Italiani Roberto Cevoli merr drejtimin e Teutës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 10, 2016 | 12:29

Italiani Roberto Cevoli merr drejtimin e Teutës

Teuta ka zgjedhur trajnerin e ri. Roberto Cevoli do të jetë drejtuesi i ri i skuadrës durrsake. Lajmi është konfirmuar nga presidenti Edmond Hasanbelliu dhe zëvendëspresidenti Adrian Bardhi.

Cevoli

Trajneri i ri i Teutës si lojtar ka mbajtur shiritin e kapitenit te Modena në Itali, kur skuadra drejtohej nga trajneri i Kombëtares, Xhani De Biazi. 47- vjeçari ka luajtur në Karpi, Rexhina,Rexhiana, Çezena, Torino, Krotone, Modena etj. Ai ka një karrierë të pasur edhe si trajner, pasi ka drejtuar Vinçenën, Monzën, si dhe Rexhinën. Cevoli bëhet trajneri i dytë italian te Teuta për këtë sezon të ri. Ish-mbrojtësi zë vendin e Gentjan Begejës që u emërua trajner përkohësisht, pas largimit të Çezare Bexhit.

Ndërkohë, para sfidës me Skënderbeun ekipi emëron italianin tjetër në krye të skuadrës. Drejtuesit duan të zbatojnë shkollën italiane dhe të punojnë me trajner të huaj që ekipi të ketë një filozofi tjetër, si dhe projekti të vazhdojë pa u ndërprerë.

Cevoli Roberto

Zv.presidenti

Zv.presidenti Bardhi, në një prononcim për “Panorama Sport”, hodhi poshtë zërat që u përhapën për afrimin e Alberto Bolinit, si trajner i Teutës. Gjithashtu, ai pohoi se me ekipin kanë një projekt afatgjatë dhe ka paralajmëruar lojtarët se kush nuk do të angazhohet si duhet, në janar e ka derën e hapur.

“Sot (dje) kemi firmosur me trajnerin e ri të Teutës, Robeto Cevoli. Ai ka luajtur futboll me ekipe të mëdha, por ka edhe një CV të pasur si trajner. Ne donim dikë që është punëtor, që shikon përpara dhe jo të kthejë kokën mbrapa. Cevoli është zgjedhja më e mirë që mund të bënim, edhe pse e përsëris që Bexhi ishte një trajner me vizion dhe jo më kot sot është pjesë e Lids. Me trajnerin e ri kemi një kontratë dyvjeçare dhe duam që të krijojmë një ekip me filozofi italiane.

Roberto Cevoli

Të bëjmë një ekip që luan futboll të bukur dhe kënaq tifozët. Së bashku me presidentin kemi hartuar një projekt afatgjatë. Qyteti i Durrësit që ka një ekip emër të madh në futbollit tonë dhe këtë emër djemtë duhet ta nderojnë. Të gjithë duhet të impenjohen siç duhet dhe të japin maksimumin për ekipin, për egon e tyre, ta ndiejnë përgjegjësinë që kanë, por edhe të fitojnë diçka vetë se janë të gjithë profesionistë. Në janar do të ketë ndryshime.

Ata që nuk angazhohen si duhet nuk do të jenë pjesë e Teutës. Jo më kot kemi marrë një trajner italian, kështu që duam të kemi një skuadër që luan futboll dhe jo një grup që largon topin. Trajneri është një njeri që punon shumë me ekipin dhe stafi është po i njëjti që kishte Bexhi. Pra, do të vazhdojë projekti që nisëm në fillim”, u shpreh për “Panorama Sport” zv.presidenti Bardhi.

Skeda Cevolli

Italiani i dytë në 6 javë

Roberto Cevoli është emëruar trajneri i ri i Teutës. 47-vjeçari bëhet trajneri i dytë italian që drejton durrsakët brenda gjashtë javëve të fundit. Cevoli vjen në Durrës me një kontratë dyvjeçare, stafi i tij do të jetë i njëjti që kishte ish-trajneri Bexhi. Timonieri i ri i Teutës njihet si një trajner kërkues dhe që punon shumë me moshat. Durrsakët janë drejtuar deri tani nga dy trajnerë, Bexhi dhe Begeja, por skuadra ende nuk e ka marrë fitoren e parë në kampionat.

Jeton Rexhmati

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"