Lushnja dhe Partizani, “sherr” për lezhjanët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 19, 2012 | 13:52

Lushnja dhe Partizani, “sherr” për lezhjanët

Grizha volejboll ne plazh, lezhjani qe ka futur ne "sherr" dy klube

Dy lezhjanë, Arben Prela dhe Robert Grizha, “futin në sherr” dy skuadra. Partizani dhe Lushnja pretendojnë se kanë arritur akordin me të dy këta futbollistë për të qenë pjesë e tyre sezonin e ardhshëm. Drejtuesit e të dy ekipeve janë të bindur se lojtarët do të veshin fanellat respektive. Ndërkaq, lojtarët duket se u kanë dhënë OK-in paraprak ekipeve. Grizha ka dalë dje në stërvitje me të kuqtë, por lushnjarët pretendojnë se është i tyri.
Lushnja – Nga burime pranë klubit është mësuar se mes lojtarëve dhe drejtuesve të Lushnjës ka pasur kontakt dhe tashmë ata e kanë arritur akordin me verdhejeshilët. Duket se ekipi pas arritjes së marrëveshjes me Korreshin dhe Cankën, do të ketë në përbërje edhe dy lezhjanët, të cilët njihen shumë mirë nga ana e tifozerisë verdhejeshile pasi kanë qenë pjesë e Lushnjës disa sezone më parë. Ndërkaq donatorët e rinj që pritet të zyrtarizohen brenda kësaj jave, do të marrin frenat e Lushnjës në dorë së bashku me kryebashkiakun Fatos Tushe.
Partizani – Nga ana tjetër, është aksioneri i Partizanit, Paro Laçi, i cili bën të ditur se ka arritur akordin me të dy futbollistët. Grizha ka zhvilluar dje stërvitje me të kuqtë. “Kam kontaktuar me lojtarët dhe janë thuajse të Partizanit për sezonin e ardhshëm. Shumë shpejt do të firmosim edhe kontratat dhe skuadra do të jetë gati”, – shprehet Laçi në prononcimin e tij. Ndërkaq, ai ka kontaktuar dje edhe me portierin Ervin Llani, por ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje.

Donatorët
Prej disa ditësh, donatorë të rinj janë pranë skuadrës së Lushnjës. Ende nuk është bërë zyrtarizimi i tyre, por ata kanë arritur të bindin disa futbollistë deri tani që të afrohen në skuadër. Kryebashkiaku Tushe pritet që t’i zyrtarizojë brenda kësaj jave. Ndërkaq, sapo të vendosen këta në krye të skuadrës, pritet që të largohet Sajmir Malko dhe në vend të tij të vendoset Artan Bano.
ARMAND NEZHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"