Shembja e Dinamos, 5 javë si Erzeni dhe Kukësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 14, 2024 | 16:43

Shembja e Dinamos, 5 javë si Erzeni dhe Kukësi

Qëndrimi në Superiore mund të shihet si një “ngushëllim” për Dinamon, që nga vendi i 4-t përfundoi në të 7-in. Nuk është aspak ironi, sepse me ritmin që eci skuadra blu në 5 javët e fundit, nëse kampionati do të ishte pak më i gjatë, nuk do të ishte çudi që të ndërronte vendin me Laçin dhe të shkonte në “play out”.

dinamo

Dhe pastaj, nën ethet e rënies, gjithçka mund të ndodhte dhe stresi do të ishte i jashtëzakonshëm. Pikërisht këto 5 ndeshje të fundit jo vetëm i mohuan Dinamos pjesëmarrjen në finalet e titullit, por u parakalua edhe nga Skënderbeu, Tirana dhe Teuta. Skuadra shembi thuajse gjithçka të mirë që bëri dhe përgjegjësitë bien mbi të gjithë në këtë rast.

SI ERZENI DHE KUKËSI – Ecuria e Dinamos në 5 ndeshjet e fundit të kampionatit të rregullt ishte njësoj me atë të Erzenit dhe Kukësit, dy skuadrave që ranë nga kategoria. Vetëm këto tri skuadra morën vetëm 1 pikë në këto javë. Katër humbje dhe vetëm një barazim nuk kanë nevojë për shumë koment sa i takon rendimentit në fushë. Fakt është që në të gjitha ndeshjet blutë kanë pasur mundësitë e tyre në zonën kundërshtare për t’i dhënë tjetër rrjedhë lojës, por në asnjë rast nuk ia kanë arritur qëllimit. Shumë gabime në sulm dhe mbrojtje, në ndonjë rast edhe mungesë fati, por asgjë nuk e justifikon faktin që një skuadër pretendente të marrë vetëm 1 pikë nga 15 të mundshme.

NDRYSHIMET – Pas kësaj paraqitjeje që e prishi jo pak humorin në klubin dinamovit, pritet që skuadra të pësojë ndoshta më shumë ndryshime nga sa ishte menduar deri 5 javë më parë. Presidenti Adrian Bardhi dhe drejtuesit e tjerë të klubit blu kanë gjithë kohën e nevojshme për të marrë vendimet e duhura. Dinamo do të vazhdojë stërvitjen deri në fund të muajit dhe deri atëherë do të jenë qartësuar shumë çështje.

Çështja e parë që do të zgjidhjet është ajo e stafit teknik. Deri tani nuk ka një konfirmim të atij aktual, ndaj dhe gjithçka mbetet për t’u parë në vazhdim. Këtë herë pozitiv është fakti që kryeqytetasit kanë një bazë lojtarësh, nga e cila mund të nisen për sezonin e ri. Me lojtarët në fund kontrate nuk është preferuar rinovimi dhe ata pritet të largohen në fund të majit. Këtu bëjnë pjesë Behiratçe, Marku, Bardhi dhe ndonjë tjetër, por largime do të ketë edhe nga ajo pjesë lojtarësh që janë nën kontratë. Të mërkurën është programuar që Dinamo t’i rikthehet fushës për të vazhduar stërvitjen, pas ndeshjes me Teutën.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"