Laçi ndal Flamurtarin, incidente në tunel. Gjoka: Na mungon qetësia para portës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 28, 2014 | 22:59

Laçi ndal Flamurtarin, incidente në tunel. Gjoka: Na mungon qetësia para portës

Flamurtari-LaciFLAMURTARI-LAÇI    1-1
GOLAT: Gilberto 42’/ Xhejms 31′
FLAMURTARI: I.Lika, Arbri, Mendez, Veliu, Mici, Lena, Metaj (Abilaliaj 64′), Muzaka, Vucaj (Kuqi 85′), Gelashvili, Gilberto (A.Shehaj 85′). (në dispozicion: Xhelili, G.Krasniqi, Meto, Idrizaj). Trajner: Ernest Gjoka
LAÇI: Vujadinoviç, Doku, Sheta, Buljan, Sefgjini, Teqja (Çarls 90′), Veliaj, Zefi, Cetkoviç (Çela 79′), Nimani, Xhejms (Memelli 87′). (në dispozicion: Llani, Sefa, Bardhi, Bilibashi). Trajner: Armando Cungu
KARTONË TË VERDHË: Muzaka 22′, Gelashvili 49′, Mendez 51’/ Zefi 22′, Veliaj 49′, Xhejms 87′, Vujadinoviç 90′
DELEGAT: Enton Lita (Tiranë)
VËZHGUES: Uvil Zajmi (Tiranë)
GJYQTARET: E.Sino (Fier), R.Çokaj (Lezhë), I.Tartari (Fier)

MINUTAT
4′ Goditje dënimi për Laçin, Buljan gjuan fort, por topi përplaset në murin vlonjat dhe kthehet sërish te mbrojtësi, që këtë herë devijon me kokë, duke nxjerrë të lirë Cetkoviç, i cili menjëherë godet me të djathtë, por Ilion Lika grushton në korne, duke shpëtuar Flamurtarin nga një gol i sigurt.
23′ Shkodran Metaj kroson në zonë nga një goditje dënimi, Gilberto kërcen mbi të gjithë dhe gjuan me kokë, por Vujadinoviç grushton topin.
31′ Kundërsulm i shpejtë i Laçit, Cetkoviç jep një super asist për Xhejms, duke nxjerrë blof mbrojtjen vlonjate. Sulmuesi nigerian, i vetëm me Likën, ia kalon topin mbi kokë, duke shënuar një gol të bukur, 0-1 për Laçin.
42′ Kombinime fantastike mes Muzakës dhe Arbrit, ky i fundit kroson në zonë, teksa topi merr një hark të çuditshëm dhe përplaset në tranversë e kthehet më pas në këmbët e Gilbertos, që i lirë në zonë nuk fal me të djathtën, 1-1.
45′ Arbri shërben për Muzakën, që afër vijës fundore kroson në zonë, duke gjetur të lirë Gilberton, i cili godet bukur me kokë, por topi kalon ngjitur me shtyllën.
63′ Muzaka shërben bukur për Vucajn, që i ndodhur në afërsi të zonës, gjuan fort me të majtën, duke detyruar Vujadinoviç të presë në dy kohë.
82′ Muzaka i shpëton mbulimit të mbrojtjes mike dhe lëshon një të djathtë të fuqishme nga brenda zone, por grushton në korne Vujadinoviç.
83′ Lena kroson nga goditja e këndit Abilialiaj kërcen me kokë dhe topi kalon ngjitur me shtyllën pingule.

