Partizani bie në Laç, ka akuza ndaj gjykimit. Të kuqve u anulohet një gol pjesën e dytë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2013 | 12:17

Partizani bie në Laç, ka akuza ndaj gjykimit. Të kuqve u anulohet një gol pjesën e dytë

Laci-Partizani 1-0LAÇI-PARTIZANI  1-0
GOLAT: Tanushi 73′
LAÇI:Bakaj, Kastrati (Nino 85′ ), Buljan, Çarls, Sefgjini, Teqja, Zefi, Veliaj(Tanushi 63′), Vucaj, Nimani, Brkiç (Danaj 89′). Trajner: Stavri Nica
PARTIZANI:A. Hoxha, G.Krasniqi, Ibrahimi, Udoh, B.Krasniqi, Demiri(Thana 70′), Oladele(Malo 80′), Musta (Murati 74′), Hyshmeri, Mazrekaj, Buac. Trajner: Hasan Lika
VËZHGUES: Sokol Jareci (Tiranë)
DELEGAT: Enton Lita (Tiranë)
KARTONË TE VERDHË: Sefgjini 28′, Veliaj 29’/Oladele 68′, Ibrahimi 77′
GJYQTARET: R.Sadiku, R.Preça, E.Gançi (Elbasan)

MINUTAT
5′ Depërton Mazrekaj në qendër, pret Bakaj pa problem.
18′ Nimani tenton të befasojë miqtë, por nuk shënjestron si duhet portën e mbrojtur nga Hoxha.
27′ Brkiç në një dyluftim me portierin Hoxha rrëzohet, gjyqtari Sadiku bën shenjë që të fillojë loja.
40′ Kurbinasit pretendojnë për një prekje të topit me dorë nga ana e një prej mbrojtësve të kuq, por gjyqtari nuk është i këtij mendimi.
57′ Brkiç godet me kokë, topi pritet në dy kohë nga portieri Hoxha.
65′ Partizani shënon me anë të Buac, por flamuri i gjyqtarit anësor u ndalon festën të kuqve.
67′ Mazrekaj depërton rrezikshëm në zonën e laçianëve, por një ndërhyrje në momentet e fundit largon rrezikun për vendësit
73′ Topin që vjen në zonë nga Vucaj, Brkiç e pason bukur për Tanushin, i cili nuk mendohet dy herë duke lëshuar një predhë në drejtim të portës së mbrojtur nga Hoxha. Portieri i Partizanit nuk ka asnjë mundësi reagimi, veçse të nxirrte topin nga rrjeta, 1-0.

