Laçi pa frena, klubi pret një tjetër brazilian

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 8, 2016 | 11:18

Laçi pa frena, klubi pret një tjetër brazilian

Një tjetër sulmues nga Brazili për Laçin. Trajneri Marcelo Troisi synon që të blindojë repartin ofensiv dhe duket se këtë e kanë marrë përsipër lojtarët nga vendi i sambës.

Artur Lorendo Silva

Artur Lorendo Silva

“Panorama Sport” mëson se klubi është duke mbyllur marrëveshjen me sulmuesin 22-vjeçar, Artur Lorendo Silva. Ky i fundit është afirmuar në Serinë B braziliane te skuadra e njohur, Parana.

Në 14 ndeshje të luajtura ka arritur të shënojë katër gola. Mësohet se Troisi i njeh mirë cilësitë e lojtarit dhe beson se ai mund të bëjë diferencën te kurbinasit.

Mbërritja e tij në Shqipëri është çështje orësh, në një kohë që fillimisht mendohet se do të shikohet gjendja aktuale e lojtarit, pastaj palët do të flasin për kontratën.

Së fundmi, sulmuesi, i cili njihet me nofkën “Arturo”, është aktivizuar me ekipin e Guaranit. Ndërkohë, drejtuesit e Laçit po mundohen të jenë të kujdesshëm me tregun e huaj, pasi limiti i katër lojtarëve i kushtëzon për të sjellë shumë futbollistë të vendeve të ndryshme.

Njëkohësisht klubi është në negociata për të afruar një qendërmbrojtës shqiptar, emri i të cilit nuk bëhet i ditur.

Për momentin, të konfirmuar te Laçi si afrime të merkatos së verës janë këta futbollistë: Maikon Eskuerda, Robert Ribeiro, Zhunior Pinto, Paulo Serxhio, Denis Biba, Alket Çelhaka, Darling Bajaziti, Kris Hyseni, Bruno Lipi, Harallamb Qaqi, Ilir Kastrati, Klajdi Toska dhe Arbër Shala.

Katër brazilianë po stërviten nën urdhrat e Troisit, teksa kanë debutuar edhe në miqësoren e fundit ndaj Besëlidhjes. Madje, fantazisti Eskuerda shënoi një golat e Laçit në barazimin 2-2.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"