Kapiteni i Dinamos: Po rikthehemi, na shkruajnë nga e gjithë Shqipëria

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 16, 2020 | 15:39

Kapiteni i Dinamos: Po rikthehemi, na shkruajnë nga e gjithë Shqipëria

Nga vendi i fundit, Dinamo ka parakaluar Veleçikun dhe Tërbunin dhe qëndrimi në Kategorinë e Parë, direkt apo me ndeshje shtesë, duket shumë pranë. Blutë po paraqiten mirë dhe për ta duket se ka nisur të fryjë një erë e re. Presidenca italiane, pasi ka stabilizuar skuadrën, i ka gjetur edhe shtëpinë e re Dinamos.
Dinamo-1
Objektivi nuk është vetëm që 18 herë kampionët e Shqipërisë të qëndrojnë në të Parën, por të kenë bazat e një klubi profesionist, duke nisur nga kompleksi stërvitor, për të vazhduar me grupin e futbollistëve për një skuadër kompetitive dhe një akademi për të rritur talente.
DINAMOOOO
KAPITENI BOÇI – I ka takuar mbrojtësit Xhorxhian Boçi të mbajë shiritin e kapitenit pas largimit të Sefës dhe Muçës. Lojtari 26-vjeçar, në një prononcim për “Panorama Sport”, rrëfen ndryshimin e skuadrës në gjysmën e dytë të kampionatit dhe tregon se si do të jetë Dinamo e së ardhmes.

“Në fillim të sezonit u gjendëm në një situatë shumë të vështirë, që nuk e mendonim kurrë. Më pas, me ardhjen e drejtuesve italianë, gjithçka ndryshoi. Skuadra u plotësua me lojtarë cilësorë dhe u desh pak kohë që skuadra të shprehet në fushë ashtu si duhet. Dinamo ka një grup me kualitet dhe për mua është privilegj i madh që të mbaj shiritin e kapitenit të një skuadre me kaq emër”, shprehet fillimisht lojtari nga Delvina.

QËNDRIMI – “Gjithmonë kam besuar te qëndrimi në Kategorinë e Parë, edhe kur ishim në vend të fundit. Kam qenë i bindur për forcën dhe kualitetin që ka skuadra. Dua t’i përgëzoj çunat, sepse kemi punuar si një grup i bashkuar në stërvitje dhe në ndeshje, ndaj dhe rezultatet kanë ardhur. Personalisht jam munduar ta karikoj sa më shumë ekipin që të japë gjithçka në fushë, u kam thënë shokëve që gjithmonë ta mbajnë kokën lart. Kemi qenë të bashkuar për objektivin e skuadrës. Është gjynah që një emër i madh si Dinamo të diskutojë qëndrimin në Kategorinë e Parë, ku po na bëhen disa sezone, por tashmë ka nisur një kapitull i ri.
dinamoo-770x355
Na shkruajnë nga e gjitha Shqipëria dhe na përgëzojnë për fitoret që po marrim javët e fundit. Drejtuesit e rinj dhe stafi teknik janë seriozë. E kanë treguar që në fillim me afrimin e lojtarëve, me pagat dhe punën që po bëjnë për strukturat e klubit. Kompleksi i ri ku po stërvitemi më pëlqen shumë, larg zhurmës, si qendrat stërvitore të klubeve europiane. Të gjitha këto që po them tregojnë se Dinamo po rikthehet aty ku e duan tifozët e saj: në elitën e futbollit shqiptar. Nga sa kam biseduar me drejtuesit, sezonin e ardhshëm do të kemi një skuadër me nivel shumë më të lartë, pasi do të bëhen përforcime”, shton Boçi.
Dinamo Pontreli
SHPËRBLIMI – Në fund, kapiteni i bluve zbulon edhe faktin se presidenca ka vendosur një shpërblim të mirë për qëndrimin në të Parën. “E thashë se tashmë gjithçka po funksionon si duhet dhe Dinamo do të luajë vetëm për fitore në 2 ndeshjet që na kanë mbetur. Jam i bindur se do ta arrijmë objektivin pa ndeshje shtesë. Presidenca ka vendosur edhe një shpërblim për objektivin e qëndrimit, duke i motivuar edhe më shumë futbollistët”, thotë në fund Boçi. Këtë fundjavë blutë do të jenë pushim sipas kalendarit.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"