Ish-kapiteni i Egnatias: Bënë goditje spektakolare në merkato, suksesi u vulos në janar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 15, 2023 | 20:50

Ish-kapiteni i Egnatias: Bënë goditje spektakolare në merkato, suksesi u vulos në janar

Ish-kapiteni i Egnatias mbi dy dekada më parë, Sokol Gosa, në një intervistë për “Panorama Sport”, pas kualifikimit historik në finalen e Kupës të rrogozhinasve, ka analizuar me detaje suksesin e ekipit.

Gosa

Edhe pse ka besuar shumë te ky grup lojtarësh, ai thekson se sekreti i kësaj arritjeje të jashtëzakonshme ishte merkatoja e bërë në janar, ku u afruan elementë që bënë diferencën si Rafael Duamena dhe Redi Kasa. Në pritje të finales së Kupës ndaj Tiranës më 1 qershor, tashmë Egnatia duhet të sigurojë Europën përmes vendit të tretë në kampionat.

Sokol, në 32 javët e deritanishme paraqitja e Egnatias ka befasuar jo pak, ndërsa aktualisht është në vendin e tretë. E keni pritur këtë?

E vlerësoj si mbresëlënëse paraqitjen e Egnatias në 32 javët e deritanishme. Skuadra ka ecur paralel me objektivat e vënë në fillim të sezonit nga klubi. Për herë të parë u sigurua dalja në finalen e Kupës, që është një ngjarje vërtetë shumë e rëndësishme.

Çfarë ju ka bindur që të besonit te ky sukses?

Në veçanti interpretimi i përballjeve me Vllazninë dhe Laçin më ka bindur shumë. Fitoret, sidomos, me këto dy skuadra, u realizuan në mënyrë perfekte. Pastaj, synimet e presidencës ishin sigurimi i mundësisë për të luajtur për herë të parë në Europë dhe kjo po bëhet fakt tashmë. Veçmas kampionatit, u ngulmua shumë edhe në Kupë, duke rezultuar deri tani i suksesshëm impenjimi në të dyja frontet. Mendoj se janë dy arsye që sollën këtë sukses. Së pari, puna e palodhur në stërvitje dhe studimi me kujdes i kundërshtarëve. E dyta, mendoj se kanë qenë goditjet që u bënë në merkaton e janarit, të cilat rezultuan spektakolare.

Ndeshja e radhës me Kastriotin luhet në Elbasan. Mendoni se skuadra do të vijojë me fitore?

Shoh angazhim dhe seriozitet maksimal nga skuadra. Natyrisht, ka një optimizëm si asnjëherë më parë. Egnatias tashmë i duhen edhe katër pikë që ta hipotekojë plotësisht vendin e tretë.

Keqardhja më e madhe në këtë moment historik është dënimi i fushës dhe luajtja pa tifozë. Nëse Egnatia fiton të mërkurën a do të nisë festa edhe për ata?

Jam në dijeni se drejt Elbasanit të mërkurën priten një lumë tifozësh nga Rrogozhina. Ata po bëjnë një sakrificë të jashtëzakonshme për të ndjekur ekipin e zemrës me të gjitha mënyrat. Besoj se këtë mesjavë do të vijë festa e ëndërruar.

Si një ish-mbrojtës dhe ish-kapiten i dy dekadave më parë, ju ka bërë përshtypje ky repart tek Egnatia e këtij sezoni?

E quaj mbrojtje model. Patëm luksin që të kemi një skuadër me “profesorë” në këtë repart, e sidomos një lider si Malota. Por dua të veçoj dhe portierin Sherri me trajnerin e tij, Taulant Guma. Pa harruar edhe lojtarët e tjerë të këtij reparti, që kanë bërë mirë gjithçka në stërvitje dhe ndeshje zyrtare.

Kjo skuadër ka edhe pak Brazil, me Xheksonin dhe Fernandon, që kanë shkëlqyer këtë sezon…

Kur janë në ditën e tyre më të mirë ata dhurojnë vërtetë spektakël. Finesa me topin dhe golat spektakolarë, si nga Xhekson, ashtu edhe nga Fernando, do të mbahen mend gjatë nga tifozëria rrogozhinase.

Sulmi me lojtarë klasi si Duamena, Kasa dhe Paulauskas është rritur potencialisht. Kush mendoni se e ka nxitur këtë stil loje interesant dhe efektiv mbi të gjitha?

Përpos vlerave dhe potencialit që disponojnë, sidomos ylli i Superiores, Rafael Duamena, është edhe dora e trajnerit Tetova, që ka ditur me mjeshtri të kombinojë pozicionet e tyre në varësi të kundërshtarëve. Ndryshimi i modulit brenda ndeshjeve ka qenë me të vërtetë efikas.

FATMIR EFICA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"