“Makthi” i Partizanit, Hoxhaj: Frymëzohem nga Ronaldo, jam milanist

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Maj 9, 2016 | 10:29

“Makthi” i Partizanit, Hoxhaj: Frymëzohem nga Ronaldo, jam milanist

Studion për ekonomi dhe sigurisht ai mund t’i bëjë llogaritë për mbijetesën e Bylisit më mirë se të tjerët. Madje, ai nuk bën thjesht llogari.

Lojtaret e Bylis, duke festuar shenimin e golit te pare, gjate ndeshjes se futbollit, Partizani-Bylis i Ballshit, 1-2, e vlefshme per Kampionatin Kombetar, e luajtur ne stadiumin Qemal Stafa, ne Tirane./r/n/r/nBylis's players celebrate scoring during the Albanian Super League football match Partizani-Bylis of Ballshi, 1-2, at the Qemal Stafa stadium in Tirana.

Ai kontribuon që llogaritë e tij në letër t’i bëjë edhe realitet në fushën e lojës. Është Ardit Hoxhaj. Ditën e djeshme shënoi dy gola ndaj Partizanit, duke i dhënë një shuplakë të fortë këtij të fundit në luftën për titullin kampion.

Një dopietë e çmendur në “Qemal Stafa”, e cila ndihmon Bylisin të shpresojë te mbijetesa më shumë se kurrë.

Por, Ardit Hoxhaj bëhet personazh sepse nga 7 golat në total, 3 prej tyre ua ka shënuar vetëm të kuqve. Menjëherë pas ndeshjes, me zërin që i dridhet, tregon për “Panorama Sport” emocionet e fitores:

“Është bukur të shënosh dy gola në ‘Qemal Stafa’. Tifozëria aty është e flaktë dhe ambienti të motivon për të luajtur. Ndihmova shokët sepse edhe ata bënë një ndeshje të madhe. Ne morëm një fitore shumë të rëndësishme në luftën për mbijetesë dhe sigurisht që unë jap gjithmonë maksimumin për të fituar. Tani duhet të shohim përpara për ndeshjen e ardhshme”.

Ndeshja e ardhshme është ndaj Flamurtarit dhe ju jeni vlonjat…

Më vjen keq për ekipin ku unë kam nisur karrierën, por tani do të bëj detyrën time dhe do të ndihmoj Bylisin për të arritur mbijetesën.

Do të festonit në rast se shënonit?

Është një nga golat që nuk do më pëlqente ta festoja.

Po te Flamurtari pse nuk patët momente kaq të bukura personale?

Unë isha lojtar shumë i ri në atë kohë dhe në moshën 17-vjeçare Rubio më grumbullonte në ekipin e parë. Nuk kisha shumë minuta për të luajtur. Kur u largua ai, edhe unë u riktheva të luaja sërish me të rinjtë.

E dini që mund të jeni ju personazhi që i hoqi titullin nga duart Partizanit?

Partizani është një ekip i madh në Shqipëri. Mendoj se nuk e ka humbur titullin ende sepse ka edhe 2 ndeshje të tjera për të luajtur.

Po flisni si lojtar i tyre…

(Qesh) Kush mund t’i refuzonte ata. Janë një ekip me shumë histori. Por, edhe Tirana gjithashtu është ekip i madh. Tani për momentin dua të mendoj vetëm për të shpëtuar Bylisin.

Çfarë ndodh kur luani ndaj Partizanit?

Nuk e di. Unë jap gjithmonë maksimumin në fushën e lojës, por “Qemal Stafa” të motivon më shumë dhe është gjithmonë bukur të luash aty.

Kush ju uroi i pari pas golave të shënuar?

Babai im. Më telefonoi menjëherë sapo përfundoi ndeshja. Ai është tifozi im i parë dhe jam i lumtur që e kënaq atë me ndeshjet e mia.

Nga kush frymëzoheni ju?

Nga Kristiano Ronaldo. Për mua, ai është lojtari më i mirë në botë, një profesionist i vërtetë.

D.m.th, jeni edhe tifoz me Realin?

Jo. Jam tifoz me Milanin, edhe pse e di që jemi disi në vështirësi.

Nga kush e kishit premion për fitoren me Partizanin?

Nga kryetari i bashkisë. Askush s’e besonte një fitore në kryeqytet dhe na premtoi premio në rast se do të arrinim 3 pikët. Ne do të kemi premio edhe në qoftë se mbijetojmë në Superiore.

Çfarë bën Hoxhaj në kohën e lirë?

Kam shumë pak kohë të lirë, por studioj edhe për Ekonomi në Vlorë.

Ju po i bëni llogaritë për të shpëtuar Bylisin?

Unë di që 3 pikët e marra ndaj Partizanit na japin shumë besim për të qëndruar në Superiore. Duhet të shpresojmë deri në fund.

Përgatiti: Gentjan Alinani





www.minuta90.com