Partizani, firmosin Hyshmeri dhe Mitraj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 24, 2013 | 13:06


Partizani, firmosin Hyshmeri dhe Mitraj

Hyshmeri me Liken, prezantohet te PartizaniDrejtuesit e Partizanit kanë bërë dy goditje të tjera, duke e çuar në 11 numrin e lojtarëve të afruar nga merkatoja e verës, përjashto rinovimin e kontratës së Oladeles dhe futbollistëve të tjerë, që ishin pjesë e të kuqve sezonin e shkuar. Dy lojtarët, të cilët kanë firmosur dje me të kuqtë, janë Renato Hyshmeri, që ka bërë një sezon të shkëlqyer një sezon më parë me Teutën dhe Aldo Mitraj, i cili është aktivizuar në radhët e Tomorit dhe ka qenë përpara disa ditësh në kampin e kuq për të zhvilluar një stërvitje dyditore. Në momentin e parë stafi teknik nuk vendosi që do ta mbante futbollistin, por më pas, duke parë edhe krizën për të gjetur sulmues në tregun vendës dhe atë të huaj, duket se kanë vendosur ta rikthejnë sërish në ekip, për t’i ofruar një kontratë dhe për ta pasur si alternativë sezonin e ardhshëm. Hyshmeri është një nga lojtarët e njohur të kampionatit shqiptar dhe në kërkim të tij ishin vënë shumë skuadra. Ashtu siç “Panorama Sport” e ka bërë me dije rreth një muaj më parë, lojtari kishte nisur kontaktet me drejtuesit dhe priste përfundimin e ndeshjeve të Europës me durrsakët për t’u bërë edhe zyrtarisht pjesë e Teutës.
Deklarata – Në prononcimin e tij të parë si futbollist i Partizanit, Hyshmeri është shprehur mjaft i entuziazmuar. “Nuk e pata të vështirë që ta pranoja ofertën e drejtuesve, pasi ajo ka qenë shumë e mirë dhe më ka bindur. Gjithashtu, kushtet e vendosura në kontratë janë të mira, për më tepër nuk kisha si të mos pranoja, kur bëhet fjalë për Partizanin, një skuadër shumë e njohur e kampionatit shqiptar, e cila rikthehet pas katër vitesh mungesë në Superiore”, – pohon lojtari, i cili duhet thënë se është një nga të pëlqyerit e trajnerit Lika, që kur ky i fundit ishte në krye të stolit të skuadrës së Teutës. Më pas, Hyshmeri flet edhe për merkaton dhe objektivat që do të ketë sezonin e ardhshëm. “T’ju them të drejtën nuk e njoh shumë pjesën tjetër të ekipit, pasi janë afruar shumë futbollistë të rinj. Sot (dje) kam zhvilluar edhe stërvitjen e parë dhe me kalimin e ditëve do të ambientohem. Rëndësi ka që gjithçka të shkojë mirë dhe të bëjmë lojëra të bukura dhe rezultative. Personalisht do të jap maksimumin që të mos i zhgënjej drejtuesit dhe trajnerin për besimin që më kanë dhënë, por edhe tifozët, që presin shumë nga kjo skuadër. Partizani sezonin e ardhshëm do të jetë në garë për titullin kampion. E dimë që nuk do të jetë e lehtë, por ne do provojmë gjithçka. Gjithashtu, do të synojmë edhe një nga vendet e para të tabelës së renditjes, që të jep mundësinë të luash në Europë”, – ka përfunduar Hyshmeri.

