“Luftëtari i surprizoi të gjithë, e meriton pjesëmarrjen në Europë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 24, 2017 | 12:28

“Luftëtari i surprizoi të gjithë, e meriton pjesëmarrjen në Europë”

Luftëtarit i mjafton vetëm një pikë për të bërë realitet ëndrrën e shumëpritur, atë të pjesëmarrjes në Kupat e Europës, duke siguruar vendin e katërt në renditje. Një objektiv që do të shkruante historinë për bluzinjtë e trajnerit Milinkoviç, por kjo varet edhe nga përfundimi i finales së Kupës mes Skënderbeut dhe Tiranës.

luftetari

“Në fillim të sezonit, skuadra gjirokastrite konsiderohej si kalimtare në Superiore. Rezultatet e arritura, përmes punës dhe seriozitetit të stafit teknik, bën që Luftëtarin ta sot shikojmë si skuadrën më të mundshme për t’u pozicionuar në vendin e katërt”. Ky është opinioni i “Mjeshtrit të Sportit”, Theodhori Kalluci, shprehur gjatë prononcimit për “Panorama Sport”.

“Luftëtari, ndryshe nga sa pritej, me rezultatet e arritura, konfirmon edhe njëherë se u ndërtua për të qenë jo kalimtar në Superiore, përkundrazi për të treguar se me punë të përditshme dhe përkushtim nuk ka objektiv që nuk arrihet. Edhe pse i është dashur të përballet me ekipe me potencialitet dhe mbështetje financiare të fuqishme, duke sfiduar dhe faktorë të jashtëm, Luftëtari është sa pranë dhe aq larg ëndrrës europiane. Penalizimet tendencioze, me ose padashje, nuk ia dolën të shkatërronin punën e nisur nga muaji korrik”, u shpreh Kalluci.

Java e fundit rezervon për Luftëtarin sfidën mbyllëse të kampionatit të 78-të, ku Kukësi do të jetë rivali i fundit që do t’i vendosë kapak objektivit të mbetur, kalimi në Europë. Sipas Kallucit, me pak kujdes dhe përqendrim, të shtunën ndaj Kukësit një pikë do të ishte më se e arritshme.

“Kuksianët vijnë në përballje me ne pas entuziazmit të ngritjes së trofeut të parë në historinë e tyre si klub. Kjo nuk do të thotë se ata do të jenë të pamobilizuar, të pamotivuar, përkundrazi si e vetmja skuadër që nuk njeh humbje në 35 javët e luajtura do të kërkojë rezultatin pozitiv. Nga ana tjetër, një pikë për Luftëtarin do të ishte “qershia mbi tortë” për këtë sezon të admirueshëm.

Me mbështetjen e tifozërisë, si dhe mundësisë së krijuar si asnjëherë tjetër, Luftëtari do të dijë t’u tregojë të tjerëve se jo rastësisht lufton për një vend në Europë. Me pak kujdes në veprimet mbrojtëse, si dhe me armën e tij më të preferuar, kundërsulmin, Luftëtari i ka të gjitha premisat për t’u pozicionuar i katërti në klasifikim. Një realitet më shumë se i pritshëm, por njëherazi i papritur për të gjithë skeptikët e futbollit shqiptar”, u shpreh Theodhori Kalluci për “Panorama Sport”.

Në fund, ai komentoi edhe vlerësimet për Dejvi Bregun dhe Kristal Abazajn: “Të dy futbollistët nuk janë zgjedhur rastësisht si më të mirët, por janë cilësitë e tyre dhe aftësitë individuale që meritojnë këto çmime e vlerësime. Çmimet nuk do të mjaftonin nëse këta futbollistë do të mjaftoheshin me kaq. Do t’u duhet punë intensive për të shkuar më lart, pasi ata i kanë cilësitë e mjaftueshme për t’u bërë edhe më të famshëm.”

TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"