Myrto Uzuni, Tomori gjen golashënuesin e ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2013 | 11:26

Myrto Uzuni, Tomori gjen golashënuesin e ri

Tomori-Ada 1-0Në Berat po lind një goleador. Pas gjashtë viteve eksperiencë në Greqi, 18-vjeçari Myrto Uzuni është rikthyer në Berat. Prej vitit 2012 ai është aktivizuar me ekipet e moshave. Në vitin 2012 shpallet golashënues i Kategorisë së Parë të ekipit U-17 me 14 gola. Ndërkohë, në sezonin që sapo ka nisur, ka shënuar 4 gola në katër takime. Gjatë muajit shtator, ekipi i Tomorit U-19 udhëtoi drejt Spanjës. Në turneun ekipor, që u zhvillua midis ekipeve të ardhura nga disa shtete të ndryshme, Tomori arriti ta fitonte. Në këtë aktivitet, 18-vjeçari shënoi shtatë gola, duke u shpallur edhe si shënuesi më i mirë i këtij turneu. Pak ditë më parë, ai u thërrit në ekipin e parë nga tekniku Madrid Muxhaj. Aktivizimi i tij me ekipin e Tomorit do të vinte për Kupën e Shqipërisë kundër Pogradecit. Në takimin e kthimit Uzuni do shënonte dopietë ndaj liqenorëve, duke siguruar kështu kualifikimin e ekipit për në raundin tjetër. Fill pas kësaj ndeshjeje ai do të shënonte një tripletë me ekipin e Tomorit U-19, duke i dhënë fitoren skuadrës ndaj Vlorës. Kujtojmë që ekipi beratas ka në përbërje shumë lojtarë të ardhur nga ekipet zinxhirë. Edhe vetë drejtuesit beratas u kanë dhënë prioritet elementëve të rinj.
Bojken Dalipaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"