Lushnja vijon merkaton, firmosin Grizha e Galica

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 27, 2012 | 13:47

Lushnja vijon merkaton, firmosin Grizha e Galica

Lushnja vazhdon të jetë sërish aktive në këtë merkato vere. Dje, me verdhejeshilët kanë firmosur edhe dy lojtarë të tjerë, Robert Grizha dhe Elhan Galica. Mbrojtësi dhe sulmuesi kanë rënë dakord me drejtuesit e skuadrës dhe pas seancës së pasdites, kanë hedhur firmat në kontratë. Galica u bashkua me skuadrën dy ditë më parë dhe pasi është parë në stërvitje nga trajneri Artan Bano, ka rënë dakord me ofertën e ofruar nga donatorët që janë afruar te klubi lushnjar. Gjithashtu, drejtuesit e Lushnjës kishin kontaktuar disa ditë më parë me Grizhën dhe vetëm dje kanë arritur zyrtarisht akordin. Të dy futbollistët kanë zhvilluar normalisht stërvitjen dhe më pas janë ulur me donatorët për të hedhur firmat e tyre. Kontratat e lojtarëve janë 1-vjeçare. Këto janë dy blerjet më të fundit të lushnjarëve. Numri i futbollistëve që kanë firmosur deri tani me verdhejeshilët shkon në 15. Pesë donatorë janë afruar te skuadra përpara një jave dhe kanë premtuar se do të ndërtojnë një skuadër cilësore që të pretendojë rikthimin pas pesë sezonesh në Superiore. Pankina i është besuar Artan Banos, ndërsa ditë pas dite po kompletohet edhe skuadra me lojtarë. Ekipi ka nisur seancat stërvitore në Lushnjë dhe pas disa ditësh do të zhvendoset në Divjakë, për të zhvilluar fazën përgatitore.
Armand Nezha

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"