“Leo zgjidh ndeshjen, por asnjë goditje ndaj nesh”, Van Gal: Duam të hakmerremi, di unë ta ndaloj Mesin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 7, 2022 | 14:12

“Leo zgjidh ndeshjen, por asnjë goditje ndaj nesh”, Van Gal: Duam të hakmerremi, di unë ta ndaloj Mesin

Një ditë pushim dhe një shëtitje me varkë me skuadrën për të rikuperuar energjinë dhe për të çliruar mendjen ka mjaftuar që Luis van Gal të rikthehet edhe më karizmatik se më parë në deklaratën e radhës për shtyp.

VAN GAL 1

Trajneri i Holandës ka qenë gjithmonë shumë i qartë dhe i drejtpërdrejtë kur ka qenë fjala për të shprehur objektivin e të tijve në këtë Botëror, duke shënjestruar finalen dhe trofeun që në nisje të kompeticionit dhe dje e ka nisur pikërisht aty ku e kishte lënë.

“Kam thënë që ky ekip mund të bëhet kampion bote. Nuk kam thënë që do të bëhemi, por që mund të bëhemi dhe e mendoj akoma kështu.

Tashmë madje në mendimin tim ka ndikuar edhe fakti që kam analizuar edhe kundërshtarët dhe di si t’i menaxhoj gjërat më mirë. Sot bëjmë një hap, nesër tjetrin dhe shikoj që lojtarët janë shumë më ndryshe nga Liga e Kombeve kur për herë të parë luajta me këtë sistem”, e nisi fjalën 71-vjeçari, që sigurisht që vëmendjen më të madhe të tij ia kushtoi përballjes me Argjentinën.

“Si të ndalohet Mesi?” ka qenë pyetja që ka munduar të gjithë trajnerët që kanë përballur bardhekaltrit, por mesa duket Van Gal e ka gjetur zgjidhjen, madje kjo do të jetë hera e dytë për ta realizuar këtë siç ka pohuar vetë ai.

Nga ai kujtim i fundit në 2014-ën ka ardhur edhe kërcënimi i numrit 1 të “Tulipanëve” për amerikanojugorët, që nuk kanë qenë të vetmit nga ky kontinent të shëjestruar nga trajneri, me Brazilin që si kundërshtari i mundshëm nëse kualifikohen në gjysmëfinale, ishte i radhës në fjalën e tij.

ARGJENTINA DHE MESI – “Sigurisht që Mesi është lojtari më i rëndësishëm i Argjentinës, pasi është më krijuesi dhe ata janë gjithmonë më të rëndësishmit.

Por unë mbaj mend që tetë vite më parë në Brazil e kemi neutralizuar aq mirë sa nuk ka goditur një herë, edhe pse më vonë humbëm me penallti.

Mesi është vërtet nga ata që mund të zgjidhë ndeshjen me topin në këmbë, por nga ana tjetër kur sferën e qarkullon kundërshtari ai nuk duket dhe mendoj se kjo është pika e tij e dobët dhe aty janë edhe shanset tona për ta ndalur. Me Argjentinën kemi ende llogarinë e 2014-ës pezull dhe duam të hakmerremi”.

GRUPI – “Unë besoj në skuadër më shumë se në individë. Sigurisht që nuk po e them këtë pse kemi arritur formën më të mirë si skuadër, por kemi tendencë rritjeje.

Nuk duhet të harrojmë si kemi arritur në këtë grup përfaqësuesish prej 26 lojtarësh. Kishte prej tyre që nuk ishin në formë dhe na u desh t’i rikthenim.

Depaj tani mund të luajë 90 minuta për shembull dhe është shumë i rëndësishëm për ne. Tani të gjithë janë përmirësuar dhe jo, këta djem nuk kanë humbur identitetin nën urdhrat e mi, siç kanë cituar disa. Kemi një atmosferë fantastike”.

BRAZILI – “Kam parë sot (dje); të gjitha mediat holandeze që i bënin jehonë paraqitjes së Brazilit në 1/8-at. Nuk e kam kuptuar këtë analizë, i kam parë si luajnë e kam parë ndeshjen me Korenë e Jugut dhe ishin vetëm aziatikët ata që ndërtonin dhe sulmonin. Nga ana tjetër, Brazili u mbështet vetëm te kundërsulmi”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"