Laçi mundi Partizanin falë golit të Eduart Tanushit, duke mbajtur vendin e parë për 24 orë deri në zhvillimin e ndeshjeve të mbetura të javës së dytë. Pjesa e parë ka qenë disi e barabartë, ku kurbinasit patën një dominim të lehtë në mbajtjen e topin, por pa mundur të rrezikojnë seriozisht portën e mbrojtur nga Hoxha. Të besuarit e Hasan Likës e kanë të qartë që duhet të jenë të balancuar dhe tentojnë të dalin shpesh përpara nga krahët me Mustën e Hyshmerin. Pjesa e dytë bëhet më e fortë dhe vendësit shohin edhe më shumë nga porta e Hoxhës, derisa gjejnë rrugën e rrjetës me anë të të sapofuturit në lojë, Eduart Tanushi, që shfrytëzon pasimin e Brkiç dhe dërgon në delir bardhezinjtë. Një fitore me mjaft vlera për laçianët, ndërsa Partizani merr humbjen e parë për këtë sezon pas fitores në Krujë. Pjesa e parë- Ndeshja ka nisur bukur dhe janë të kuqtë që rrezikojnë të parët në minutën e 5-të me Mazrekajn, por gjuajtja e tij gjen në pozicion Edvan Bakajn. Te bardhezinjtë mungon në qendër të mbrojtjes Ndreka, i dëmtuar, ndaj trajneri Nica e ka rikompozuar prapavijën e tij, duke vënë përkrah Buljanit nigerianin Ofeje. Reagimi i parë i rrezikshëm i vendësve vjen në minutën e 18-të. Nimani, që përbën dyshen e sulmit bashkë me Brkiç, godet në pozicion ballor, por topi kalon mbi traun e portës së Hoxhës. Pas kalimit të minutës së 30-të, të besuarit e Nicës fitojnë terren, ndërmarrin aksione në të dyja krahët, qarkullojnë dendur dhe me pasime të shkurtra, duke e hutuar disi kundërshtarin. Brkiç e mban në tension të përhershëm repartin e pasmë të Partizanit dhe në minutën e 27-të pretendon edhe për një penallti. Serbi futet në një dyluftim ajror me portierin Hoxha, duke u rrëzuar, por kryesori Sadiku e konsideron gjithçka të rregullt. Protestat e bardhezinjve janë të kota, kështu që loja vijon me përqendrim të saj në mesfushë, ku të dyja palët mundohen të diktojnë, por pa shënuar dot. Kurbinasit pretendojnë sërish 11-metërsh, për një prekje të topit me dorë, por arbitri është i prerë që loja të vazhdojë dhe pjesa e parë mbyllet 0-0. Pjesa e dytë- Pjesa e dytë nis me diktatin e vendësve, ku Nimani jep sinjalin e parë, por gjuajtja e tij nuk ka shënjestrën e duhur në minutën e 54-t. Nica shikon se mbrojtja e miqve është e pakalueshme, ndaj shton një forcë tjetër në sulm, në minutën e 63-të. Del nga loja mesfushori Veliaj dhe në vend të tij hidhet Tanushi. Lëvizje në funksion të zhbllokimit të rezultatit nga bardhezinjtë. Të kuqtë mendojnë që së pari të mos pësojnë dhe të shfrytëzojnë kundërsulmin për t’i goditur vendësit. Buac arrin të prekë rrjetën e Bakajt me kokë në minutën e 68-të, por anësori anulon gjithçka për pozicion jashtë loje. Lika aktivizon Thanën në vend të Demirajt në minutën e 70-të, duke përforcuar edhe ai ofensivën. Por, ndërrimet e bëra qëllojnë më të goditura te Laçi, pasi në minutën e 73-të i sapofuturi Tanushi arrin të gjejë golin. Eduard Tanushi lëshon një predhë të fortë, duke e mposhtur më së fundi portierin Hoxha. Lika bën menjëherë zëvendësimin e dytë, në vend të Mustës aktivizon Muratin, në përpjekje për të kundërvepruar pas disavantazhit. Ka vend edhe për Malon në dhjetë minutat e fundit te të kuqtë. Partizani i luan të gjitha kartat, por Laçi e mbron me fanatizëm fitoren. Vërshëllima e fundit e kryesorit Sadiku bën që laçianët, lojtarë-tifozë, të shpërthejnë në festë të ligjshme.

MË I MIRI
Duke parë rëndësinë e golit të shënuar, Tanushi mund të konsiderohet lojtari i takimit. Mjaft aktiv në fushën e blertë ka qenë edhe sulmuesi serb, Mlladen Brkiç, si dhe mesfushorët Vucaj e Zefi. Nga të kuqtë një paraqitje të mirë bëri mesfushori Mazrekaj, që dallohej nga të tjerët.

MË PAK AKTIVI
Mungesa e Behar Maliqit në mesfushë duket se u ka prishur punë të kuqve, pasi zëvendësuesi i tij, Oladele, nuk mundi ta përballojë siç duhet ndeshjen me kurbinasit. Nigeriani humbi shumë duele në mesin e fushës. Të mërkurën Maliqi e dërgon përsëri në stol Oladelen.

Nica-300x199Nica i kënaqet fitores: Dominuam dhe u shpërblyem
Trajneri Stavri Nica ndihet i kënaqur me fitoren që arritën ndaj të kuqve, që i vlerëson si ekip. Njëkohësisht, Nica nuk pajtohet me gjykimet që po dëmtojnë futbollin, si dhe gjestet anti-sportive. “Dëshira ishte që ta fitonim këtë takim, gjë të cilën e arritëm. Lojtarët nuk ishin të qetë gjatë lojës, sepse po e kërkonin me ngut golin dhe duke qenë të nxituar, gabonin në finalizimin e aksioneve sulmuese. Dua të falënderoj edhe Partizanin që interpretoi një lojë të mirë në aspektin taktik, të organizuar mjaft mirë prapa dhe kundërsulmi ishte arma e tyre për këtë sfidë. Por, Laçi ishte më dominues në lojë, gjë që u kurorëzua me fitore. Përqendrimi ishte maksimal për këtë takim, plus që luanim në shtëpi, kështu që ka faktorë që ndikuan në fitoren. Partizanin e konsideroj ekip të fortë në këtë kampionat. Sulmuesit, Brkiç dhe Tanushi, vërtet janë me moshë më të madhe se të tjerët, por ai që është sulmues i vërtetë e tregon vetën kurdoherë. Ata e shpalosën në rastin e golit ku e interpretuan shumë mirë rolin dhe zhbllokuan rezultatin. Mundohem maksimalisht që lojtarët të jenë të ekuilibruar dhe të mos merren me gjërat që nuk kanë lidhje me topin, gjë të cilën ua kërkoj shpesh. Gjithmonë i porosis lojtarët që të mos debatojnë me gjyqtarin. Kam thënë edhe më parë se gjyqtarët duhet të jenë më vendimmarrës dhe nuk duhet t’i tremben situatës. Kam vënë re se gjyqtarët ndërhyjnë shumë duke e ngadalësuar lojën, si dhe nuk japin vendimet e duhura. Nuk e di për çfarë i kanë kartonët e verdhë dhe të kuq. Kjo është arsye që futbollin tonë po e bën më të avashtë dhe agresiv”,- u shpreh Stavri Nica pas ndeshjes.

