Shaban Tërstena, i pari shqiptar kampion olimpik dhe ndjenja e lartë e kombësisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 10, 2021 | 19:13

Shaban Tërstena, i pari shqiptar kampion olimpik dhe ndjenja e lartë e kombësisë

Nga BESNIK DIZDARI

besnik dizdari

1 janar 1965. Në lagjen e Jahja Pashës në Shkup, në një familje të thjeshtë të shqiptarëve shkupjanë, lind Shaban Tërstena, bir i prindërve Hazir dhe Sadije Tërstena.

Viti 1977. Ndërsa Shaban Tërstena është 12 vjeç, i vëllai i tij Muharrem Tërstena, kampion i Jugosllavisë në mundje, vendos të përfshijë në këtë sport edhe vëllanë e tij Shabanin.

Viti 1978. Mundësi 13- vjeçar i klubit Liria të Shkupit, Shaban Tërstena fiton titullin e kampionit për kadetë në Shkup. Trajnerët Nase Nasev dhe Hajrush Sinani marrin përsipër formimin sportiv të tij.

Viti 1981. Shaban Tërstena është kampion i Jugosllavisë për të rriturit në peshën 48 kilogram të mundjes së lirë. Këtë titull e fiton edhe 9 herë të tjera.

1981. Shaban Tërstena fiton medaljen e bronztë në kampionatin Botëror të kadetëve. 1981. Shaban Tërstena, 16 vjeç përcaktohet si sportisti më i mirë i Maqedonisë për të rriturit.

Viti 1982. Shaban Tërstena, 17 vjeçar, fiton medaljen e bronztë në mundje të lirë në Kampionatin Europian për të rriturit në Varna të Bullgarisë (pesha 48 kg). Do të stërvitet gjithnjë prej trajnerit të Kombëtares së Jugosllavisë, Nase Nasev.

1982. Shaban Tërstena, 17 vjeçar, fiton medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror për të rriturit (48 kg) në Edmonton të Kanadasë.

Viti 1983. Shaban Tërstena është kampion i Lojërave të Mesdheut (pesha 57 kg) në Kazablanka të Marokut. Titull që do ta fitojë edhe dy herë të tjera.

1984. Shaban Tërstena është kampion i Europës gjithnjë në mundjen e lirë, tash në Suedi (pesha 52 kg), madje shpallet mundësi më i mirë i kampionatit.

LOS ANGELES 1984. Është 10 Gusht 1984. Shaban Tërstena 19-vjeçar fiton titullin e kampionit olimpik për Jugosllavinë në Olimpiadën në Los Angeles të SHBA-së në mundjen e lirë të peshës 52 kilogram. Sot e kësaj dite ai është kampioni olimpik më i ri i mundjes në 120 vjet olimpiada (1898-2020).

1984. FILA (Federata Ndërkombëtare e Mundjes) e shpall 19-vjeçarin Shaban Tërstena si mundësin më të mirë në botë.

1984. Shaban Tërstena përcaktohet si njeri nga personalitet e vitit për Jugosllavinë. Ishin politikania Millka Pllaninc, shefi i Armatës Jugosllave Branko Mamulla, këngëtarja Lepa Brena dhe sportistët Bojan Krizhaj, Jovan Mariq dhe Shaban Tërstena.

TERSTENA

Viti 1988. Në Olimpiadën e Seulit, Shaban Tërstena fiton medaljen e argjendtë të nënkampionit olimpik dhe FILA e shpall përsëri si mundësin më të mirë në botë. Në këtë vit ai do të martohet me bashkëshorten e tij të nderuar Sahidenë, duke gëzuar gjithnjë përmes sakrificave të pafund që kërkon sporti, familjen e tij dhe fëmijët që do t’i lindin, sot të rritur, vajzën Njomza dhe djalin Ilir.

1990. Shaban Tërstena shpallet për herë të dytë kampion i Europës (pesha 52 kg) në Poznan të Polonisë. Shpallet mundësi më i mirë në Europë, duke mos i lejuar asnjë kundërshtari të fitojë as edhe 1 pikë të vetme ndaj tij.

1991. Me shumë vonesë, për herë të parë bëhet i njohur në Shqipëri Shaban Tërstena. Do të botoja shkrimin e autorit, figurës së shquar të mundjes shqiptare, Bashkim Lika, me titullin “Shaban Tërstena – i vetmi shqiptar kampion olimpik”. Gazeta “Sporti” (“Sporti Popullor”) 29 korrik 1991.

