Grupi B: Tripletë e Albpetrolit, Tepelena nuk tërhiqet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 8, 2013 | 14:06

Grupi B: Tripletë e Albpetrolit, Tepelena nuk tërhiqet

Përmbysje e Tepelenës, Bilishti del nga gara
TEPELENA-BILISHT SPORT 2-1
GOLAT: Gaba 8′(p), Aliaj 50’/ Ametlli 7′
TEPELENA: Merdani, Sako, Këndella, Skënderaj, Mera, Gaba (Çela 77′), H.Jaupi, Muçi (A.Jaupi 62′), Qori, Aliaj, Laçi. Trajner: I.Selimi
BILISHT SPORTI: Xhemollari, Pere, Koçi (Rexha 61′), Pino, Islami, Macolli, Xhoga (Çuko 85′), Demiri, Hysolli (Çaushllari 33′), Ngjela, Ametlli. Trajner: T.Meraku
KARTONË TË VERDHË: Pino, Xhoga, Pere
GJYQTARË: A.Paço, E.Hatiaj, M.Troka (Fier)

Sfida Tepelena-Bilisht Sporti ishte edhe kryendeshja e javës së 15-të të Kategorisë së Dytë për Grupin B. Një takim që është zhvilluar mjaft i fortë dhe i bukur. Tepelena arrin të fitojë 2-1 dhe vazhdon të shpresojë deri në fund te ndalesa e Albpetrolit të vendit të parë. Takimi ka nisur me gol për miqtë. Është minuta e 7-të kur shtatlarti i Bilishtit, Ametlli, arrin të shënojë pas një kundërsulmi të shpejtë. Megjithatë, avantazhi i miqve nuk zgjat më shumë se një minutë. Mesfushori Heklan Jaupi pengohet në zonë nga mbrojtësi Pino dhe kryesori akordon 11-metërsh. Nga pika e bardhë gjuan Gaba, që barazon 1-1. Me këtë rezultat përfundon pjesa e parë. Vetëm pesë minuta pas fillimit të pjesës së dytë, tepelenasit kalojnë në avantazh me anë të Aliajt pas një asisti të Qorit. Vendësit kanë krijuar raste për shënim dhe në minutën e 70-të pretendojnë për një tjetër penallti, por këtë herë gjyqtari nuk mendon kështu. Minutat e mbetura administrohen mirë nga vendësit, që fitojnë 2-1 dhe ngjiten në kuotën e 37 pikëve. Kur kanë mbetur edhe tri javë deri në fund, diferenca ndërmjet Tepelenës së vendit të dytë dhe Albpetrolit të vendit të parë është pesë pikë.
Oltion Dogani

Albpetroli mbyll ndeshjen për 14 minuta
ALBPETROL-GRAMOZI 3-0
GOLAT: Goxhaj 28′, 31′, Hajdaraj 42′
ALBPETROLI: Aga, Derka (Fejzullai 65′), Leka, Aliaj (Jovani 46′), Mbyeti, Kule, Hysenshahaj, K.Arapi, A.Arapi, Hajdaraj (Ferko 46′), Goxhaj. Trajner: A.Ymeri
GRAMOZI: Metko, Er.Mydini, Lice, Doke, En.Mydini, Mete, Gramo (Hanani 46′), Hymeri, Arizaj, Rumi, Shametaj. Trajner: S.Rustemi
GJYQTARË: K.Prenga, E.Çuni, V.Nikolli (Laç)
VËZHGUES: D.Tabaku

Albpetroli nuk di të ndalet. Djemtë e Arben Ymerit fitojnë sërish duke mundur në fushën e tyre Gramozin me rezultatin 3-0. Pa frikë mund të thuhet se patosarakët janë me një këmbë në Kategorinë e Parë. Albpetroli i mbyll llogaritë me kolonjarët që në pjesën e parë, pasi shënon tre gola. Pas disa aksionesh është Goxhaj që shënon dy herë brenda katër minutash, në të 28-ën dhe të 31-ën. Më pas, në minutën e 42-të, është Hajdaraj që realizon golin e tretë. Në fraksionin e dytë, megjithëse ka pasur epërsi ndaj kundërshtarit, Albpetroli është kujdesur më shumë për të menaxhuar rezultatin.
Mikel Mbriçaj