Tanushi ua dedikon golin tifozëve dhe gruas së tij
Një gol me shumë vlera ai i shënuar nga sulmuesi i rikthyer te bardhezinjtë, laçiani Eduart Tanushi. Pas golit të shënuar që i solli fitoren e parë Laçit, sulmuesi është shprehur tepër i gëzuar duke ia dedikuar golin tifozërisë laçiane e në veçanti bashkëshortes së tij, Almës, që festonte ditëlindjen. “Ishte një ndeshje mjaft e vështirë, ku hasëm në një ekip mjaft të organizuar në fazën mbrojtëse. Normalisht kjo e nervozoi disi ekipin tonë duke mos dalë në lojën që ne dimë të bëjmë. Fitorja e parë për ne është një fitore që na çliron dhe na bën të besojmë se e ardhmja do të jetë edhe më e mirë. Grupi po fiton ritëm dhe në ndeshjet në vazhdim do ta rrisim edhe më shumë nivelin e lojës, pasi realisht e kemi potencialin për të bërë diçka të tillë. Kjo fitore shkon për të gjithë tifozët tanë që na mbështetën gjatë gjithë takimit, si dhe për bashkëshorten time Almën që sot (dje) feston 26-vjetorin e lindjes”, -përfundon Tanushi.

Proteston ndaj arbitrit, Emiliano Veliaj kërkon falje
Në minutën e 29-të ka pasur një moment nervozizmi në fushë, teksa arbitri kryesor ka ndëshkuar me karton të verdhë Veliajn pas protestave të këtij të fundit ndaj kryesorit për mosdhënien e një 11-metërshi në favor të vendësve. Pati edhe kontakt fizik me gjyqtarin dhe ndërkohë një futbollist i kuq bie në fushë pasi u krijua një konfuzion mes palëve. Gjyqtari nuk merr asnjë masë ekstreme, por e kalon me qetësi situatën. Pas ndeshjes, mesfushori beratas kërkon falje për kartonin e marrë. “Nuk është në natyrën time të veproj në atë mënyrë, por mendoj se arbitri e teproi disi, pasi vetëm një minutë më parë na mohoi një 11-metërsh. Gjithsesi, protestimi im është një veprim i dënueshëm, që nuk duhet ta kisha bërë ndaj dhe u kërkoj falje të gjithëve për veprimin. Nuk besoj se do të përsëritet më në të ardhmen”,-përfundon Veliaj.

Ultrasit në kor kundër Tiranës
Takimin e kanë ndjekur rreth 2000 tifozë, ku afro 300 prej tyre kishin udhëtuar nga kryeqyteti në mbështetje të Partizanit. Atmosfera në stadium ka qenë mjaft e zjarrtë, ku të dy grupimet, “Ultras Divas 540” dhe “Ultras Guerrils”, kanë mbështetur me këngë e kore ekipet respektive. Nuk kanë munguar materialet piroteknike, si dhe bashkëpunimi midis dy grupeve, të cilët shpesh shpërthenin në kore ofenduese për Tiranën. Mund të thuhet se midis tifozërive gjithçka ka shkuar në mënyrë perfekte dhe nuk ka pasur asnjë incident. Madje, ata janë takuar me njëri – tjetrin para nisjes së ndeshjes, si dhe janë përshëndetur në fund.
VLADIMIR PRENGA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"