Isufi: Halili më shokoi me atë që tha. Një ditë pas kaosit, stadiumi në gjendje… “lufte”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 13, 2014 | 16:25

Isufi: Halili më shokoi me atë që tha. Një ditë pas kaosit, stadiumi në gjendje… “lufte”

IsufiIsuf Isufi, zv.presidenti i Vllaznisë, i cili së bashku me Grimën ka qenë përkrah Refik Halilit në momentin e goditjes së tij, por edhe pas përfundimit të takimit, është shprehur i habitur për deklaratën e dhënë nga donatori i Tiranës. Isufi ende nuk e beson, madje thotë që kjo akuzë nuk është dhënë nga vetë Halili. “Nuk mendoj se z.Halili, një mik i imi ndër vite, të ketë thënë një gjë të tillë. Nuk e besoj se ato që janë thënë për sa i përket incidentit, të kenë dalë nga goja e tij. Ai ka qenë me ne përgjatë gjithë takimit dhe pas tij. Unë kam qenë pranë tij kur e kanë goditur. Fjalët e tij në adresën tonë kanë qenë krejt ndryshe nga sa ishin deklaruar në gazeta. Shtrembërimet e së vërtetës mendoj se nuk do të përkrahen as nga vetë z.Halili. Unë e thashë, e kam një mik dhe kështu do të vazhdojmë të jemi. Unë kam besimin se do të jetë vetë Halili që do të thotë me gojën e tij dhe jo me një shtrembërim çfarë ka ndodhur në të vërtetë me incidentin”, ka thënë fillimisht zv.presidenti.
Marrëdhëniet – Sakaq, ai shfaq bindjen se marrëdhëniet e prishura mes tifozërive të Vllaznisë e Tiranës do të rregullohen shumë shpejt. Sipas tij, raportet nuk do të ndryshojnë dhe se paqja mes palëve nuk do të vonojë. Për këtë arsye ai e thotë hapur që tifozët e Tiranës do të jetë kurdoherë të mirëpritur në Shkodër. “Unë kam besimin se falë bashkëpunimit që do të kemi mes dy klubeve, do të gjejmë edhe një qetësi mes tifozërive. Nuk ka asnjë kuptim që të mungojnë tifozët e Tiranës në Shkodër dhe e anasjellta, ata të Vllaznisë në Tiranë. Ne i bëjmë thirrje tifozërisë së Tiranës që në takimin e ardhshëm ata do të jenë të mirëpritur në ‘Loro Boriçi’, por të arrijnë që të tregojnë vlerat e tyre më të mira dhe jo të veprojnë si në ndeshjen e fundit. Kam besimin se mes nesh do të ketë raporte të mira, siç i kemi trashëguar ndër vite”, ka deklaruar zv.presidenti i Vllaznisë.
A.Uruçi

stadiumiNjë ditë pas kaosit, stadiumi në gjendje… “lufte”
11 shtatori do të shënjohet si datë historike jo vetëm për Amerikën, por edhe për Shkodrën. Ata që nuk mundën të përjetonin trazirat e vitit të mbrapshtë 1997 patën mundësi që në sfidën Vllaznia- Tirana të shihnin disa copëza, sot, pas 17 vitesh. Mëngjesi i 12 shtatorit e ka gjetur stadiumin “Loro Boriçi” si një bazë ushtarake të shkatërruar nga sulme luftarake e jo një gjendje pas një ndeshjeje të thjeshtë futbolli. Punonjësit e stadiumit e kanë gdhirë natën duke pastruar në çdo cep të mundshëm karriget e thyera, gurët, shkopinjtë e çdo mjet tjetër që fluturonte në fushë pa më të voglën mëshirë. E gjithë pista poshtë tribunave, ku zakonisht stërviten atletët, ka qenë e mbushur me stolat e masakruar nga tifozët. Megjithatë, grupi i futbollistëve që nuk luajti në ndeshjen përballë Tiranës ka vijuar normalisht stërvitjen në fushën e stadiumit “Loro Boriçi”. Patjetër që kjo nuk mund të ishte një stërvitje si gjithë të tjerat. Përjetimi i asaj rrëmuje të madhe që bëri bujë, duke prishur edhe rehatinë e qeveritarëve, nuk mund të përtypej si kurrgjë nga futbollistët dhe stafi teknik. Ashtu, mes asaj katrahure, janë munduar që të stërviten, por natyrisht me një tjetër emocion se seancat e zakonshme. Në fytyrat e tyre shihej qartë ndjenja e asaj çfarë kishin përjetuar. Bëlbëzitjet me tone të ulëta për çfarë ka ndodhur ishin më me rëndësi se vetë stërvitja ndoshta. Lajmet për të arrestuarit, të shpallurit në kërkim dhe ata që po ndiqen në gjendje të lirë ishin më me rëndësi për lojtarët e Vllaznisë. Vendi ku kanë qëndruar tifozët e Tiranës, në fundin e tribunës A në stadiumin “Loro Boriçi”, një ditë më pas ishte thuajse tërësisht i rrafshuar. Aty nuk kishte mbetur asgjë, përveç copëzave të karrigeve, disa shisheve e papastërtive të tjera. Madje, edhe disa prej kangjellave ku tifozët e Tiranës kapërcyen duke dalë në fushë dukeshin të shtrembëruara, çka tregon se çfarë force e madhe është ushtruar aty. Punonjësit e stadiumit nuk pushonin duke bërë të pamundurën për ta pastruar sa më shpejt, por sasia e madhe dhe pista e mbushur bashkë me tribunat do kohën e vet për t’u kthyer si më parë. Duket qartë që dëmet janë të mëdha dhe përllogariten në miliona lekë. Edhe muret janë zhveshur, sepse tifozëve u janë dashur tullat dhe gurët si artileri ndaj kundërshtarit.
Trajneri Trajneri i Vllaznisë, Baldo Raineri ndjen keqardhje për atë çfarë ka ndodhur. “Hera e parë që përjetoj diçka të tillë. Kam parë në televizione kësi ngjarjesh, por tani që e përjetova ndiej shumë keqardhje. Policia ndoshta duhej të ishte pak më e organizuar, por edhe tifozët ndoshta duhet të përmbaheshin. Gjëra të tilla nuk i shërbejnë askujt. Lojtarët, por edhe ne u rrezikuam ashtu si shumë tifozë. Shpresoj të mos përsëritet asnjëherë, sepse rreziku ishte i madh”, përfundon Raineri për “Panorama Sport”.
Qyteti Në Shkodër, kryefjalë e të gjithëve nuk ishte gjë tjetër veçse përleshjet e tifozëve të Tiranës me ata të Vllaznisë. Përleshja mbetet historike dhe, sa herë të na kujtohet, do të na vijnë në ndër mend momentet e tmerrit. Tashmë qyteti është i qetë! Shkodra jeton ditët e zakonshme! Nuk ka më sirena ambulancash!
SENAD NIKSHIQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"