Kaos te Domosdova, lojtarët kërcënojnë me bojkot

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 26, 2013 | 14:26

Kaos te Domosdova, lojtarët kërcënojnë me bojkot

Situata ka marrë një rrjedhë dramatike në çdo aspekt në kampin e Domosdovës. Ekipi prrenjsak nuk paguhet prej dy muajsh. Ai po mbahet gjallë me premtime të pambajtura deri më tani. Kjo ka çuar në mungesa të lojtarëve në seancat stërvitore, neglizhencë në ndeshjet e zhvilluara dhe për pasojë rezultatet kanë qenë negative. Në tri takime ata kanë grumbulluar vetëm 2 pikë. Lojtarët thonë se kanë luajtur vetëm për tifozët dhe dyshen drejtuese të trajnerëve, Rira-Nezha. Mirëpo në sfidën e kësaj jave gjërat dolën jashtë kontrollit. Futbollistët u revoltuan dhe nuk pranuan të dilnin në fushën e blertë për takimin me Vorën. Lojtarët veteranë të Domosdovës nuk pranuan për asnjë arsye që të zbrisnin në fushën e lojës. Për të mos degraduar situata më tej, zbritën lojtarët e rinj. Ndeshja konkludoi në një teatër të vërtetë nga ana e prrenjsakëve, të cilët pavarësisht se zbritën në fushën e lojës nuk bënë asgjë për të fituar. Lojtarët kanë thënë se nuk do të paraqiten më as në ndeshjet zyrtare nëse nuk marrin rrogat e prapambetura dhe nëse nuk paguhen në vazhdimësi për punën e tyre. Nga ana e saj, Bashkia e Prrenjasit ka deklaruar se pagat do të merren shumë shpejt, pasi buxheti s’ka pak ditë që është akorduar dhe fondi këto ditë do të lëvrohet nga klubi sportiv “Domosdova”. Por, pavarësisht premtimeve të bashkisë, lojtarët në unanimitet të plotë kanë vendosur të bojkotojnë çdo aktivitet sportiv.
Ledion Qoshku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"