4.
PARTIZANI I PANAJOT PANOS TË HANOIT ’63
Siç e vëren edhe lexuesi, në gjithë këtë Kapitull XI të “romanit” tonë, të titulluar “Partizani i Hanoit ’63”, për protagonistin Panajot Pano ka vetëm pak radhë. E vërteta është se Pano, ashtu si dhe Shehu janë dy golashënuesit më të mirë (nga 3 gola). E po kaq e vërtetë është se ky sukses pa ndeshjen e madhe të Panos 3-1 ndaj FC Vorwarts të RD Gjermane nuk mund të mbërrihej assesi. Natyrisht, siç kemi thënë, edhe pse “romani” i kushtohet Panajot Panos, ky është një rast i mirë për t’i dhënë atij një hapësirë historike të gjerë të viteve të futbollit tonë kombëtar, ku Pano ka qenë protagonisti i padyshimtë i gjithë kësaj periudhe 1957-1974.
Natyrisht edhe Panajot Pano ka pasur ulje-ngritjet e tij, situata të rënies së përkohshme, por rrallë si ai një futbollist ka ditur t’i kalojë krizat. Dhe gjithnjë Pano! Në këto 17 vjet asnjë histori, dukuri, ngjarje, kthesa, suksese apo dështime qofshin, nuk mund të thuhet pa emrin dhe pjesëmarrjen e Panajot Panos. A mund të quhet ai protagonisti i “argjendit” të Hanoit ’63? Kur kujton lojën e papërmbajtshme të tregolëshit të tij në fitoren vendimtare 3-1 me skuadrën gjermane, mund të themi se po, ai ishte protagonisti. Por në futboll si një sport kolektiv, asgjë nuk mund të bëhet i vetëm. Dhe në këtë rast Panajoti pati shokë të rrallë, pa të cilët as ai, ndonëse ishte për ne, dhe jo vetëm për ne, një fenomen apo dukuri tejet origjinale i futbollit, nuk do të mund të shfaqte vlerat e mëdha të tij.
Të gjykuara ndeshjet në tërësi, të vështruara në gjykimin e pranisë së tij, me mjeshtërinë e jashtëzakonshme, edhe ahere kur dukej se ai nuk luante, sërish ishte protagonist. Qoftë dhe vetëm me vëmendjen e madhe që i kushtonte kundërshtari, çka çlironte lojtarët e tjerë të skuadrës. Gazeta e famshme sportive e Polonisë, “Psheglond Sportovi” ishte ajo që përcaktoi 11-shin më të mirë të Turneut. Tek është:
BAUZHE (Brss) – FRASHËRI (Shqipëri), DORODNIH (Brss), KRAMPE (Rdgj), PLUSKAL (Çekosllovaki), KOSHKA (Rumani) – PAVLOVIC (Rumani), BRYCHCZY (Poloni), KOPAJEV (Brss), RAKS (Rumani, JELINEK (Çekosllovaki).
