Kryebashkiaku Çota premton ndryshimin e situatës financiare

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 19, 2013 | 11:17

Kryebashkiaku Çota premton ndryshimin e situatës financiare

“Unë po bëj gjithçka mundem për të mbajtur gjallë ekipin e Sopotit, por kaq janë mundësitë”. Kështu e ka nisur bisedën e tij për “Panorama Sport” kryetari i Bashkisë së Librazhdit, Shefki Çota. Nisur nga ankesat e herëpashershme të lojtarëve të Sopotit për mosmarrjen e rrogave mujore rregullisht, Çota tregon momentin e vështirë financiar të ekipit dhe përpjekjet e tij që të plotësojë sadopak kërkesat e tyre. “Mospasja e një sponsori privat e bën të vështirë financimin e një ekipi sporti, vetëm nga bashkia. Gjithsesi, unë nga ana ime, me aq mundësi sa kam pasur, kam ndihmuar ekipin me financa. Dietat gjatë transfertave dhe shpërblimet modeste të herëpashershme janë ato çka mund të bëj unë për momentin”, është shprehur kryebashkiaku Shefki Çota. Duke vijuar më tej, ai ka premtuar se kjo situatë do të ndryshojë së shpejti. “Me aq mundësi sa kemi, aq edhe po bëjmë, duke shpresuar se kjo situatë e vështirë financiare do ndryshojë së shpejti”, ka përfunduar kryetari i Bashkisë së Librazhdit, Shefki Çota.
L.Qoshku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"