“Jap gjithçka për Interin”, Turam analizon fitoren ndaj Benfikës: Lautaro sulmues kampion, po mësoj prej tij

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 4, 2023 | 10:46

“Jap gjithçka për Interin”, Turam analizon fitoren ndaj Benfikës: Lautaro sulmues kampion, po mësoj prej tij

Një nisje të tillë në sezonin e tij të parë me fanellën e Interit vështirë se Markus Turam e kishte imagjinuar.

DFGF

Në 9 sfida në të gjitha kompeticionet me zikaltrit, francezi ka marrë pjesë në 7 ndeshje falë 3 golave dhe 4 asisteve, por padyshim që më i rëndësishmi është ai i mbrëmjes së djeshme që i dha skuadrës tri pikët e para në Ligën e Kampioneve.

“Jemi të kënaqur me tri pikët, ishte e rëndësishme të fitonim. Morëm tri pikë para tifozëve tanë dhe jam shumë i lumtur sonte”, ishin fjalët e para të sulmuesit në përfundim të ndeshjes që e pa një ndër protagonistët kryesorë. 26- vjeçari u bë jo vetëm francezi i tretë zikaltër që shënon në këtë kompeticion pas Vieirasë dhe Xhorkaefit, por e bëri këtë 1071 ditë pas golit ose më saktë golave (dopietë) të tij të fundit, kur në tetor të 2020-ës i shënonte Real Madridit. “Ndeshja dukej e mallkuar, është e vërtetë, por ia dolëm, edhe pse të gjithë mund të kishim bërë më mirë. Ishte një sfidë ku jo vetëm unë, por Lautaro, Mikhitarian dhe gjithë të tjerët mund të kishin gjetur golin pas mundësive që patëm. Sigurisht që jam i lumtur që mban firmën time kjo fitore, por rëndësi ka që Interi të marrë gjithmonë maksimumin”, tha Turam që në vazhdimësi tregoi edhe marrëdhënien me Lautaron.

“Ai është një nga sulmuesit më të mirë në botë, unë po mësoj të luaj me të dhe ai me mua. Është shumë më e lehtë të luash me lojtarë të tillë. Mund të përmirësohesh gjithmonë e më shumë dhe ne të gjithë po bëjmë maksimumin për të marrë gjithmonë rezultate pozitive për Interin. Është koha t’i marrim ndeshjet me radhë dhe të përpiqemi të rikuperojmë të gjitha energjitë tona për të qenë të gatshëm për trajnerin dhe për kalendarin e ngjeshur që na pret pas rikthimit nga pauza e kombëtareve”, përfundoi Turam.

NISLI GJINI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"