Lebërit nuk merren vesh, Flamurtari çon Orikun në Fier

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2022 | 22:08

Lebërit nuk merren vesh, Flamurtari çon Orikun në Fier

Oriku do të luajë të dielën takimin me Skënderbeun. Sfida do të zhvillohet në Fier dhe shkak për këtë është bërë fusha e papërfunduar. Me Flamurtarin nuk u arrit asnjë akord që ndeshjet të luhen në Vlorë. Për “Panorama Sport”, administratori Muharrem Jazaj tha se nuk e kupton fare këtë situatë, teksa u ka dërguar disa herë kërkesa drejtuesve të Flamurtarit.

WhatsApp-Image-2019-07-16-at-5.27.31-PM

“Ne këmbëngulëm që ndeshjen me Skënderbeun ta luanim në Orikum, pasi ishte një kënaqësi e madhe për qytetin dhe ekipin që të përballej këtu me një ekip me shumë histori si Skënderbeu. Nuk ia arritëm dot dhe fatkeqësisht Oriku do ta luajë ndeshjen në Fier. Kjo pasi në Vlorë nuk ka ambiente, ka disa probleme që po i ndesh nga dita në ditë. Por ky është realiteti, një ekip i Vlorës që udhëton 100 km për të bërë një ndeshje kampionati.

Ja ky është realiteti. Pse nuk luajmë në Vlorë? Mund të pyesni bashkinë, mund të pyesni Flamurtarin. Ne jemi sjellë mirë. E duam Flamurtarin, na dhimbset Flamurtari, por kështu e solli tani historia që jemi të dy në një nivel dhe do të luajmë bashkë. Unë i kam kërkuar ndihmë dhe bashkëpunim Flamurtarit, si një ekip i vogël i Vlorës që jemi, por nuk e kam gjetur atë dhe nuk e di pse, nuk i di arsyet akoma, nuk e kuptoj”, shprehet Jazaj. Administratori i Orikut flet edhe për situatën aktuale të punimeve të fushës. “Po vazhdojmë me ritme të shpejta, por po punohet edhe me cilësi.

Ka përfunduar drenazhimi, mbushja me inerte, niveluar dhe presim mbërritjen e tapetit nga Turqia. Madje, përfaqësuesit e kompanisë turke erdhën në Orikum dhe panë cilësinë e punimeve ku dhanë OK-in se çdo gjë është në rregull. Veç fushës, kemi bërë edhe riparime në ambientet e stadiumit. Kemi bërë diçka të bukur për qytetin, për lojtarët, për zonën. Fusha ishte një moçal i vërtetë dhe nuk ishte për këto nivele që sot është futbolli. Megjithatë, ia arritëm falë mbështetjes së Bashkisë dhe FSHF-së. Shumë shpejt do të vijë dita që t’i presim shiritin”, përfundon Jazaj.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"