Laçi konfirmohet si mace e zezë për Flamurtarin, teksa edhe dje i ka marrë një pikë në Vlorë. Ka qenë një ndeshje spektakolare dhe me shumë ritëm, por nuk mungoi as tensioni, i cili më së shumti shpërtheu në tunel. Vlonjatët kanë kontestuar arbitrimin e kryesorit Emirion Sino, teksa pretendojnë për dy penallti të padhëna. Kurbinasit e Armando Cungut kanë befasuar në pjesën e parë, duke zhvilluar një lojë super, të udhëhequr nga fantazisti malazez, Marko Cetkoviç. Të dyja golat janë shënuar në pjesën e parë, teksa laçianët realizuan në momentin më të mirë të kuqezinjve. Një gafë në qendër të mbrojtjes bëri që Xhejms t’i kalonte në avantazh miqtë, pas një goditjeje shumë të bukur përballë Ilion Likës. Duke mos u pajtuar me rezultatin, vlonjatët e Ernest Gjokës shtuan presionin, duke sulmuar pa fund, veçanërisht me inkursionet e Arbrit dhe Muzakës në krahun e djathtë. Goli nuk vonoi dhe Gilberto barazoi shifrat. Pjesa e dytë foli më shumë për Flamurtarin, por edhe Laçi pati mundësi të mira për të kaluar në avantazh. Pavarësisht insistimit të sulmuesve Gilberto, Gelashvili, Abilaliaj e A.Shehaj, asgjë nuk ndryshoi. Laçi mori një pikë të merituar në Vlorë, në një kohë që Flamurtari tregoi se ka probleme në finalizimin e aksioneve.
Tensioni – Tension në fushë, tribuna dhe dhomat e zhveshjes. Kështu mund të përkufizohet ndeshja e djeshme. Rreth minutës së 70-të, drejtori teknik i Flamurtarit, Ardi Behari, ka tentuar që të komunikojë me delegatin dhe vëzhguesin e ndeshjes për t’u ankuar për vendimet e gjyqtarit, por policia nuk e lejoi të zbriste në fushë. Duke parë këtë situatë, kryebashkiaku Gjika zbret nga tribuna, por as ky i fundit nuk lejohet nga policët. Delegati Enton Lita shkon për t’u sqaruar me kryebashkiakun dhe Gjika rikthehet sërish në tribunë, por tensioni shtohet edhe më shumë te tifozët, në një kohë që drejtuesit e Laçit qëndrojnë të qetë duke shijuar rezultatin e barabartë. Në përfundim të ndeshjes nga tribuna qendrore ka lumë sharjesh në drejtim të gjyqtarit Sino. Tensioni vijon edhe pas ndeshjes. Kryebashkiaku Gjika interesohet për shëndetin e Olsi Teqjes, që u dëmtua dhe përfundoi në spital. Kryebashkiaku, së bashku me drejtorin e përgjithshëm të shëndetit, Eltar Deda, komunikojnë me mjekët e spitalit. Për një moment Gjika shkëputet nga Deda dhe presidenti i Laçit, Laska, pasi kërkon që mjeku i ekipit, Ardian Lluka, të shoqëronte për në spital stafin mik. E ndërsa Gjika shkon për të takuar Llukën në pjesën tjetër të korridorit të stadiumit, policët e ndalojnë. Një prej policëve i thotë: “Kush jeni ju, se nuk ju njoh?!”. Këtu nis edhe konflikti. Gjika kërkon me këmbëngulje të hyjë në korridor, por policët e shtyjnë. Në konflikt përfshihet edhe drejtori i Policisë Bashkiake të Vlorës, ndërsa mes uniformave blu nis përleshja. Pas konfliktit edhe fizik që zgjati për pesë minuta, Gjika lejohet të hyjë, ndërsa në këto moment, së bashku me shefin e rendit, shkojnë te delegati dhe vëzhguesi. “Janë në rregull këta apo jo. Unë po interesohem për atë djalin që është në spital, çfarë bëhet kështu?!”, është shprehur Gjika. Situata e tensionuar ka vijuar edhe më pas. Treshja e gjyqtarëve ka dalë nga stadiumi, e shoqëruar nga forca të shumta policore deri në dalje të qytetit të Vlorës. Jashtë impiantit priste kryebashkiaku Gjika, i cili ka tentuar t’i afrohet gjyqtarit Sino për të sqaruar situatën, por nuk është lejuar nga policia. Kryebashkiaku i ka cilësuar të turpshme vendimet e Sinos. Edhe pse mes tensionit, Gjika është përqafuar disa herë në hollin e stadiumit me presidentin e Laçit.
Gjika në stol – Fillimisht tek të pranishmit bëri përshtypje që në minutën e 40-të kryebashkiaku Shpëtim Gjika zbriti në fushë, duke u ulur për pak minuta në stolin e Flamurtarit. Madje ai festoi golin e barazimit bashkë me stafin teknik nga pankina, ndërsa kërkoi që lojtarët të ishin më agresivë. Pas vetëm pesë minutash në stol, Gjika është rikthyer menjëherë në tribunën VIP.

