Mitraj: Isha gati të shkoja te Laçi, por Sopoti më bllokoi

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Janar 25, 2017 | 10:47

Mitraj: Isha gati të shkoja te Laçi, por Sopoti më bllokoi

Sulmuesi i Sopotit, Aldo Mitraj, ka qenë shumë pranë kalimit te skuadra e Laçit, por shkak për moszyrtarizimin e tij në kampin kurbinas ka qenë kontrata që ai kishte me Sopotin. Klubi librazhdas duke parë numrin e madh të lojtarëve që kanë dashur të largohen nga skuadra, nuk i ka dhënë Mitrajt lejekalimin. Vetë futbollisti, duke parë zërat që kanë dalë kohët e fundit, në një prononcim për “Panorama Sport” ka sqaruar pozicionin e tij.

aldo mitraj sopoti

“Pas kontakteve dhe gjetjes së gjuhës së përbashkët me ekipin e Laçit, mendova të transferohem në këtë klub, por gjërat nuk shkuan ashtu si kisha menduar. Klubet nuk arritën të gjejnë akordin dhe duke qenë se jam nën kontratë me Sopotin, nuk kisha çfarë të bëja. Dëshira ime, por edhe e çdo futbollisti tjetër është normalisht Superiore, por përderisa nuk po arrihet marrëveshja nuk më ngelet gjë tjetër veçse të kthehem tek ekipi im”, ka thënë Mitraj.

Merkato

Drejtuesit e klubit kurbinas kanë kryer afrime cilësore për të arritur objektivin sezonal që është qëndrimi në Superiore. Të hënën ka mbërritur në Shqipëri për llogari të Laçit edhe sulmuesi Emanuele Mensah, ndërsa dje ai ka dalë në stërvitje nën urdhrat e trajnerit Sinella.

Ganezi do të vëzhgohet për disa ditë në stërvitje dhe më pas stafi teknik do të vendosë për aktivizimin e tij në ndeshjen e fundjavës ndaj Korabit. Merkatoja e Laçit nuk konsiderohet e mbyllur me ganezin Mensah, pasi mësohet se presidenti Pashk Laska e ka gati edhe një goditje tjetër. Përforcimi pritet të vijë në sulm dhe lojtari vjen nga jashtë vendit. Kjo goditje pritet të realizohet deri në mbylljen e merkatos së dimrit.

LEDION QOSHKU





www.minuta90.com