“Mundëm ekipin e momentit”, Xhuljo Mehmeti motivon Kastriotin: Nuk dorëzohemi për mbijetesën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 19, 2023 | 15:59

“Mundëm ekipin e momentit”, Xhuljo Mehmeti motivon Kastriotin: Nuk dorëzohemi për mbijetesën

Kastrioti befasoi Egnatian të mërkurën në “Elbasan Arena”, duke fituar falë një goli të sulmuesit Bedri Greca afër fundit të lojës. Triumfi i krutanëve e ka bërë “zjarr” luftën për mbijetesë dhe matematika e mban në lojë skuadrën e Emiljano Çelës për të pretenduar zonën “play out”, që aktualisht pozicionohet Erzeni me 4 pikë më tepër.

xhulio mehmeti

Në ndeshjen me rrogozhinasit një nga më të mirët në fushë ishte mesfushori Xhuljo Mehmeti, i cili luan sezonin e tretë me fanellën e Kastriotit. Në një prononcim pas ndeshjes, 29- vjeçari deklaroi se ekipi do të tentojë deri në fund për të arritur mbijetesën. “Egnatia është ekipi i momentit dhe e dinim që do ta kishim shumë të vështirë, por e nisëm mirë ndeshjen dhe luajtëm si të barabartë, duke e merituar fitoren në fund. Ishim dy ekipe me objektiva të ndryshme në fushë, por gjatë gjithë kampionatit ne kemi treguar se nuk dorëzohemi.

Ndaj çdo skuadre që kemi luajtur, nuk na ka dominuar njeri. Pas kësaj fitoreje, ne besojmë ende te mbijetesa. Rezultatet e kësaj jave tregojnë se ne duhet të shpresojmë deri në fund. Nuk duhet të heqim dorë, duke tentuar mbijetesën derisa matematika të na lejojë. Gjatë kësaj periudhe jemi stërvitur me të njëjtin rritëm dhe i kemi të gjitha mundësitë për të provuar shanset deri në fund”, ka thënë titullari i skuadrës krutane. Sfida e radhës e Kastriotit është të dielën në Durrës kundër Teutës. Sipas të gjitha gjasave, ky duel mund të përcaktojë edhe fatet e krutanëve, kur mbeten edhe dy javë më pas.

SHKËLQIM HASANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"