“Jemi në formë të mirë”, Beqja: Gati të mposhtim Tiranën, Kupën e kthejmë në Durrës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 26, 2023 | 9:07

“Jemi në formë të mirë”, Beqja: Gati të mposhtim Tiranën, Kupën e kthejmë në Durrës

Kupa e Shqipërisë rikthehet sërish, teksa i zë vendin Superiores në axhendën e futbollit shqiptar. Sot do të luhet ndeshja e parë gjysmëfinale dhe Teuta do të zbresë në fushë me objektivin e vetëm, për të prerë biletën në finalen e madhe.Beqja

Mesfushori i bluve, Ledio Beqja, ka folur në një intervistë për “Panorama Sport” në prag të takimit ndaj bardhebluve. Mesfushori u shpreh se pret nga ekipi të ripërqendrohet për të mbyllur me sukses fazën finale të sezonit.

Ledio, pas fitores me Erzenin, a mund të themi se kjo është Teuta që presin të gjithë?

Me thënë të drejtën, ekipi i Teutës po vjen duke u rritur nga java në javë, kjo, sipas mendimit tim. Mendoj se skuadra po bën një lojë të mirë, ndoshta duhet ta nisim pak më mirë, por jemi duke u rregulluar. Fillimin e ndeshjeve e kemi disi të shpejtë. Gjithsesi, Teuta po rritet, pasi edhe ndaj ekipeve të tjera, ashtu si me Erzenin, kemi bërë ndeshje të mira. Nga brenda po e shikojmë se po luajmë më mirë se nga java në javë. Shpresoj që të vazhdojmë kështu, siç kemi luajtur në këto ndeshjet e fundit.

Në çfarë gjendjeje është ekipi përpara takimit gjysmëfinal ndaj Tiranës?

Jemi plot energji dhe të motivuar, ne e dimë rëndësinë e sfidës dhe çfarë përfaqëson për ne. Vijmë nga një fitore në kampionat dhe jemi gati.

Si e shikoni duelin e parë gjysmëfinal ndaj Tiranës ditën e mërkurë në Elbasan?

Normal mbetet një ndeshje e vështirë, si çdo ndeshje tjetër në Elbasan ne do të bëjmë maksimumin dhe do të tentojmë të marrim një rezultat pozitiv dhe të jemi me të qetë në ndeshjen në Durrës. Është një ndeshje e vështirë për vetë faktin se Kupa është me sistem eliminimi, ndaj duhet të jemi të kujdesshëm në të dy fazat e lojës.

Çfarë efektesh do të ketë ky takim për Teutën në garën e kampionatit?

Një finale është e vlefshme, por e përsëris se janë dy kompeticione të ndryshme. Nesër (sot) do t’i japim përparësi absolute ndeshjes, pasi të përfundojë, pavarësisht rezultatit, do të fokusohemi te Kukësi dhe kampionati ynë.

Është momenti të riktheni Kupën e Shqipërisë në Durrës, pas dy sezonesh në Shkodër?

Është një trofe që e kemi fituar dy vite më parë dhe na tërheq ta marrim sërish dhe ne do të luftojmë fort për t’i sjellë këtij qyteti të mrekullueshëm këtë trofe në fund të sezonit.

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"