Nga sulmi në mbrojtje dhe kapiten, historia e veçantë e 21-vjeçarit Trumçi: Bylisi nuk zhgënjen në Laç

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2022 | 22:25

Nga sulmi në mbrojtje dhe kapiten, historia e veçantë e 21-vjeçarit Trumçi: Bylisi nuk zhgënjen në Laç

Bylisi mbetet trampolinë për shumë lojtarë vendës me perspektivë, por edhe të huaj, kryesisht afrikanë. Shembulli konkret është 21-vjeçari shkodran, Aleksandër Trumçi, i cili luan sezonin e tij të tretë me Bylisin.

trumci

Ai e nisi si sulmues krahu te ballshiotët, ndërsa përfundoi mbrojtës i djathtë, një rol që e ka bërë në tri ndeshjet e para të këtij sezoni në Superiore. Anësori shkodran ka marrë tashmë edhe shiritin e kapitenit te ballshiotët, pasi klubi beson se mund të jetë një lider i vërtetë. Në një prononcim për “Panorama Sport”, teksa analizon startin e sezonit, Trumçi flet për synimet dhe aspektin personal.

“Për hir të së vërtetës e kemi nisur mbarë garën. Morëm katër pikë në dy ndeshjet e para, normalisht duke vlerësuar çdo ekip. Më pas humbëm me Partizanin, ku i patëm rastet dhe mund të shënonim, por eksperienca bën punën e vet ndonjëherë. Po të shohësh Bylisin e këtij sezoni në Superiore, jemi ekipi më i ri në moshë. Gjithsesi, ishte vetëm një humbje që ne e analizuam dhe nxorëm mësime. Kjo do të na shërbejnë për të ardhmen”, deklaroi fillimisht titullari i ballshiotëve.

SHIRITI – Më tej, shkodrani flet dhe për shiritin e kapitenit, teksa ka marrë përgjegjësi. “Ne jemi si një familje, pasi me lojtarët qëndrojmë në pjesën më të madhe të kohës bashkë. Grumbullohemi si asnjë ekip tjetër në vend dhe për më tepër, kemi shumë vite bashkë.

Shiriti është vlerësim që më ka bërë klubi, stafi dhe shokët. Natyrisht është edhe shumë përgjegjësi. Unë mobilizohem dyfish dhe këtu është shumë e lehtë, sepse ne kemi harmoni në skuadër. Bylisi mund të ketë të huaj nga shumë shtete, por të gjithë e ndiejnë veten si në një familje”.

LAÇI – Në fund, Trumçi flet për rolin që ka ndryshuar dhe ndeshjen e së dielës në Laç. “Jam mësuar, edhe pse Superiorja ka marsh tjetër, por unë e kam të lindur shpejtësinë dhe nuk ndiej lodhje, kështu që dua të perfeksionohem sa më shumë edhe si mbrojtës i djathtë. Sa i përket ndeshjes me Laçin, natyrisht është transfertë e vështirë. Do të përballemi denjësisht dhe ashtu siç na ka thënë edhe trajneri, do të shohim në sy çdo kundërshtar, kushdo qoftë ai”, përfundoi kapiteni.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"