Klejdi Daci: Në Korçë, Teutës i bën punë vetëm fitorja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 12, 2024 | 19:30

Klejdi Daci: Në Korçë, Teutës i bën punë vetëm fitorja

Te Teuta mezi po e presin ndeshjen e së shtunës me Skënderbeun në Korçë, pasi duan të bëjnë sa më parë kthesën pas atyre dy humbjeve me Dinamon dhe Laçin, që e kanë prishur disi humorin në kampin durrsak. Sulmuesi Kejdi Daci, në një intervistë për “Panorama Sport”, është shprehur se Teuta nuk duhet ta diskutojë fitoren këtë herë, edhe pse kundërshtari është më lart në tabelën e renditjes dhe gëzon një formë të mirë sportive.

DACI

Daci, si është gjendja në skuadër pas dy humbjeve radhazi?

Në skuadër ka harmoni dhe entuziazëm, edhe pse nuk kemi marrë rezultate në dy ndeshjet e fundit. Tani shpresojmë që t’ia dalim me sukses në ndeshjen e radhës me Skënderbeun.

Çfarë objektivi keni për këtë ndeshje?

Nuk ka asnjë rezultat tjetër që na bën punë, përveç fitores. Vetëm trepikëshi na ngre në renditje. Duam ta kthehemi sa më parë te fitorja me futboll të bukur.

Çfarë duhet të ndryshoni, që të shkoni te tri pikët?

Ne duam të bëjmë një ndeshje të mirë, duke dhënë gjithçka nga minuta e parë deri tek e fundit. Nëse nuk futemi në fushë me këtë mentalitet, i japim mundësi kundërshtarit të na sulmojë. Në këtë ndeshje është e rëndësishme të marrim frenat e lojës në dorë dhe të jemi të përqendruar deri në fund. Duhet të qëndrojmë “zgjuar” përgjatë gjithë 90-minutëshit.

Skënderbeu ndërkohë vjen në këtë ndeshje nga një moment i mirë dhe qëndron më lart në renditje?

Sido që të ishte ecuria e Skënderbeut, ky duel do të ishte shumë i vështirë. Skënderbeu ka cilësi, është një ekip i mirë. Gjithmonë ndeshjet korçarëve, por jo vetëm, janë të vështira.

Tani që po i drejtohemi fundit të kampionatit, çfarë mund të bëjë kjo Teutë?

Në fakt, të gjithë në ekip nuk jemi të kënaqur me pikët që kemi marrë deri tani. Personalisht, mendoj se kemi bërë ndeshje të mira dhe kemi merituar pikë më shumë. Por nuk është justifikim. Duhet të punojmë fort që të rikuperojmë sa më shumë në këto javë të mbetura.

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"