Grupi B: Albpetroli në të Parën, proteston Tepelena

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 22, 2013 | 11:24

Grupi B: Albpetroli në të Parën, proteston Tepelena

Albpetroli-TepelenaALBPETROLI-SKRAPARI  4-0
GOLAT: Bratja 7′, Goxhaj 44′(p), Leka 53′, Papingu 71′
ALBPETROLI: Aga, Derka, Aliaj (Hajderasi 54′), Leka, A.Arapi, K.Arapi, Kule (Mici 46′), Bratja, Hysenshahaj (Papingu 65′), Goxhaj, Mbyeti. Trajner: A.Ymeri
SKRAPARI: Bako, Hatellari, Kaloçi, Dizdari (Memollari 70′), Kurti, Harka, Veizllari, Cecaj (Dhamo 46′), Hysenllari, Jaho, Halo (Dosti 46′). Trajner: G.Lamçe
KARTON I VERDHË: Kurti
GJYQTARË: E.Zhuli, D.Vrapi, K.Koti (Tiranë)

Albpetroli siguroi dje matematikisht ngjitjen në Kategorinë e Parë. Patosarakët rikthehen në këtë kategori pas 13 vitesh. Skuadra e drejtuar nga Arben Ymeri fitoi dje lehtësisht 4-0 ndaj Skraparit, duke e shndërruar sfidën në një festë të vërtetë për të gjithë qytetin e Patosit. Vendësit kalojnë në avantazh që në minutën e 7-të me anë të kapitenit Bratja. Në fund të pjesës së parë është Goxhaj që dyfishon rezultatin nga pika e bardhë e penalltisë. Miqtë mbrohen, por në minutën e 53-të Albpetroli realizon golin e tretë me anë të Lekës. Goli i katërt vjen në minutën e 71- të dhe është Papingu që gjuan bukur nga jashtë zonës dhe gjen rrjetën e portës mike. Çdo gjë ka përfunduar dhe në shkallët e stadiumit ka nisur festa. Meritë për këtë arritje kanë të gjithë futbollistët, trajneri Arben Ymeri, drejtuesit e klubit Iqmet Çela dhe Petraq Mihali, si dhe e kryebashkiakja e qytetit të Patosit, Rajmonda Balilaj, e cila i qëndroi pranë ekipit në çdo moment. Pas ndeshjes, trajneri i Albpetrolit, Ymeri, u shpreh: “Merita është e lojtarëve që kanë prodhuar lojëra të bukura e rezultative duke burrëri, sidomos në transferta. Tani do të festojmë gjatë”.
Mikel Mbriçaj

Bilishti nuk di të fitojë, paqe në Librazhd
SOPOTI-BILISHT SPORT 1-1
GOLAT: Hoxha 52′(p)/ Macolli 47′
SOPOTI: Leka, Hoxha, Spahiu (Alliu 62′), Lamaj, Nezha (Mema 54′), Hasballa (Dosku 62′), Ballkoçi, Hajdari, Deda, Suli, Poçi. Trajner: B.Kola
BILISHT SPORT: Xhabllaçi, Pere, Koçi, Rezhda, Islami, Macolli, Demiri, Xhoga, Pino, Hagjolli, Ahmeti. Trajner: T.Meraku
KARTON I VERDHË: Koçi
GJYQTARË: E.Halo, E.Tafili, E.Halili (Memaliaj)

Nuk kanë shkuar më larg se barazimi librazhdasit e Kolës, që nuk kanë treguar më të mirën e tyre në sfidën ndaj Bilisht Sportit. Një ndeshje e mirë për të dyja skuadrat, sidomos për bilishtarët, të cilët kanë arritur ta menaxhojnë më së miri dhe të dalin me një pikë nga fusha e blertë. Pjesa e parë, pavarësisht rasteve, është mbyllur 0-0. Ndërkohë që e dyta sjell gola, por edhe tension në fushën e lojës. Dy minuta pas fillimit të pjesës së dytë, miqtë befasojnë duke shënuar me Macollin. Megjithatë, vendësit barazojnë shumë shpejt me Hoxhën. Rezultati mbetet i pandryshuar deri në fund.
Ledion Qoshku

