Një fitore në 6 ndeshje, Kukësi në… “kazermë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 22, 2022 | 13:46

Një fitore në 6 ndeshje, Kukësi në… “kazermë”

Me barazimin e fundit në Korçë, Kukësi humbi shansin e artë të blindonte vendin e tretë dhe t’i bënte presion Laçit për të dytin.

KUKESI DINAMO

Megjithatë, duke parë atë që ndodhi me rivalët për Europën, sërish verilindorët dolën të fituar, sepse kundërshtarët u mundën.

Por, edhe pse Kukësi doli “i fituar” në renditje gjatë kësaj jave, sërish ky fakt nuk e zhbën situatën e vështirë që po kalon skuadra dhe këtë e vërtetojnë rezultatet në fushë.

Thuhet kështu, pasi në gjashtë ndeshjet e fundit verilindorët kanë koleksionuar vetëm një fitore, atë ndaj Dinamos para dy javësh dhe nga 18 pikë të mundshme kanë marrë vetëm gjashtë.

Për fatin e tyre të mirë, kanë qenë rivalët që kanë bërë po kaq keq që skuadra vijon të mbajë të palëkundura pozitat në Europë, sepse në të kundërt me këtë ecuri edhe ky objektiv do të vihej në një rrezik serioz.

SITUATA – Kampionati është e vetmja mënyrë që Kukësi të marrë pjesë sezonin e ardhshëm në Kupat e Europës, pas eliminimit të hershëm nga Kupa e Shqipërisë.

Dhe, një tjetër dështim edhe për këtë sezon, pasi vitin e kaluar nuk morën dot pjesë, do të rëndonte së tepërmi financat e klubit dhe nuk do të nxirrnin të paktën as shpenzimet e sezonit.

Për këtë arsye, në vetëm pak ditë presidenti i nderit, Safet Gjici, ka zbritur vetë në fushë në dy ndeshjet e fundit për të takuar skuadrën dhe dhënë kurajë, por njëkohësisht duke i kujtuar se Europa duhet të arrihet patjetër.

Fitorja ndaj Dinamos dhe barazimi me Skënderbeun, në njëfarë mënyre, i kanë qetësuar disi, por ende nuk kanë asgjë të sigurt sa i përket realizimit të objektivit.

Aktualisht, Kukësi është katër pikë larg Vllaznisë dhe synimi është që deri në mbyllje të kampionatit të mos lëshojë vendin e tretë.

HESHTJE SHTYPI – Kukësi pak e nga pak po kthehet në skuadrën më “të izoluar” mediatikisht në “Abissnet Superiore”, sepse prej disa javësh trajneri refuzon të dalë para gazetarëve, ndërsa e njëjta situatë vijon edhe me vetë lojtarët.

Mungesa e rezultateve ka trazuar disi ambientin në Kukës dhe klubi preferon që më mirë të qëndrojnë në heshtje, për më tepër që edhe kampionati do të stopohet disa ditë për shkak të ndeshjeve të Kombëtares.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"