E pra nuk janë emra dosido. Panajot Pano, sipas mendimit polak, nuk ia ka arritur të kalojë vlerën e sulmuesve të tjerë, Kopajevit dhe Jelinekut me shokë. Dhe befasia: prej shqiptarëve, në 11-shin simbolik është jo sulmuesi Panajot Pano, por mbrojtësi 22-vjeçar Fatmir Frashëri – figurë e madhe e futbollit shqiptar ngado që ta marrësh: si lojtar, si trajner, si pedagog, si formim kulturor. Ndërkaq, ky 11-sh simbolik përmban disa emra që ia rrisin tejet vlerën arritjes së Partizanit:
Svatopljuk Pluskal – Nënkampion i Botës 1962 dhe 56 ndeshje me Çekosllovakinë; Lucian Antoni Brychczy – 368 ndeshje dhe 182 gola me Legia të Varshavës dhe 58 ndeshje me Poloninë; Hans Dieter Krampe – 28 herë i RDGJ-së; Josef Jelinek – 10 herë i Kombëtares së Çekosllovakisë; Oleg Kopajev i SKA të Rostovit në 257 ndeshje e 118 gola, 6 herë i Kombëtares së BRSS, në këtë vit 1963 kryeshënues i kampionatit sovjetik me 27 gola – sot e kësaj dite i cilësuar si një nga sulmuesit më rezultativë të futbollit sovjetik. Kësisoj, nuk ka qenë diçka e thjeshtë “argjendi” i Hanoit të Partizanit shqiptar…
Por kthehemi në Shqipëri, ku do të gjejmë rastin e kundërt, në gjithë këtë vlerësim. Në “10 sportistët e Vitit” mezi gjejmë një futbollist. Fitojnë qitësi I.Rama, atleti R.Driza, boksieri R.Sadushi, futbollisti F.Deliallisi, çiklisti B.Agalliu, basketbollisti V.Shaka, peshëngritësi S.Gjoni, atletja L.Markolaj, shahisti Esat Duraku, notari E.Lishi. Nga futbolli vetëm Fatbardh Deliallisi! Tre të parët e këtij viti 1963 – sportistë të mrekullueshëm – u përkasin medaljeve të GANEFO-s. E, mandej një futbollist i vetëm, mbrojtësi i paharrueshëm Fatbardh Deliallisi – kapiteni i Partizanit dhe kapiteni i parë i Kombëtares së Shqipërisë në ndeshjet për kualifikimet eurobotërore. Kur në suksesin e njëjtë, atë të Lajpcigut 1958 në “dhjetëshe” kishin fituar katër të Partizanit: Refik Resmja (i pari), Sulejman Maliqati, Kolec Kraja, Gani Merja. Sot, pas 50 e më vjetëve, a mund të themi se edhe vetë Shqipëria nuk i çmoi sa duhet vlerat e “argjendit” të Hanoit?
Kjo nuk mund të thuhet. Një gjë tjetër mund të thuhet, megjithatë: euforia politike për GANEFO-n, politikisht vizita e Çu En Lait në Tiranë, ndoshta deri dhe ndeshjet gjeopolitike me basketbollistët kubanë, në atë dhjetor “të pakuptueshëm” të Shqipërisë komuniste, vetvetiu e lanë disi në plan të dytë Partizanin e Hanoit. Vetëm me nderimin e sapo mbërritjes, mund të themi se rëndesa e ngjarjes mori deri diku përmasa të merituara.
Dhe vendimtari Panajot Pano të duket se në këtë rast është edhe ai i planit të dytë. Ndonëse ai është në majën e tij. Dihet ndërkaq se shpesh ndodh që kur ngjitesh lart kësisoj mund të fillojë rënia. Kurrë nuk do të kishte rënie për Panajot Panon. Do të kishte kriza të përkohshme, çka i ndodh çdo sportisti. E vërteta është se për një periudhë të shkurtër në fillim apo në mes të viteve ’60, ai e ka një krizë të shkurtër. Dhe, duke qenë se për shqiptarët qe shndërruar në mit i futbollit, askush nuk ia duronte qoftë dhe krizën më të vogël, teksa për një çast u quajt edhe “yll që mund të venitej”. Edhe këtë e kishin si paralajmërim për t’ia rritë forcat deri në rebelimin e tij për t’u ngjitur përsëri rrufeshëm aty ku ishte prej e pakta 4- 5 vjetëve…
Ne po i afrohemi kështu fundit të “romanit” tonë, drejt të cilit do të shkojmë duke iu treguar Panajot Panon e Kupave të Europës. Është një kohë kur Partizani i Hanoit ’63 kishte mbërritur në skajin e Azisë, duke mbajtur mbi supet e tij të brishta europiane dy pjesëmarrjet e para në Kupën e Kampioneve të Europës. Kishin qenë të rralla, tejet të rralla. Me në krye Panajot Panon…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"