Kampioni i Ballkanit premton sërish medalje, Smajlaj: Në Stamboll u kurseva, më presin 900 orë stërvitje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 23, 2018 | 18:20

Kampioni i Ballkanit premton sërish medalje, Smajlaj: Në Stamboll u kurseva, më presin 900 orë stërvitje

Tjetër medalje e artë për Shqipërinë në kampi onatin Ballkanik të sallave të mbyllura, i zhvilluar në 17 shkurt në Stamboll të Turqisë, aktivitet ku edhe një herë tjetër spikati kampioni dhe rekordmeni ynë i Europës, Izmir Smajlaj.

Atleti shkodran, me 7 metra e 80 centimetra, arriti që të meritojë vendin e parë në garën e kërcimit së gjati, duke mbrojtur titullin që fitoi një vit më parë në Beograd, ndonëse kërcimi i tij nuk ishte në shifrat e shumëpritura apo të paralajmëruara, edhe pse, siç tregon vetë Smajlaj, në një interviste ekskluzive për “Panorama Sport”, ai u kursye, duke parë se rivalët e tij ishin shumë poshtë normave të pritura.

imzir smajlaj

Cilat janë synimet e Smajlajt për këtë sezon sportiv?

Kam menduar të tërhiqem nga Botërori në Birmingam, për shkak se sezoni dimëror nuk është kulmi im. Objektiv për këtë vit, si unë ashtu sikurse edhe trajneri im, Gjergj Ruli, kemi Lojërat Mesdhetare dhe mbrojtjen e titullit Kampion Europe. Dua të shpallem “mbret” i kampionatit “Outdoor”. Kjo ka shumë rëndësi për mua. Unë dua t’i sjell medaljen e artë Shqipërisë në çdo garë që marr pjesë dhe të bëj krenar çdo shqiptar kudo që ndodhet.

Sa e vështirë është për Smajlajn që të ruajë titullin kontinental?

Të ruash për të dytin vit radhazi titullin kampion Ballkani, nuk është e lehtë, por një punë mjaft e vështirë edhe e rëndësishme për karrierën e një atleti. Duke marrë shkas nga vështirësitë e këtij kampionati Ballkanik, ku pjesëmarrës ishin 20 shtete dhe gjërat ishin vështirësuar edhe më shumë, për shkak të numrit të madh të konkurrentëve, më bën optimist për mbrojtjen e titullit tim si kampion Ballkani dhe Europe.

Izmir Smajlaj kampion Europe

A jeni i kënaqur nga rezultati i kësaj Ballkaniade apo jeni rezervuar për evenimentet e ardhshme?

Disiplina ku unë konkurroj ka në vetvete një garë serioze dhe me konkurrentë dinjitozë. Gjithsesi, unë arrita të dal i pari me një kërcim prej 7 metra e 80 centimetra. Ju siguroj se ky nuk është maksimumi im sepse diferenca me rivalin e vendit të dytë ishte goxha e madhe, 30 centimetra më pak nga suksesi im. Gjithashtu, kjo garë më vuri në pozita që unë të mos jepja maksimumin tim.

Duke qenë se do të garoja i fundit, e kisha në kontroll situatën për të mos u sforcuar më shumë se çfarë më nevojitej për medaljen e artë. Kjo sepse unë mund të kërceja edhe më shumë se 7.80 metra. Ndaj, në momentin e fundit vendosa të mbroja veten nga sforcimet e tepërta sepse gara shumë më të rëndë- sishme më presin gjatë sezonit veror, ku kam dhe synimet më madhore sezonale. Dua të them se unë, Izmir Smajlaj, kam ende mjaft rezerva brenda meje për rezultate shumë herë më të mira.

Izmir Smajlaj kampion

Sa e rëndësishme ishte mbrojtja e titullit kampion Ballkani për Smajlajn?

Pavarësisht rezultatit, që e përsëris, nuk është arritja ime maksimale, mund të them se ka shumë vlera. Mund të ndodhë të kesh rezultate mjaft të larta, por mund të mos fitosh asnjë medalje. Gjithsesi, mund të ndodhë edhe e kundërta, kur e fiton një titull pa sforco, pasi nuk ke konkurrentë në garë. Prandaj, nëse fitorja e një medaljeje është e rëndësishme dhe vlerësuese, më e vështira është të ruash fronin e aktivitetit që ke fituar. Është shumë herë më e lehtë për ta fituar sesa për ta mbrojtur. Kjo të shton emocionet psikologjike që duhet të jesh i pari patjetër në çdo garë.

Si po vazhdojnë përgatitjet e kampionit të Europës?

Prej më shumë se një muaji jam stërvitur në Stamboll (Turqi). Kam pak ditë që jam kthyer nga Ballkaniada dhe ndodhem në Tiranë. Kushtet vërtet janë të mira, por shqetësuese për ne atletët është se nuk ka asnjë fushë atletike të brendshme, gjë që na e vështirëson shumë herë stërvitjen, sidomos kur moti është i keq, siç ka qenë edhe në këto ditë me shi.

Cilat janë planet tuaja për në vazhdim?

Jam i lumtur për punën time. Synimet e mia janë vazhdimi i realizimit të planit njëvjeçar sportiv dhe një plan stërvitor 3 dhe 4-mujor, për të arritur rezultate e paramenduara. Për të arritur objektivat, duhet një punë voluminoze, mbi 900 orë në vit, ndryshe nuk bëhesh një kampion. Dhe përsëri kjo mund të mos mjaftojë… Sigurisht do të stërvitem edhe më shumë për mbrojtjen e titullit kampion Europe (në gusht) dhe të fitoj po ashtu medalje në Lojërat Mesdhetare në Tarragona (në qershor).

Sa ndihmë keni marrë nga federata e Atletikës apo dhe vetë shteti?

Kam një formë mjaft të mirë sportive. Kjo ka ardhur edhe falë përkujdesjes dhe stërvitjes me trajnerin Ruli, të cilin e falënderoj për punën e palodhshme, që ai po bën me mua. Nga shteti kërkojmë kushte më të mira stërvitore, si dhe ndërtimin e një infrastrukture moderne, si për sallat e mbyllura, po ashtu edhe në ato të hapura.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"