Isuf Isufi del garant: E mbaj unë Vllazninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 3, 2014 | 13:42

Isuf Isufi del garant: E mbaj unë Vllazninë

Isuf IsufiZv.presidenti aktual i Vllaznisë, Isuf Isufi, është personi që ka marrë përsipër gjithçka në klubin shkodran, që në momentin kur është emëruar si numri dy i tij. I pyetur dje nga “Panorama Sport”, në lidhje me çështjen e kompanisë zvicerane, sqaroi: “Deri tani nuk ka asgjë konkrete për sa u përket zërave që Nava dhe Barberis mund të tërhiqen. Nuk di të them asgjë në këtë drejtim. Ndërsa, nëse një gjë e tillë ndodh, unë mund të them se jam i vendosur që të vazhdoj dhe të jem përsëri pjesë e Vllaznisë. E kam thënë se si një shkodran nuk mund të largohem nga Vllaznia. Do vazhdoj të bëj maksimumin për këtë skuadër, pa përjashtuar në asnjë moment stafin, që po punon me shumë përkushtim për këtë klub. Tani për ne kanë rëndësi rezultatet e ekipit tonë. Ato janë të mira dhe kjo është meritë e drejtuesve teknik, ekipit, por edhe e gjithë klubit që po funksionon në mënyrën më të mirë”. Ndërkohë, para takimit me Elbasanin, zv.presidenti Isufi premtoi se do të ketë një shpërblim të majmë për ekipin, në rast se merr 6 pikë në dy takimet e radhës. Pas fitores me Elbasanin, të dielën Vllaznia luan ndaj Laçit në transfertë. “Nuk do t’i mungojë premio dhe ju e dini që kur kam folur e kam mbajtur fjalën. Megjithatë, mos më kërkoni që të them se sa do të jetë kjo premio. Kjo nuk do t’i bëjë mirë ekipit, pasi në vend të stërvitjes, mund të mbajë mendjen te premio. Unë do t’i takoj lojtarët dhe do t’u jap mbështetjen time atyre”, ka thënë dje zv.presidenti kuqeblu.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"