Laçi arrin akordin me Brkiç, serbi sot në stërvitje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 29, 2013 | 12:55

Laçi arrin akordin me Brkiç, serbi sot në stërvitje

BerkicMladen Brkiç është emri i sulmuesit me të cilin kurbinasit kanë hyrë në tratativa prej disa ditësh. Duket se gjithçka ka shkuar mirë dhe sot, serbi i majës i sulmit pritet të jetë nën urdhrat e trajnerit Stavri Nica. Brkiç është kontaktuar fillimisht nga kurbinasit dhe, pasi kanë diskutuar disa pika të marrëveshjes midis palëve, është bindur nga oferta e tyre dhe është nisur drejt Shqipërisë për të finalizuar gjithçka. Por, sigurisht do jetë stafi teknik që më parë do të shikojë formën e tij, për të marrë vendimin përfundimtar nëse do bashkohet me bardhezinjtë për të luajtur këtë sezon apo jo. Brkiç është një emër i njohur për kampionatin tonë, pasi ka luajtur për tri sezone e gjysmë në Kategorinë Superiore duke shënuar 35 gola. Fillimisht, ai është aktivizuar për dy sezone me Apoloninë, me të cilën shkëlqeu duke shënuar 24 gola për bardhejeshilët. Më pas u transferua te Skënderbeu, skuadër e cila nisej me synimin për të dalë kampion, gjë që në fund e bëri. Madje, Brkiç dha kontributin e tij me 8 golat e shënuar në fazën e parë me korçarët, pasi për pjesën tjetër të atij sezoni ai u huazua te Dinamo, ku mbylli sezonin duke shënuar edhe tre gola të tjerë. Aventura e tij e fundit në Shqipëri për të ishte aktivizimi te Flamurtari, për t’u larguar më pas në Hungari. Sezonin e fundit, 32-vjeçari serb ka luajtur në Ligën e parë serbe teksa është aktivizuar në 13 ndeshje me Sloga Kraljevo. Nëse Brkiç do arrijë të bindë teknikun Nica, atëherë kurbinasit do e mbyllnin me të merkaton, duke kompletuar në këtë mënyrë edhe repartin e sulmit. Laçi ka ruajtur në përgjithësi grupin e sezonit të kaluar dhe duket se është gati për fillimin e kampionatit. Kurbinasit do të përballen në transfertë me Tiranën në javën e parë të kampionatit, ku do të synojnë që të marrin rezultat pozitiv. Ndërkaq, trajneri Nica është duke u dhënë dorën e fundit përgatitjeve.
Vladimir Prenga

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"