Luftëtari: Rikthehet Shenaj, Shameti dëmtohet sërish

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2012 | 14:06

Luftëtari: Rikthehet Shenaj, Shameti dëmtohet sërish

Pas barazimit bluzinjtë e Edi Martinit nuk humbin kohë me përgatitjet për ndeshjen e fundit në shtëpi, atë me Skënderbeun. Në stërvitjen e djeshme pjesë e formacionit gjirokastrit ishin të gjithë futbollistët vendës, mes tyre edhe të dëmtuarit e javëve të fundit Fejzo Shenaj dhe Ylli Shameti. Por më i pafati i seancës ka qenë mbrojtësi Shameti, i cili është dëmtuar sërish duke e mbyllur pikërisht dje 2012-ën. Burime nga stafi mjekësor i klubit konfirmojnë se Shameti do të mungojë minimalisht 2 muaj në fushën e blertë. Sakaq, për “Panorama Sport”, mesfushori Shenaj do të komentonte mundësinë e rikthimit si titullar pikërisht ndaj kryesuesve të Superiores. “Falë regjimit të rreptë stërvitor dhe zbatimit me përpikëri të këshillave të stafit mjekësor ia dola të kaloja dëmtimin e pësuar në ndeshjen me Flamurtarin, por gjithsesi më duhet edhe pak kohë për t’u rikuperuar plotësisht. Besoj se tashmë që kam filluar të stërvitem me grupin do të jem i gatshëm ndaj Skënderbeut në fundjavë. Do të dëshiroja ta nisja lojën si titullar, pasi do të luajmë me ekipin kryesues të kampionatit. Nëse do të arrij kondicionin e duhur fizik, atëherë së bashku me kolegët do të japim maksimumin në fushë. Një arsye më shumë për të vijuar serinë e rezultateve pozitive është gjendja psikologjike që ekziston në skuadër pas fitores me Kastriotin dhe barazimit të fundit me Tomorin. Pavarësisht se kundërshtari ka në përbërje të tij kualitete, arma jonë për ta mundur do të jetë kolektiviteti. Pavarësisht diferencave në klasifikim, me Skënderbeun do të luajmë sikur të ishte një finale. Një rezultat i mundshëm pozitiv do të na shërbente si ogur i mirë për të braktisur ‘zonën e ftohtë'”, – tha Shenaj. Një alternativ më shumë për trajnerin Martini është edhe rikthimi i Liçajt.

Mungesat
Autori i golit ndaj Tomorit, Boçi, nuk do të luajë për shkak të plotësimit të tre kartonëve të verdhë. Me ardhjen e trajnerit Edi Martini duhet veçuar fakti se penalizimet e bluzinjve me kartonë të verdhë janë minimizuar, çka tregon për seriozitetin dhe disiplinën sportive të futbollistëve. Nëse i referohemi ndeshjes me Laçin, edhe pse Luftëtari u mund 3-0, asnjë lojtar nuk u penalizua.
Tomorr Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"