Nga Vllaznia te Vllaznia/ Një fazë pa fitore, Kukësi duhet të riniset nga Shkodra

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 11, 2024 | 15:59

Nga Vllaznia te Vllaznia/ Një fazë pa fitore, Kukësi duhet të riniset nga Shkodra

Kukësi është duke i dhënë dorën e fundit përgatitjeve për të përballuar me sukses Vllazninë, ku të gatshëm do të jenë edhe dy afrimet e reja, Kleandro Lleshi dhe Geri Selita. Nga ana tjetër, nuk raportohet për lojtarë të ndëshkuar apo dënuar, duke bërë që gjendja të jetë optimale në këtë start të vitit 2024.

KUKESI VLLAZNIA

Trajneri Stavri Nica do të hedhë në fushë kontigjentin më të mirë që ka aktualisht në dispozicion. Edhe pse shifrat e ecurisë dhe ndeshjet në Shkodër nuk i kanë në favorin e tyre përpara kësaj ndeshjeje, atmosfera te kuksianët është optimiste se do të marrin pikë të dielën në “Loro Boriçi”.

FITORJA E FUNDIT

Kukësi shpreson t’a nisë me këmbën e mbarë vitin, duke pretenduar që të paktën të mos dalë pa pikë nga transferta shkodrane. Edhe pse përballë kanë një nga skuadrat që këtë sezon kanë pretendime madhore, në kampin blu kanë besim se do të koleksionojnë një rezultat pozitiv. Në fakt, të besuarit e Stavri Nicës vijnë në këtë ndeshje pas një serie të gjatë pa fitore, duke i rënduar disi psikologjiksht para këtij dueli. Dhe, si për ironi, për herë të fundit që kanë dalë me tri pikë këtë sezon ka ndodhur pikërisht ndaj Vllaznisë, duke e mundur minimalisht 1-0 në “Kukës Arena”.

Që nga ajo ndeshje, verilindorët koleksionuan plot gjashtë fitore dhe dy humbje, praktikisht një fazë të plotë pa shijuar tri pikët. Për këtë arsye, në Shkodër do të tentohet që të thyhet edhe kjo situatë e vështirë me fitoret, që kanë bërë sërish Kukësin t’a shohë veten në pozicionin e parafundit, çka nënkupton rënien nga kategoria. Nga ana tjetër, rikthimi i sulmuesit Atdhe Rashiti në formën më të mirë, është edhe një armë plus për këtë ndeshje. Nga ana tjetër, e paqartë mbetet situata me peruanin La Torre, i cili pritet të largohet nga Kukësi drejt Flamurtarit. Edhe pse ka shënuar 4 gola, sulmuesi nuk ka qenë një titullar fiks.

SHKODRA SI TABU

Për fat të keq të Kukësit, Shkodra ka qenë një tabu vitet e fundit për këtë skuadër. Thuhet kështu, sepse në katër duelet e fundit në “Loro Boriçi” kanë dalë pa pikë, ndërsa fitorja e fundit e bluve në transfertë daton në 2020-ën, kur triumfonin në shifrat 4-2. Me pak fjalë, nga njëra anë vijnë në këtë ndeshje pas tetë javësh pa fitore dhe nga ana tjetër transferta e Shkodrës ka qenë një tabu vitet e fundit.

Gjithsesi, tabutë janë bërë për t’u thyer dhe në Kukës mendojnë se ka ardhur koha që të fitojnë edhe në Shkodër pas më shumë se tri vitesh. Trajneri Nica kërkon një skuadër agresive, e cila do t’i përgjigjej kundërshtarit në mënyrën më të mirë, duke pasur një mbrojtje të kujdesshme dhe bazuar lojën te kundërsulmet e shpejta.

VLADIMIR MEMA -PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"