Ja kush janë rekordmenët e futbollit shqiptar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 6, 2015 | 17:19

Ja kush janë rekordmenët e futbollit shqiptar

skenderbeuTë duket kaq e pabesueshme, apo si një ëndërr e bërë realitet për çdo sportdashës shqiptar. Një klub shqiptar që arrin minimalisht grupet e Ligës së Europës, madje është vetëm një hap larg grupeve të Champions-it. Një ekip i Superiores që ka sfiduar gjigantët e kontinentit dhe ka përfaqësuar denjësisht “flamurin” e kampionatit tonë. Por, për të hedhur një hap kaq të rëndësishëm, nuk mund të quhet as fat dhe as rastësi. Ishte një projekt që nisi me shumë akuza, hije tolerimesh dhe mbi të gjitha, me shumë para. Ishte viti 2011-të, kur në qytetin e Korçës rikthehej titulli kampion, pas triumfit të 1933-it.

Aty nisi një epokë e suksesshme, e cila u “kulmua” pikërisht dje, për të marrë edhe “certifikimin” europian. Pasi fituan titullin e parë kampion, presidenti në atë kohë, Agim Zeqo, deklaroi: “Do të fitojmë pesë tituj radhazi”. Me të drejtë, shumica e nënqeshën dhe i dhanë një të rrahur shpatullave. Por, ndodhi. Pak muaj më parë fituan titullin e pestë kampion. Dy me Zeqon dhe tre të tjerë me Ardian Takajn. Ky i fundit premtoi se do të siguronin të paktën grupet e Ligës së Europës sivjet.

Nuk dukej aq e pabesueshme sa premtimi i paraardhësit të tij, por sigurisht që ishte një tabu për klubet shqiptare. Një tabu që ditën e djeshme Skënderbeu e theu. Madje, objektivi më i vështirë për t’u realizuar. Por kush janë heronjtë që vendosën këtë rekord në futbollin shqiptar? Duke nisur nga pankina e trajnerit Mirel Josa, te lojtarët “veteranë” si Shkëmbi e Shehi, apo talentet si Latifi e Berisha. Te “muri” i përbërë nga Arapi, Osmani, Radas e Vangjeli, te finalizimi vrastar i Salihit. Shumë financa, ide, stabilitet, talent, projekte dhe seriozitet për të ardhur deri këtu. Për këtë kualifikim historik, i cili bën krenar të gjithë. Një klub që dha shembullin për t’u ndjekur në një kampionat të nënvlerësuar dhe baltosur. Një klub që mbledh pas vetes një komb të tërë… Dhe fatmirësisht mban emrin e një heroi kombëtar…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"