Nica: Kukësi ka nevojë për pikë, besoj tek ekipi që stërvis

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 14, 2024 | 9:51

Nica: Kukësi ka nevojë për pikë, besoj tek ekipi që stërvis

Nga Vllaznia tek… Vllaznia. Kukësi ka pikërisht një fazë të plotë që nuk merr tri pikët, teksa për herë të fundit kanë mundur shkodranët.

nica

Blutë rigjejnë sërish këtë kundërshtar me shpresën se do të marrin maksimumin, edhe pse e kanë të qartë që nuk do të jetë një shëtitje. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, trajneri i Kukësit, Stavri Nica, shpreson ta nisin ashtu si duhet këtë vit, edhe për vetë faktin se tani hyjnë në fazën më të nxehtë të kampionatit ku nevoja për pikë është e madhe.

“Hyjmë në një fazë të kampionatit ku të gjitha skuadrat kanë nevojë për pikë dhe sa vjen e bëhet më e vështirë. Ne, realisht kemi nevojë për pikë dhe do mundohemi të bëjmë më të mirën në Shkodër. E kemi të qartë se përballë kemi një kundërshtar me vlera, por do të hyjmë në fushë për të dhënë maksimumin tonë. Më kënaq fakti dhe më jep besim kur shoh djemtë çdo ditë në stërvitje që japin maksimumin e tyre dhe duan të tregojnë vlerat. Të shpresojmë që ato gjëra të mira që bëjmë në stërvitje t’i tregojmë edhe në këtë ndeshje”, u shpreh fillimisht trajneri Nica për gazetën.

MERKATO – Trajneri ndalet edhe tek merkato që kanë bërë blutë deri më tani.

“Jam i ndërgjegjshëm që në janar nuk mund të presim gjëra të mëdha në merkato. Kemi afruar djem të rinj që kanë dëshirë të luajnë futboll dhe na mbetet t’i shohim në vijim. Të dhënat e para janë të mira dhe besoj se do kenë mundësinë e tyre për të ndihmuar skuadrën. Merkato është e hapur deri në fund të muajit dhe normalisht presim ndonjë afrim tjetër. Megjithatë, vjen apo jo ndonjë lojtar tjetër, ne do mundohemi që të realizojmë objektivat tona”, vijoi Nica.

Në fund, ai ndalet edhe tek huazimi i sulmuesit La Torre tek Flamurtari, në një kohë që ishte shënuesi më i mirë i Kukësit.

“Ishte një largim me marrëveshje, me lojtarin që kishte nevojë për të ndryshuar paksa ambient”, sqaroi Nica.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"