Viti 1992. Shaban Tërstena i drejtohet Komitetit Olimpik Kombëtar të Shqipërisë për të përfaqësuar Shqipërinë në Olimpiadën “Barcelona 1992”, çka për vështirësitë organizative nuk realizohet.

1993. Shaban Tërstena merr edhe nënshtetësinë gjermane dhe përfaqëson Gjermaninë dhe klubin e saj të Vitten-it duke qenë vazhdimisht ndër të parët e disa turneve.

1996. Shaban Tërstena merr pjesë për herë të tretë në olimpiada, kësaj radhe në Atlanta dhe renditet i pesti, tash për Maqedoninë.

TERSTENA 1 (1)

1997. Në Krasnojarsk të Rusisë ai shpallet një ndër mundësit më të mirë të botës për shekullin XX.

2000. Në Prishtinë shpallet sportisti më i mirë mbarëshqiptar për Shekullin XX. Po kështu shpallet edhe për Maqedoninë.

2012. Në botimin e 10 dhetorit 2012, “Shqipëria Sportive 1912-2012. Themelimet. Shkrimi i 100 vjetëve” në të përzgjedhurit historikë të kombësisë shqiptare të 100 vjetëve pavarësi, përfshiva e portretizova edhe Shaban Tërstenën.

2014. Një pallat sporti në Maqedoni merr emrin “Shaban Tërstena”.

2016. Botohet libri monografik “Shaban Tërstena. Rruga e Kampionit Olimpik” që për cilësinë, elegancën, të shkruarit, faktologjinë historike është një libër-monument me siguri i vetmi në botë i kësaj cilësie për një sportist të mundjes. Autorët e librit, i botuar nga “Focus Print” e Shkupit, janë prof. dr. Sefer Tahiri, Reshat Ibrahimi, Florim Rexhepi.

* * *

… E plot e plot data të tjera të kësaj historie, thuajse magjike për sportet individuale, pra, për arritjet e një njeriu të vetëm me emrin Shaban Tërstena që nuk u përmendën më tej. Ky është Shaban Tërstena, njeriu i parë i kombësisë shqiptare i cili ka arritur të jetë kampion olimpik. Kampioni i parë olimpik i kombit shqiptar, ndonëse nën flamurin e Jugosllavisë. Ai më ka bërë një nder të madh të profesionit. Ka ardhur në Tiranë dhe një mbrëmje të pashlyeshme, nën freskinë e malit të Dajtit më ka kërkuar që, përveç të tjerëve, edhe unë të shkruaja për librin e tij përshtypje rreth figurës së tij. Dhe tash në këto dit olimpike 2021 që sapo kaluan, iu riktheva historisë së tij. Kështu, kryeulë, më duhet të rikujtoj se kur Shaban Tërstena u shpall kampion olimpik më 1984, në Shqipëri as që iu përmend emri. Jo vetëm ngaqë në atë izolim të papamë ndër ne, për publikun shqiptar ai nuk ishte aspak i njohur, por edhe për faktin sepse Shqipëria e kishte bojkotuar pjesëmarrjen e saj në Lojërat Olimpike të Los Angeles. Kisha rreth dy vjet që isha emëruar kryeredaktor i gazetës së vetme sportive të Shqipërisë “Sporti popullor”, por natyrisht nuk guxoja t’u bëja jehonë sukseseve të sportit jugosllav. Pasqyruam paksa Olimpiadën, por absolutisht asnjë emër i medalistëve të Jugosllavisë nuk u përmend, ndonëse tre sportistë të kombësisë shqiptare kishin shpërthyer:

TERSTENA 2

SHABAN TËRSTENA – Kampion olimpik në mundje të lirë, 52 kg.

AZIS SALIHU – medalje bronzi në boks, 81 kg.

SHABAN SEJDIU – medalje bronzi po në mundje të lirë, 78 kg, për të cilin, kjo e Los Angeles ishte e dyta e tij pas bronzit të Olimpiadës së “Moskës 1980”. Pa harruar se ky Shaban Sejdi është kampion i Europës dhe nënkampion i botës.

Tërstena – Salihu – Sejdiu është treshja mitike olimpiko-euro-botërore e sportit të kombësisë shqiptare! Dhe nëse Shaban Tërstena është medalisti i parë i artë, pra kampioni i parë olimpik, Shaban Sejdiu është medalisti i parë olimpik (në këtë rast bronz) i kombësisë shqiptare.

