VIDEO/ Egnatia përsërit historinë, mund Kukësin dhe fiton për të dytin vit radhazi Kupën e Shqipërisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 14, 2024 | 23:59

VIDEO/ Egnatia përsërit historinë, mund Kukësin dhe fiton për të dytin vit radhazi Kupën e Shqipërisë

Egnatia ka fituar për edicionin e dytë radhazi Kupën e Shqipërisë. Ashtu si një vit më parë, sukses në finale ka qenë me shifrat 1-0. Por këtë radhë kishte përballë Kukësin që synonte të mbyllte edicionin e rënies nga kategoria të paktën me një trofe.

Kupa-e-Shqiperise

Skuadra rrogozhinase, ashtu siç pritej, ishte më konkrete në lojën e saj, teksa u tregua e kujdesshme që të shfrytëzonte çdo hapësirë që i lejonin verilindorët. Goli i Ndrecës i dha qetësinë që të mendonte për të administruar minutat dhe forcat, teksa Kukësi shfaqi shumë vështirësi për t’iu afruar një barazimi të mundshëm.

Tafas mbajti në lojë skuadrën e tij deri në fund duke pritur një penallti të Fernandos, por nga ana tjetër sulmuesit verilindorë nuk ia dolën që të konkretizonin rastet që krijuan në fund.

Kësisoj, Egnatia e mbylli ndeshjen me fitoren minimale 1-0 duke siguruar trofeun e Kupës për të dytin vit radhazi, ndërsa Kukësi nuk ia doli të mbyllte më një gëzim këtë edicion.

KUKËSI-EGNATIA 0-1
38′ Ndreca

NGJARJET KRYESORE

90’+6’ Mbyllet ndeshja me fitoren 1-0- të Egnatias që fiton Kupën e Shqipërisë.

90’+3’ Hasaj përfiton nga një top në thellësi dhe mposht Sherrin, por sfera ndalet vetëm në rrjetën e jashtme. (VIDEO)

90’+2’ Një top në qendër nuk devijohet as nga Lala dhe as nga Solodovnikov.

90’ Jepen 5 minuta shtesë.

89’ Dylis ndëshkohet me të verdhë për vonesa loje.

86’ Zenunaj merr vendin e Lleshit në radhët e Kukësit.

86’ Xhoel ndëshkohet me karton të verdhë për faull në sulm.

85’ Montenegro përfiton nga hapësira në krahun e majtë, hyn në zonë dhe gjuan por gjen përgjigjen e Tafas. (VIDEO)

84’ Xhoel merr vendin e Fernandos në radhët e Egnatias.

81’ Montenegro nis Zejnullain në kundërsulm, Lleshi e ndal në mënyrë të parregullt duke u ndëshkuar me të verdhë, edhe pse rrogozhinasit kërkonin të kuq.

80’ Fejzaj, Zhongo dhe Reçi janë ndëshkuar brenda pak minutash me karton të verdhë nga Xhaja për protesta.

79’ Pret penalltinë Tafas! Portieri devijon gjuajtjen e Fernandos. (VIDEO)

77’ Gjuajtje e fortë e Fangajt, Mingo devijon sferën. Aksioni vazhdon dhe vetëm pasi ndalet loja, gjyqtari sinjalizohet për të parë VAR. Gjyqtarai bën shenjë më pas nga pika e bardhë duke dhënë penallti për Egnatian. (VIDEO)

75’ Kukësi humb një mundësi të mirë shënimi kur Lleshi kthen topin në qendër ku askush nuk ia del të devijojë sferën drejt portës. (VIDEO)

74’ Salami në zonë harkon në qendër ku Malota largon sferën. Verilindorët kërkojnë penallti për prekje të topit me dorë por për gjyqtarin dhe VAR nuk ka asgjë.

71’ Rashiti merr vendin e Lamçes në radhët e Kukësit.

70’ Një goditje dënimi nga e djathta harkohet në shtyllën e dytë për Zhongon, ky i fundit kthen topin në qendër ku Sherri ka gjithçka në kontroll. (VIDEO)

63’ Karton i verdhë edhe për Solodovnikov për protesta.

62’ Zejnullai ndëshkohet me karton të verdhë pas një faulli ndaj Salamit.

61’ Salami mundohet të pasojë për Solodovnikov, por Sherri është i vëmendshëm dhe mbërthen sferën para sulmuesit të Kukësit.