MË I MIRI
Mesfushori i Laçit, Marko Cetkoviç, ishte lojtari më i mirë në fushë për të dyja skuadrat. Veçanërisht gjatë pjesës së parë malazezi ka dhuruar spektakël me veprimet e tij, madje duke u bërë protagonist edhe në asistin e golit. Në një ditë të mirë ishte edhe nigeriani Xhejms, i cili u bë problematik për mbrojtësit vlonjatë. Te Flamurtari, paraqitje për t’u admiruar bënë Arbri, Mici, Muzaka dhe Lena që mbajtën gjallë lojën e ekipit.

MË PAK AKTIVI
Për mbrojtësin e Flamurtarit, Dagllas Mendez, ka qenë një ditë e errët gjatë ndeshjes së djeshme. Braziliani, bashkë me kapitenin Veliu, mban jo pak përgjegjësi në golin e shënuar nga Laçi. Nigeriani Xhejms doli fitues në shumicën e dueleve me Mendezin. Nga ana tjetër, një paraqitje jo të mirë bënë te Laçi edhe mbrojtësit e krahut, Doku e Sefgjini. Veçanërisht në krahun e këtij të fundit, Muzaka dhe Arbri bënë çfarë deshën.

Gjoka: Mungon qetësia para portës
Trajneri i Flamurtarit, Ernest Gjoka, mendon se skuadra e tij nuk fitoi ndaj Laçit, si pasojë e mungesës së qetësisë para portës. “Është për ardhur keq, pasi krijuam shumë raste dhe nuk shënuam golin e fitores. Pavarësisht meritave të kundërshtarit, ne bëmë një volum të madh loje, por nuk na buzëqeshi fitorja. Duhet të jemi më të qetë përpara portës dhe më shumë dinakë. Kjo është shumë e rëndësishme, pasi po humbasim shumë raste dhe ky po na kthehet në një ngërç. Duhet të kishim fituar për të bërë diferencën edhe në tabelë, por lufta duket se është shumë e fortë. Me sa duket, nuk nevojitet vetëm fati. Gilman Lika? S’ka luajtur për probleme shëndetësore. Ka kryer vizitë të specializuar në Turqi dhe tani është OK”, deklaroi Gjoka.

Cungu: Më kënaq pika, mund të fitonim
Trajneri i Laçit, Armando Cungu, është përgjithësisht i kënaqur me pikën në Vlorë, edhe pse mendon se skuadra e tij mund të dilte me fitore. “Të luash kundër Flamurtarit në transfertë, një pikë është rezultat i kënaqshëm, por megjithatë mundësitë i kishim për të marrë tri pikë. Futbolli ky është, pasi ashtu siç mund të fitonim, edhe mund ta pësonim, teksa edhe Flamurtari pati shanset e veta, veçanërisht në pjesën e dytë, kur mund të na ndëshkonte. Gjithsesi, rezultati 1-1 ndoshta është më i drejti. Unë e kam thënë edhe më parë që skuadra ime do të vijë në rritje ndeshje pas ndeshjeje. Kjo po tregohet në javët e fundit, por duhet të dimë se kampionati është shumë i fortë. Problemi ynë është se po çalojmë në pasimin e fundit”, ka thënë dje Cungu pas ndeshjes.
ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"