Kupa e Shqipërisë/Tirana merr hak ndaj Luftëtarit, bie Skënderbeu

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Tetor 26, 2016 | 19:01

Kupa e Shqipërisë/Tirana merr hak ndaj Luftëtarit, bie Skënderbeu

U luajtën sot ndeshjet e vajtjes në Grupin A për raundin e dytë të Kupës së Shqipërisë.

Tirana hodhi një hap të sigurt drejt kualifikimit në çerekfinale falë suksesit 4-1 kundër Luftëtarit në duelin e zhvilluar në stadiumin “Roza Haxhiu” të Lushnjës. Në fakt, ishin gjirokastritët ata që kaluan të parët në epërsi me Silvio Zogajn në minutën e 21-të, por bardheblutë përmbysën gjithçka pas pushimit me golin e zëvendësuesit Ansi Nika dhe tripletën e sulmuesit Cise.

Hakmarrje e ëmbël për ekipin kryeqytetas, që vetëm 72 orë më parë ishte mundur 2-1 nga Luftëtari në kampionat.

Luftëtari 1 – 4 Tirana (Zogaj 21′ / Nika 46′, Cise 52′, 61′, 78′)

Tirana 4-1

Dështon Skënderbeu, që mundet 2-1 nga Apolonia në Fier. Myrto Uzuni dhe ish-i Amarildo Dimo shënuan për vendasit, ndërsa Xhejms zvogëloi dëmet për korçarët të cilët gjithsesi janë plotësisht në lojë për t’u kualifikuar.

Apolonia 2 – 1 Skënderbeu (Uzuni 29′, Dimo 76′ / Xhejms 85′)

Apolonia-Skenderbeu

Kukësi nuk gabon dhe përballë Dinamos merr një fitore të pastër 2-0 që e çon me një këmbë në çerekfinale. Në kompleksin :Internacional” në Pezë-Helmës, ekipi i Ernest Gjokes triumfoi me golat e Bedri Grecës dhe Izair Eminit. Ky i fundit kthehet me gol nga dëmtimi që e mbajti rreth një muaj jashtë fushës.

Dinamo 0 – 2 Kukësi (Greca 4′, Emini 81′)

Dinamo-Kukesi

Gjithçka e barabartë, ndërkaq, në duelin mes Bylisit dhe Laçit. Në Ballsh gjithçka u vendos në pjesën e parë, me mbrojtësin Bilali që kaloi përpara të zotët e shtëpisë dhe brazilianin Akuino që shndërroi në gol një penallti të fituar vetë. Ky rezultat i favorizon më tepër kurbinasit, megjithatë kualifikimi do të vendoset në ndeshjen e kthimit.

Bylis 1 – 1 Laçi (Bilali 10′ / Akuino 45′)






www.minuta90.com