“Mësoj nga gabimet”, Rafael Leao: Në Romë tregoj sa vlej

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 18, 2024 | 16:34

“Mësoj nga gabimet”, Rafael Leao: Në Romë tregoj sa vlej

Në 11 ndeshjet e tij kundër Romës, Rafael Leao ka dalë i fituar në gjashtë prej tyre duke barazuar tre dhe duke humbur dy, një nga të cilat atë të javës së kaluar e vlefshme për çerekfinalen e parë të Ligës së Europës. Dy gola dhe katër asiste në total kundër verdhekuqve për numrin 10 kuqezi që është ndëshkuar edhe në tre raste me karton të verdhë. Sigurisht sot do t’i duhet një paraqitje më e mirë se ajo e javës së shkuar, megjithatë portugezi, në konferencë për shtyp, konfirmoi të gjitha qëllimet e tij për t’u kualifikuar në Romë.

leao

Si do ta cilësonit sfidën kundër Romës?

Me siguri një nga ndeshjet më të rëndësishme të këtij sezoni. Unë dhe shokët e mi jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e sfidës. Të isha për mua do të doja të luaja që tani. Personalisht kam besim, gjithmonë me respekt për Romën që ka lojtarë të mëdhenj: por ne po shkojmë atje me të gjitha forcat për ta fituar ndeshjen.

Çfarë mund të bëjë diferencën?

Në këto ndeshje, detajet bëjnë diferencën. Ata ishin më të mirë në ndeshjen e parë dhe ne do ta bëjmë më mirë, më të vetëdijshëm dhe të përqendruar, atë që nuk e bëmë mirë në “San Siro”.

Ju u kritikuar shumë pas sfidës në Milano…

Sipas mendimit tim mund të kishim barazuar edhe ndeshjen e parë. Kjo vetëdije na bën që ta shohim këtë ndeshje të dytë me një sy tjetër e të shkojmë në Romë për të fituar. Personalisht e di që nuk bëra mirë, por e di gjithashtu se cili është potenciali im.

Kaq shumë pengje keni pas ndeshjes së parë?

Shpresoj të ndihmoj ekipin tim. Nëse nuk shënoj, shpresoj të luaj mirë dhe të fitoj. Kjo është gjëja më e rëndësishme për momentin pasi duhet të shohim e të ecim përpara. Pas ndeshjes së parë, të cilën nuk e bëra aq mirë, u zhgënjeva dhe doja të jepja përgjigjen e duhur në Sasuolo.

Sa ndikon marrja e përgjegjësive?

Unë jam i tillë, nëse bëj një gabim gjithmonë përpiqem të rikthehem edhe më i fortë, të mësoj nga gabimet e mia: Bëra mirë, por fatkeqësisht nuk fituam kundër Sasuolos. Falë golit gjeta sërish besimin, gëzimin për të bërë mirë dhe për të ndihmuar shokët e skuadrës. Uroj ta bëj përsëri ndaj Romës.

Sa shanse keni për të përmbysur rezultatin e “San Siro”-s?

E dimë se është e mundur. Rezultati është 1-0, mund ta përmbysim. Duhet të fillojmë fuqishëm, të përpiqemi të shënojmë në minutat e para dhe më pas ta luajmë ndeshjen si një finale.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"