53’ Pas një goditje dënimi, Zhongo ul topin për Lalën i cili gjuan por nuk gjen portën e Sherrit. (VIDEO)

52’ Karton i verdhë për Fernandon, i cili ndal në mënyrë të parregullt një kundërsulm të Hasajt.

50’ Vetë Hasaj gjuan direkt në portë nga goditja e dënimit, por gjen përgjigjen e Sherrit. (VIDEO)

49’ Hasaj nga e djathta tenton të hyjë në zonë, ndalet në mënyrë të parregullt nga dyshja Xhemajli-Ndreca. (VIDEO)

46’ Pjesa e dytë nis pa ndryshime të tjera në radhët e dy skuadrave.

45’-3’ Mbyllet pjesa e parë me avantazhin 1-0 të Egnatias.

45’ Jepen 3 minuta shtesë në fund të pjesës së parë.

44’-45’ Probleme fizike për Fernandon i cili ka nevojë për ndihmën e mjekëve që e shoqërojnë për momentin jashtë fushës së lojës.

41’ Tjetër aksion i rrogozhinasve që kërkojnë të gjejnë gol përsëri në të majtën me Ndrecën. Këtë herë lojtari bllokohet mirë nga mbrojtja verilindore që shmang rrezikun.

38’ GOOOL EGNATIA! Aksion i gjatë i rrogozhinasve me Fangajn në të djathtën. Pasimi në qendër i mbrojtësit gjen Ndrecën i cili nuk gabon duke shënuar përballë ish-skuadrës. (VIDEO)

30’ Insiston Egnatia në krahun e majtë të sulmit me harkime radhazi në zonë. Një i tillë shkon drejt Zejnullait, por Reçi devijon dhe e kthen topin drejt portës ku Tafas kontrollon. (VIDEO)

27’ Tafas nis me shpejtësi Salamin në krahun e djathtë, futbollisti i Kukësit nuk ia del të kalojë Xhemajlin i cili merr kontrollin e sferës.

26’ Montenegro shfaqet në zonë në krahun e djathtë, pasimi i tij në qendër devijohet dhe kontrollohet nga verilindorët.

25’ Fernando nga e majta vonohet në pasimin drejt qendrës dhe mbrojtësit i heqin topin duke e kaluar në anësore.

24’ Dragoshi lë fushën e lojës, duke i bërë vend Hasajt në radhët e Kukësit.

22’ Dragoshi ka probleme fizike dhe kërkon ndihmën e mjekëve, por kërkon zëvendësim edhe pse kthehet në fushë për të mos lënë ekipin në inferioritet numerik.

21’ Në vijimin e goditjes nga këndi, topi shkon te Xhemajli, por devijimi i këtij të fundit kontrollohet lehtësisht nga Tafas.

20’ Ndreca harkon nga e majta në fundore drejt shtyllës së dytë, Reçi largon direkt në këndore për të mos rrezikuar.

15’ Kukësi po mundohet në këto minuta që të qarkullojë më shumë topin për të mos lejuar Egnatian që të ketë manovrën. Megjithatë, verilindorët nuk arrijnë të krijojnë raste të rrezikshme.

9’ Montenegro fiton topin në gjysmëfushën kundërshtare dhe nuk vonohet por lëshon një predhë nga jashtë zonës. Tafas grushton në këndore. (VIDEO)

8’ Aksion me shumë pasime i Kukësit në krahun e djathtë. Në fund harkimi i Fejzajt devijohet në këndore.

8’ Të dy skuadrat po mundohen në këto minuta që të gjejnë hapësira nga krahët me top të gjatë për të shpërthyer drejt zonës, pas sukses.

3’ Ahmetaj nis një top të gjatë drejt Zejnullait, i cili nuk kontrollon mirë në zonën kundërshtare dhe mbrojtja largon rrezikun.

1’ Shkelmohet topi i parë në “Air Albania”.

FORMACIONET ZYRTARE

KUKËSI: Tafas, Lamçe, Lala, Reçi, Zhongo, Lleshi, Dragoshi, Mingo, Fejzaj, Salami, Solodovnikov.
Trajner: Bledar Devolli

EGNATIA: Sherri, Dulis, Malota, Xhemajli, Ndreca, Fangaj, Ahmetaj, Zejnullai, Fernando, Ibrahimoglu, Montenegro.
Trajner: Edlir Tetova

70cf5fe7-e64d-42b8-b106-8a6045e0eb6f

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"