Delvinës i mjafton Mehmeti, dorëzohet Gramozi
DELVINA-GRAMOZI 1-0
GOLI: Mehmeti 23′
DELVINA: Çallari, Hamiti (Musta 46′), Boci, Janku, Ymeri, Cama (Muço 75′), Hakarepi, Nasi, Selfo (Bibo 46′), Kasimi, Mehmeti. Trajner: A.Guga
GRAMOZI: Metko, Kodra, Ymeri, Lice, Baçi, Rumi, Koroveshi (Ajdini 62′), Dake, Shametaj, Arizaj, Sula (Çaçani 48′). Trajner: S.Rustemi
KARTON I VERDHË: Nasi 80′
GJYQTARË: O.Yzeiraj, S.Hanaj, E.Hatija (Patos)

Delvinjotët nuk njohin rezultat tjetër veç fitores në shtëpi, teksa përballë kolonjarëve kanë vijuar serinë e rezultateve pozitive. Në prani të një numri të konsiderueshëm tifozësh vendës, djemtë e Arjan Gugës kanë dominuar përgjithësisht një 90-minutësh të qetë duke krijuar disa raste shënimi të konkretizuara vetëm në minutën e 23-të. Pas një topi të harkuar nga goditja e këndit, është Dritan Mehmeti që ka shfrytëzuar mjaft mirë rrëmujën mes mbrojtësve kundërshtarë dhe nga afër ka kaluar të tijtë në avantazh. Me gjithë sulmet e vendësve në vazhdim, rezultati nuk ndryshoi.
Tomorr Shehu

Festival golash në Tepelenë, luhet për qejf
TEPELENA-PËRMETI 4-4
GOLAT: Aliaj 13′, 26′, 51′, Qori 78’/ Capella 5′, 85′, 87′, 90+3′
TEPELENA: Boci, Mera, Qori (Devishi 80′), H.Jaupi, Skënderaj (Tarkaj 55′), Këndella, R.Gaba, Sako, A.Jaupi, Çela, Aliaj (Kalemi 57′). Trajner: I.Selimi
PËRMETI: Toure, Kuro, Metushi (Zyba 65′), Çarçani, Mihali, Tare (Duro 84′), Dori, Ibrahimi, Hajredini, Jani (Dine 46′), Capella. Trajner: K.Sevo
GJYQTARË: A.Lulaj, E.Rapi, R.Malaj (Vlorë)

Ndeshja Tepelena-Përmeti nisi 5 minuta me vonesë për shkak se vendësit protestuan ndaj FSHF-së, e cila, sipas tyre, ka favorizuar Albpetrolin që të ngjitet në Kategorinë e Parë. Megjithëse tri pikë më pak dhe dy ndeshje për t’u luajtur, tepelenasit e kishin humbur besimin se mund të kapnin patosarakët. Në këtë mënyrë, ndeshja u shndërrua në një festival golash dhe përfundoi 4-4. Aliaj realizoi tripletë për vendësit, ndërsa golin tjetër e shënoi Qori. Nga ana tjetër, braziliani i përmetarëve shënoi katër gola. Një sfidë qejfi mund të konsiderohet ajo e djeshmja.
Oltion Dogani

Përmbysje e Këlcyrës, dorëzohet Memaliaj
KËLCYRA-MEMALIAJ 2-1
GOLAT: Xhani 47′, Kule 66′(p)/ Mema 37′
KËLCYRA: Konini, Kule, Brahimaj, Coli (Muzhaj 65′), Xhani, Musollari, Peploka, Sadikaj, Fekollari, Muçaj, Hadaj (Prifti 67′). Trajner: R.Spahiu
MEMALIAJ: Mustafaj, Çaushi, Metko, Gashi, Meta (Merko 60′), Mema, Lika, Hima (Seiti 70′), Bilaj, Shehu, Godi. Trajner: A.Zhupa
GJYQTARË: A.Paço, H.Troka, F.Pelepi (Fier)

Këlcyrjotët arrijnë fitoren e dytë radhazi në kampionat dhe ngjiten një vend më shumë në renditje. Megjithëse e panë veten në disavantazh, vendësit arritën ta përmbysnin rezultatin në pjesën e dytë. Miqtë kalojnë në parët në avantazh me anë të Memës në minutën e 37-të, pas një goditje nga jashtë zonës. Megjithatë, që në start të pjesës së dytë, Xhani barazon rezultatin dhe më pas Kule shënon nga pika e bardhë e penalltisë në të 66-ën. Ndoshta për herë të parë gjatë viteve të fundit, Këlcyra arrin që ta mbyllë kampionatin jo në vendin e fundit.
Oltion Dogani

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"