Sopoti i falet Poçit, Këlcyra nuk reziston dot
SOPOTI-KËLCYRA 1-0
GOLI: Poçi 82′
SOPOTI: Hysa, Hoxha, Deda, Spahiu (Dosku 66′), Alliu, Lamaj, Hasballa (Çela 54′), Ballkoçi (Hasa 84′), Hajdari, Poçi, Suli. Trajner: B.Kola
KËLCYRA: Xheli, Xhati, Pepkola, Muça, Muzha (Hadaj 86′), Bejko, Ferkollari, Isufi (Ramadani 58′), Sadikaj, Xhepa (Kamberaj 64′), Kule. Trajner: R.Spahiu
KARTON I VERDHË: Lamaj
GJYQTARË: E.Demiraj, V.Tola, G.Kamolli (Fier)

Poçi u ka dhënë trepikëshin të tijve edhe në këtë sfidë me Këlcyrën. Me këtë gol të shënuar në minutën e 82-të, librazhdasit kanë dalë me kokën lart nga fusha duke siguruar 3 pikë mjaft të vlefshme. Pjesa e parë, pavarësisht rasteve të shumta, është mbyllur me porta të paprekura. Ndërkohë që në të dytën me kalimin e minutave presioni nga ana e librazhdasve është rritur, por edhe miqtë kanë shpresuar të marrin një pikë. Ai që u ka dhënë fund shpresave të miqve dhe tensionit të librazhdasve ka qenë Poçi, i cili ka tundur rrjetën kundërshtare duke vulosur rezultatin 1-0.
Ledion Qoshku

Përmeti vuan për tri pikë, vendos Shanaj
PËRMETI-SKRAPARI 1-0
GOLI: Shanaj 80′
PËRMETI: Toure, Metushi, Mihali, Hajredini, Tare (Duro 86′), Çarçani, Dori, Ibrahimi (Shanaj 66′), Capella (Zyba 87′), Mamillo, Kuro. Trajner: K.Sevo
SKRAPARI: Bako, Hatellari, Veisllari, Kaloçi, Kruti, Dizdari (Dosti 72′), Cecaj, Harka, Guri, Duro, Lamçe (Metollari 58′). Trajner: G.Lamçe
KARTONË TË VERDHË: Çarçani, Mamillo, Shanaj/ Harka, Kaloçi, Hatellari, Veisllari
GJYQTARË: E.Halo, E.Latifi, E.Halili (Memaliaj)

Shiu e ka shoqëruar gjatë gjithë kohës takimin ndërmjet Përmetit dhe Skraparit. Skuadrat kanë kërkuar t’i rrëmbejnë fitoren njëra-tjetrës, pasi janë të pozicionuara në fund të klasifikimit. Pjesa e parë është mbyllur me rrjeta të paprekura 0-0. Kanë qenë vendësit ata që kanë pasur një epërsi të dukshme, por pa arritur të shënojnë. Në 45 minutat e dyta sulmet e përmetarëve janë shtuar për të ardhur në minutën e 80-të, kur Shanaj zhbllokon rezultatin dhe kalon vendësit në avantazh. Në minutat e mbetura nuk ka më histori dhe Përmeti siguron 3-pikëshin e radhës.
Oltion Dogani

Poker i Delvinës, shënojnë veteranët
DELVINA-MEMALIAJ 4-0
GOLAT: Mehmeti 33′, 55′, 70′, Hakarepi 75′
DELVINA: Çallari, Hamiti, Çuno, Boci, Ymeri, Selfo (Bilo 56′), Hakarepi, Nasi, Cama, Margariti (Bibo 69′), Mehmeti. Trajner: A.Guga
MEMALIAJ: Mustafaj, Çaushi, Seiti, Gashi, Hima, Lika, Mema, Mirani (Arapi 83′), Meta, Bilaj, Shehu (Merko 84′). Trajner: A.Zhupa
KARTONË TË VERDHË: Margariti 20′, Çuno 60′
GJYQTARË: K.Bajramaj, F.Mata, K.Kotis (Tiranë)

Delvina ka mundur thellësisht Memaliajn me rezultatin 4-0 në sfidën e zhvilluar dje. Një përballje që ka folur tërësisht për vendësit, të cilët pas një loje të mirë kryesisht në pjesën e dytë i kanë shkatërruar memaliotët. Për vendësit si zakonisht do të mendojnë dy veteranët Hakarepi e Mehmeti, të cilët dinë ta marrin ekipin për dore. Tre golat e Dritan Mehmetit në minutat 33, 55 e 70 dhe një i kapitenit Hakarepi në të 75-ën kanë vulosur fitoren 4-0 të delvinjotëve. Pas triumfit të djeshëm, skuadra e Arjan Gugës është ngjitur në kuotën e 28 pikëve.
Tomorr Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"