Gvozdenoviç flet edhe si… zv.trajner: Nuk e kam menduar largimin nga Skënderbeu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 24, 2014 | 12:16

Gvozdenoviç flet edhe si… zv.trajner: Nuk e kam menduar largimin nga Skënderbeu

Odesa-Skenderbeu 1-0, Gvozdenovic ne dyluftimPër herë të parë që pas pezullimit disajavor, Ivan Gvozdenoviç flet në një intervistë për “Panorama Sport”, duke rrëfyer për rikthimin e tij, dëmtimin, si dhe ambiciet për të ardhmen. Serbi flet për ofertat që i kanë ardhur në momentin kur ishte i pezulluar dhe sqaron se asnjëherë nuk e pat menduar largimin.
Ivan, u dëmtuat në fund të takimit kundër Jang Bojs. Rrezikoni?
Po, jam i dëmtuar dhe si çdo dëmtim është serioz dhe duhet të marrë një kohë të caktuar deri sa të rikuperohem plotësisht. Kërkon një terapi të mirë dhe mjeku Pantazi po më ndihmon shumë që të rikthehem në një kohë të shkurtër. Ishte një dëmtim disi më i lehtë nga sa e kishim imagjinuar, por do të kalojë shumë shpejt.
Kjo do të thotë se do i mungoni ekipit në dy miqësoret në Spanjë?
Ndaj polakëve nuk besoj. Megjithëse mendoj se, me shumë mundësi, do të jem gati për ndeshjen e radhës kundër Malagës të paktën për një pjesë loje.
Pas rikthimit nga pezullimi i përkohshëm te Skënderbeu gjithçka është kthyer në normalitet?
Po, gjithçka është normale. Jam rikthyer dhe menjëherë kam gjetur ngrohtësinë e shokëve të ekipit, e cila nuk më ka munguar asnjëherë. Gjithashtu kam pasur edhe mbështetjen e stafit teknik dhe të presidentit Takaj. Gjithçka është si më parë dhe pezullimi tashmë është një kapitull i harruar nga të gjithë.
Gjatë kohës që keni qenë i pezulluar është e vërtetë që keni pasur oferta nga klube të tjera?
Po, është më se e vërtetë. Kam pasur disa oferta konkrete dhe më duhet t’i falënderoj ato klube që kanë shfaqur interes ndaj meje. Ndonëse, gjatë gjithë kohës nuk i konsideroja këto oferta, pasi kisha kontratën me Skënderbeun deri në qershor dhe dëshira ime që në fillim ishte të qëndroja në Korçë. Kjo për mua është si një shtëpi e dytë dhe dëshira është të vazhdoj këtu. Në fund të sezonit do të diskutojmë me presidentin Takaj dhe do të vendosim të ardhmen bashkërisht.
Në këtë pikë do të qëndroni te Skënderbeu deri në fund të kontratës? Çfarë do të ndodhë vitin e ardhshëm?
Është shumë e vështirë të jap një përgjigje për momentin se çdo të ndodhë me të ardhmen time në këtë moment. Ndihem mirë te Skënderbeu dhe, siç e thashë pak më parë, është shtëpia ime e dytë, kam respekt të veçantë për drejtuesit e klubit dhe për tifozët. Do të diskutoj me presidentin dhe do të vendosim, pasi është ai që mund të zgjedhë dhe të vendosë se çfarë do të ndodhë. Por, dëshira ime është të qëndroj gjatë këtu.
Le të ndalemi pak te merkatoja. Ekipet e tjera janë përforcuar mjaft. Do të jetë më e vështirë të shpalleni sërish kampionë edhe këtë vit?
Po, mendoj se do të jetë disi e vështirë. Ekipet e tjera po sjellin shumë lojtarë cilësorë dhe që janë forcuar ndjeshëm. Mirëpo ne kemi një grup të kompletuar dhe, ndonëse nuk kemi bërë blerje në këtë merkato, jemi më të fortë se ekipet e tjera. Jemi në vend të parë në kampionat dhe do të mbetemi të parët deri në fund. Kemi besimin se edhe këtë vit do të jemi ne kampionët.
Në Korçë flitet se një mundësi është që të jeni në rolin e zëvendëstrajnerit. Do e pranonit një pozicion të tillë?
Normalisht që më pëlqen si ide. Do të jetë një kënaqësi nëse vazhdoj të punoj akoma me ekipin bardhekuq dhe të koleksionojmë akoma edhe më shumë suksese. Më pëlqen jashtë mase ideja, pasi kam ambicionet e mia si trajner në të ardhmen.

Miqësore në Malaga me një polake
Skënderbeu vazhdon të punojë me dy seanca stërvitore, teksa edhe gjatë ditës së djeshme ka marrë ngarkesat e duhura paradite e pasdite. Vetëm Gvozdenoviç është stërvitur veçmas grupit, si pasojë e dëmtimit. Sot ekipi do të zhvillojë një seancë të lehtë gjatë paradites dhe më pas pritet të përballet me një ekip polak në një miqësore që do të luhet në Malaga. Me shumë mundësi, trajneri Josa ditën e sotme do të provojë ekipin që do të hedhë në fushë në ndeshjen e parë kundër Vllaznisë, sfidë që luhet më datë 2 shkurt.

Skënderbeu, kampion edhe në … Amerikë
Skënderbeu nuk është kampion në Shqipëri, por edhe në Amerikën e largët. Këtu nuk flasim për skuadrën e drejtuar nga trajneri Josa në fakt, por për një tjetër ekip, që mban të njëjtin emër dhe militon në kampionatin amator të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku këtë sezon është shpallur edhe kampion. Mirëpo, kjo nuk është e përbashkëta e vetme e këtij ekipi me Skënderbeun tonë. Kjo, pasi pjesa dërrmuese e organikës së Skënderbeut në SHBA përbëhet nga emra të mirënjohur në Korçë, që më parë kanë luajtur për ngjyrat e bardhekuqve, pra flasim për 6 “ish”. Pjesë e kontingjentit në kampionatin amerikan, veç të tjerëve, dallohen Rigels Qosa, ish-kapiteni i korçarëve. Por, jo vetëm, pasi ka edhe emra si: Restiald Agolli, Dembo, Bernardo Tiko (ish-portier i Skënderbeut), qendërmbrojtësi Altin Drita dhe Olgert Dalipi, që mban rolin e trajnerit të këtij ekipi. Ndryshe nga fillimet e saj, kjo skuadër tashmë ka në përbërje edhe lojtarë të kombësive të tjera. Ndërkohë, ai që po e mban gjallë emrin e Skënderbeut në Amerikë, është presidenti i ekipit Arben Buzali, i cili është personi më i apasionuar pas ekipit. Nga sa flitet ditët e fundit, mendohet se ndoshta në vazhdim do të programohet një miqësore mes dy Skënderbeve. Në fakt, për të vënë në zbatim një ide e tillë, duhet pak kohë, ndaj ndoshta mbetet faza përgatitore e verës për këtë përballje. Një dëshirë të tillë e ka shprehur vetë presidenti Ardjan Takaj, ndërkohë që e konfirmon edhe vetë trajneri i skuadrës së Skënderbeut në Amerikë, Olgert Dalipi. Ky i fundit ka theksuar se, pas disa mesazheve të shkëmbyera me numrin një të skuadrës korçare, Takaj, të dyja palët kanë menduar që të organizojnë një miqësore luksi, duke e bërë realitet këtë ëndërr.
LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"