“Ka indicie të mjaftueshme”, Dani Avesh merr lajmin e hidhur nga gjykata spanjolle pas 7 muajsh në burg
Gjykata e distriktit 15 në Barcelonë, ka vendosur zyrtarisht për hapjen e gjyqit penal ndaj Dani Alvesh. Futbollisti brazilian i cili është prej 7 muajsh në një burg në Katalonjë, tashmë do të përballet me gjyqin për akuzën e ngritur ndaj tij për abuzim seksual ndaj një gruaje 23-vjeçare në një disko.

Ngjarja e ndodhur më 30 dhjetor ka bërë shumë bujë në Spanjë dhe lojtari më pas u prezantua vetë në polici për t’u marrë në pyetje. Por që nga ai moment, atij i janë vënë prangat dhe është shoqëruar në një institucion paraburgimi.
Të gjitha kërkesat e tij për liri me kusht deri në momentin e gjyqit janë refuzuar dhe tashmë gjykatësja e çështjes, Konsepsion Kanton, ka caktuar datën e 3 gushtit si atë të nisjes së procedurave të gjyqit në të cilin do të kërkohet dënimi apo pafajësia e tij. Sipas hetimeve të kryera nga autoritetet përkatëse, “ekzistojnë indicie të sulmit seksual ndaj një gruaje 23-vjeçare”.
Mediat spanjolle bëjnë të ditur se tashmë do të nisin seancat e para me deklaratat e avokatëve të palëve të përfshira në këtë çështje, ndërsa për gjyqin e mirëfilltë, ndoshta duhet pritur fundi i këtij viti, apo fillimi i vitit 2024. Kjo do të thotë se Dani Alvesh do të qëndrojë pas hekurave të paktën një vit, para se të njihet me masën ndaj tij nëse vërtetohet fajësia e brazilianit.
PANORAMASPORT.AL