Edhe pse nën flamurin e Jugosllavisë. Por, janë tre shqiptarët e parë, në gjithë historinë, të cilët kanë fituar medaljet e para olimpike. Njeri më i madh se tjetri. Duke qëndruar te kujtimet e gazetarit, ajo çka sot unë e quaj të pafalshme ka të bëjë me Lojërat Mesdhetare më 1987 në Latakia të Sirisë ku isha gazetari i dërguar i Shqipërisë.

Dhomat tona ishin pranë atyre të boksierëve të Jugosllavisë dhe ne gati çdo mbrëmje rrinim me boksierët shqiptarë nga Kosova: Majancin, Latifin, Makollin, Salihun… Po pse nuk e kërkova sportistin legjendar olimpik, shqiptarin Shaban Tërstena, i cili në Latakia do të shpallej kampion i Mesdheut për herë të dytë radhazi në mundjen e lirë të peshës 57 kilogram? Edhe sot nuk i jap përgjigje kësaj pyetjeje.

Ndonëse si gazetar i vetëm i Shqipërisë, më duhej të ndiqja sportistët e vendit tim. Po a nuk ishin “të mitë” edhe shqiptarët e Kosovës e të Maqedonisë?… Dhe kështu, duhej të vinte viti 29 korriku 1991, që në faqen e parë të gazetës “Sporti”/”Sporti popullor” të botonim shkrimin e parë për Shaban Tërstenën, me autor të sipërpërmendurin e nderuar, Bashkim Lika me një foto të bukur të tij në krye të faqes së parë. Ishte vonë, shumë vonë! Sidoqoftë, kishte ardhur dita që të shkruanim pa censurë tashmâ si këto radhë që prej meje do të ishin ndër të parat asisoj:

“… Kur vjen viti olimpik 1984, shqiptari gjithnjë si përfaqësues i Jugosllavisë, rrëmbeu medaljen e artë. Shaban Tërstena është kampioni i parë olimpik i kombësisë shqiptare në stilin e 52 kg të mundjes së lirë. Katër vjet më vonë dhe çasti historik 1988 në Seul, ku Shaban Tërstena, kampioni olimpik i Los Angeles, përsëri futet në finale, por edhe pse i lënduar në këmbën e majtë arrin medaljen e argjendtë po në 52 kg. Ky sportist ishte shqiptar autentik, edhe pse garonte nën flamurin e Jugosllavisë për arsyet historike që dihen. Tërstena kudo që shkoi tregoi shqiptarësinë e tij, madje me krenari të hapët e tejet burrërore”.

E mua që më dukej se me këto pak radhë po i laja të gjitha borxhet edhe ndaj kolosit me emrin Shaban Tërstena. Një kolos i sportit olimpik, europian dhe botëror. Ndonëse Tërstena ka garuar në një peshë “të vogël”, siç është ajo e 52 kilogramëve, ai është një kolos. Të rrallë mund të jenë në botë sportistët, trofetë e të cilëve janë kaq të larmishëm, kaq hapësinorë, kaq të ndryshëm e të pasur: kampion olimpik, nënkampion olimpik, dy herë kampion i Europës, tri herë kampion i Mesdheut. Nuk po shkoj mandej te Ballkani e te trofetë e tjerë – simbolikë të vitit: mundësi i Botës, i Europës, i Ballkanit, i Jugosllavisë, i Maqedonisë, i Shqiptarësisë…

E megjithatë, Shaban Tërstena, në krejt madhështinë e tij, ishte dhe mbeti shqiptar. Madje i pari ndër shqiptarët, sepse ishte kampioni i parë olimpik i kombësisë shqiptare.

