Partizani shënon “poker” pas 310 ditësh pritje, të kuqtë fituan 4-1 duke përmbysur Elbasanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 16, 2015 | 17:57

Partizani shënon “poker” pas 310 ditësh pritje, të kuqtë fituan 4-1 duke përmbysur Elbasanin

Partizani-Elbasani para ndeshjes

PARTIZANI – ELBASANI 4-1
Golat:
Vila 49′ Raçiç 50′ 78′ Rrahmani 90′ Malindi 29′ 
Formacionet:
PARTIZANI: Hoxha, Fejzullahu (Shabani 66′), Rrahmani, Cuculi, Ibrahimi, Batha, Trashi, Vila (Daja 76′), Nexhipi, Fazliu (Bylykbashi 46′), Raçiç. (Në dispozicion: Xhika, Krasniqi, Vatnikaj, Muskaj). Trajner: Shpëtim Duro
ELBASANI: Myftaragaj, Kaçuli, Dsoti, Jaupi, Musta (Shyti 72′), Malindi, Hila, Gava, Lamçe (Gjorga63′), Toçi, Luta (Grabova 60′). (Në dispozicion: Laço, Lleshi, Bërdufi, Mukja). Trajner: Muharrem Dosti KARTONË TË VERDHË: Nexhipi 31’/ Kaçuli 32′, Dosti 35′, Gava 70′, Malindi 71′
Gjyqtarë: Eldorjan Hamiti, Ridiger Cokaj, Paulin Simoni, Andi Koçi
Delegat: Lysein Nurishimi
Vëzhgues: Astrit Dervishi

 

Partizani – Elbasani 4-1 Partizani arrin të shënojë katër gola në një ndeshje pas një pritjeje prej 310 ditësh. Golat u shënuan në 45 minutat e dyta në përballjen me Elbasanin, takim i cili u fitua nga të kuqtë me rezultatin 4- 1. Për herë të fundit, “demat e kuq” kanë shënuar 4 gola në një takim, pikërisht më 10 maj 2014, ku në javën e fundit të sezonit të shkuar mposhtën Lushnjën në transfertë me rezultatin 4-2.

Ashtu si në Lushnjë, edhe dje “pokeri” i të kuqve ka ardhur në pjesën e dytë, duke përmbysur disavantazhin. Të kuqtë e trajnerit Duro vinin në sfidën me Elbasanin e vendit të fundit pas suksesit në derbi. Kështu, në pamje të parë dukej se “demat” do ta kishin të lehtë përballjen me verdheblutë, por pjesa e parë ishte për t’u harruar nga të besuarit e trajnerit Duro.

Elbasani u mbrojt mirë dhe në minutën e 28-të ish-sulmuesi Enco Malindi i befason me një gol spektakolar. Ky takim ishte një përballje me dy fytyra, pasi ndryshe nga pjesa e parë, në 45 minutat e dyta të dy ekipet transformohen në kahe të kundërta.

Pjesa e parë ishte për t’u harruar nga të kuqtë, që nuk kishin qartësinë e duhur dhe ishin të paqartë në finalizim, ndërsa elbasanasit u treguan një ekip i disiplinuar dhe e mbyllën në favorin e tyre fraksionin e parë. Por, në të dytën, të kuqtë e nisin vrullshëm, ndërsa miqtë janë hija e asaj që dhuruan në të parën, duke u shthurur në fushën e lojës. Vila, Raçiç dy herë dhe Rrahmani përmbysën golin e Malindit dhe tani Partizani e shikon veten i treti në renditje, duke lënë pas Tiranën me dy pikë më pak

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"