RrahmaniRrahmani: Idhulli im Vermalen, G.Lika më i miri i Superiores
Mbrojtësi i Kombëtares Shpresa, Amir Rrahmani, që i është bashkuar Partizanit gjatë merkatos së verës, ka tërhequr edhe vëmendjen e mediave italiane. Në një intervistë për “Footballscout24.it” lojtari ka folur për transferimin e tij te Partizani, synimin për të qenë pjesë e Kombëtares shqiptare, si dhe idhullin e tij. Ndërkohë, media italiane nuk ka ngurruar ta krahasojë futbollistin edhe me talentin e Juventusit, shqiptarin Elvis Kabashi, apo atë të Empolit, Elseid Hysaj.
Tani që jeni transferuar te Partizani, çfarë prisni sezonin e ardhshëm?
Mund të them se më pret një punë shumë e madhe. Drejtuesit janë duke ndërtuar një skuadër të fortë dhe me lojtarë cilësorë, ndërsa objektivi ynë është që të arrijmë një nga tri vendet e para, çka do të thotë edhe përfaqësim në Europë.
Të qëndrojmë te Superiorja. Kush mendoni se është lojtari më i fortë i saj?
Nga ndeshjet që unë kam ndjekur, mund t’ju siguroj se një titull të tillë mund ta meritojë Gilman Lika. Mendoj se sezonin e fundit ai ka qenë emblema e skuadrës. Pavarësisht problemeve të shumta që ka pasur klubi i tij Tirana, ai ka treguar sërish se është më i forti.
Me cilët nga lojtarët e kampionatit shqiptar do të dëshironit të luanit një ditë në karrierën tuaj?
Edhe pse nuk është pjesë e kampionatit shqiptar, ëndrra ime është që një ditë të kem në krah të qendrës së mbrojtjes Lorik Canën.
Po idhull kë lojtar keni?
Pa dyshim që idhulli im është Tomas Vermalen, qendërmbrojtësi i Arsenalit. Nuk është një lojtar që zë gjithmonë faqet e para të gazetave, por një futbollist mjaft i zgjuar dhe që e interpreton në mënyrën më të mirë rolin e tij. Vermalen është pika ime e referimit në futboll.
Nëse do të kishit mundësi të zgjidhnit, në cilin kampionat europian do të luanit?
Në Premier Ligë. Nuk e di saktë arsyen përse e kam këtë dëshirë, por është një kampionat që më tërheq shumë për shpejtësinë e lojës që zhvillohet dhe për fizikun që lojtarët kanë në fushë.
Të flasim për Kombëtaren. Sa shanse ka Shqipëria të shkojë në “Brazil 2014”?
Mundësitë janë që, më në fund, ëndrra për kualifikimin të bëhet realitet, por Kombëtarja duhet të marrë pikë në transfertë që ta arrijë diçka të tillë, pasi kanë mbetur ende edhe katër ndeshje.
Mendoni se në të ardhmen do të vijë një ftesë edhe për ju nga De Biazi?
Besoj dhe e shpresoj shumë. Tani mendoj për skuadrën 21-vjeçare, pasi me siguri vitet e mia të ardhshme do të jenë aty, por besoj se thirrja nga Kombëtarja A nuk do të jetë e largët.

Martins, alternativë për sulmin
Ditët e fundit te skuadra e Partizanit po shqyrtohet edhe mundësia e afrimit të një sulmuesi portugez. 31-vjeçari Carlos Andrea Martins mund të afrohet shumë shpejt në kampin e kuq për të zhvilluar një provë disaditore. Lojtari ka një eksperiencë të madhe, pasi ka luajtur në një sërë skuadrash si në kampionatin portugez, ashtu edhe në atë qipriot. Martins ka luajtur me Olimpiakos Nikozia, ku më parë është aktivizuar edhe ish-portieri i Kombëtares Shqiptare, Isli Hidi. Sezonin e shkuar futbollisti luajti me një tjetër skuadër të njohur në këtë kampionat, siç është Doxa. Aktualisht drejtuesit e kuq janë duke studiuar pamjet filmike të lojtarit, ndërkohë që ka shumë mundësi që ai të bashkohet me skuadrën gjatë fazës përgatitore, e cila do të zhvillohet në Grevena të Greqisë dhe do të zgjasë për rreth dy javë.

Shtyhet faza
Ishte parashikuar që Partizani të nisej sot drejt Greqisë për të zhvilluar fazën përgatitore, por një gjë e tillë nuk do të ndodhë. Futbollistët kosovarë janë rikthyer dje në Tiranë, ndërsa kanë arritur t’i marrin vizat. Mirëpo, një gjë e tillë nuk ka ndodhur me nigerianët Oladele dhe Udo, të cilët kanë probleme. Deri në fund të javës pritet që gjithçka të sqarohet dhe të bëhet nisja drejt Greqisë.
ARMAND HALILI




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/