Dhe … Los Angeles 1984! Një djalosh fenomen 19- vjeçar me emrin Shaban Tërstena, i cili ngrihej mbi një tufë shtetasish të tjerë të famshëm, olimpikë dhe botërorë të mundjes: Kim i Koresë, Takahashi i Kanadasë, Seyhanli i Turqisë, Singh i Indisë, Niebler i Gjermanisë. Po mbi të gjithë, nënshtrimi i kampionit legjendë olimpik i 1976-ës, Yuji Takada i Japonisë. Një sfidë titanësh nën këtë pamje renditëse të praruar:

OLIMPIADA E LOS ANGELES, 10 GUSHT 1984 Mundje e lirë. Pesha 52 kg.:

1. Shaban TERSTENA / Yug

2. Jong-kyu KIM / Kor

3. Yuji TAKADA / Jpn

4. Ray TAKAHASHI / Can

5. Aslan SEYHANLI / Tur

6. Mahanir SINGH / Ind

7. Friyz NIEBLER / Ger

8. Liang DEJIN / Chn

Mandej, Tërstena, nënkampion olimpik në Olimpiadën “Seul 1988”. Dhe befasia e madhe kur 12 vjet mbas titullit, i rikthehet prapë Olimpiadës, asaj “Atlanta 1996” dhe është në pesë më të mirët, kësaj radhe nën flamurin e shtetit të ri të Maqedonisë të pavarur. Në Jugosllavi klubi i tij kishte emrin më shqiptar e më kuptimplotë se kurrë: Liria e Shkupit! Por, nuk jemi fanatikë. Shaban Tërstena është universal. Ai u përket majave të historisë elitare në krejt sportin botëror.

* * *

Historia e tij nuk mund të mbarojë kurrsesi me këto fjalë të mia. Vetëm se gjeta shkak, falë këtij viti olimpik të Olimpiadës “Tokios 2020” që të tregoj edhe një herë këtë hero të sportit botëror, e pse jo, edhe të atij shqiptar, ndonëse të jashtëkufijve të Republikës së Shqipërisë. Asaj Shqipërie së cilës në vitin 1992 Shaban Tërstena i shkruante letrën-dokument të tij, që për sot e kësaj dite mbetet përtej çdo atdhetarie. “Ëndërre secilit sportist është që një ditë t’i mbrojë ngjyrat e reprezentacionit të Kombëtares. Dhe në fund, ju pres ndonjë lajm dhe ju dëshiroj nga zemra suksese në Lojërat Olimpike”, siç shkruante ai në letrën e tij. Shqipërisë së sotme i takon të bëjë kthesën e madhe në nderimet e shqiptarësisë edhe për sportin “shqiptar” të jashtë kufijve.

E ka bërë për fushat e tjera të këtij përfaqësimi, ku nderimet kësisoj, për shqiptarët e jashtë Shqipërisë kanë qenë e janë të pandalshme. Për fat e çudi së bashku, ende jo për vlerat mbarëkombëtare të sportit. Mund t’i nisë këto nderime të para me Shaban Tërstenën. Kampionin e parë olimpik të kombësisë shqiptare, i cili të ngjitej deri në Presidencën e Shqipërisë e të marrë medaljen më origjinale që për fat ende i mungon: medaljen e shtetit nanë, që është Shqipëria. E po kështu për të tjerët, emrat e tjerë olimpikë nga Shqipëria apo të kombësisë shqiptare, edhe pse ata përfaqësuan shtete të tjerë. I pata përmbledhë në “panteonin” tim të gazetarisë në 100- vjetorin e Pavarësisë: Shaban Tërstenën, Shaban Sejdiun, Azis Salihun, Pirro Dhimën, Luan Shabanin, Leonidha Gogën, Viktor Mitrun, Luan Krasniqin, Mirela Manjanin, të cilëve sot më duhet t’u shtoj Majlinda Kelmendin, Distria Krasniqin dhe Nora Gjakovën. Këta janë 12 sportistët e kombësisë shqiptare – medalistë të Olimpiadave.

Edhe pse nën përfaqësimin për shtete të tjerë. Pa harruar se P.Dhima (3 medalje ari dhe 1 bronzi), L.Shabani (2 argjendi), L.Goga (1 argjendi), V.Mitru (1 argjendi) dhe M.Manjani (1 argjendi dhe 1 bronzi) janë sportistë të lindur dhe të formuar prej Republikës së Shqipërisë. Asgjë nuk mund të pengojë për t’iu blatuar atyre nderimet tona shqiptare kombëtare. Këtë e thërret ndjenja e lartë e kombësisë.

Bashkimi i kësaj 12- sheje të pashlyeshme olimpike në një ditë të vetme shqiptare të kryeqytetit Tiranë, pa dyshim që do të ishte festa më origjinale olimpike, që për fat Shqipëria ende nuk e ka përjetuar. Nuk e përjetoi as në këto ditë të Olimpiadës “Tokio 2020”. E vetmja e munguar në Europën e vjetër!…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"