Gilberto në ankand, “pingpong” me Tiranën: Pres ofertën më të mirë, pastaj do të vendos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 8, 2014 | 9:01

Gilberto në ankand, “pingpong” me Tiranën: Pres ofertën më të mirë, pastaj do të vendos

GILBERTOKur erdhi në janar te Tirana, pakkush besoi te cilësitë e tij. Madje pasi bëri 2 javë provë, lojtari ishte gati të largohej, por më pas u ra dakord që braziliani të qëndronte deri në fund të sezonit për një rrogë neto prej 3500 dollarësh dhe të gjitha shpenzimet e tjera të paguheshin po nga klubi. Sakaq, loja e mirë që në ndeshjen e parë me Kastriotin, bëri që vëmendja e të gjithëve të fokusohej pikërisht te ky sulmues, i cili tentoi të largohej në prill nga Tirana, pas ofertave joshëse që mori nga klube nga Kazakistani e Malajzia. Bëhet fjalë për Gilberto Fortunaton, i cili në një intervistë për “Panorama Sport”, tregon objektivat e tij afatshkurtra në merkato.
Emri juaj është lakuar shumë gjatë këtyre muajve, jo thjesht për golat, por më shumë për merkaton rreth jush. A do të qëndroni në Tiranë?
Kësaj pyetje nuk mund t’i përgjigjem tani qartazi, pasi jam ende nën kontratë dhe do duhet që të bëj edhe disa vlerësime para se të vendos mbi qëndrimin ose jo te ky klub.
Çfarë lloj vlerësimesh?
Më parë do duhet të flas me drejtuesit e klubit. Dua të shikoj se çfarë oferte kanë ata ndërmend dhe sa janë të predispozuar që të më mbajnë në skuadër. Pa folur më parë me ata nuk mund të them asgjë.
Në dijeninë tonë, ju e keni marrë një ofertë nga Tirana, pra keni folur një herë për rinovimin e kontratës…
Po, por kjo ndodhi një muaj më parë dhe kanë ndryshuar disa gjëra që nga ai moment.
A është e vërtetë që donatorët e Tiranës të ofruan 10 mijë dollarë rrogë në muaj dhe ju refuzuat?
(Qesh)…shikoni nuk do ishte mirë të flisnim për shifra. Ajo janë çështje personale dhe duhet të mbeten mes meje dhe klubit.
Dakord, por jeni futbollist, pra, njeri publik…!
E vërtetë, por nuk më pëlqen të flas për shifra.
Keni pasur oferta të tjera gjatë kësaj kohe?
Po, kam pasur nga Kazakistani, Malajzia dhe vende të tjera, por te këto kam qenë disi më i fokusuar.
A ishte oferta e Tiranës më e mirë në krahasim me ofertat e tjera?
Nëse do kishte qenë e tillë do kisha rinovuar, por ju lutem të mos flasim për shifra.
Po nëse klubi do t’iu rrisë ofertën (rrogën), do të rinovoni?
Duhet të ndodhë njëherë kjo, pastaj të flasim me siguri. Kjo është hipotetike. Unë po ju them se sot për sot jam lojtar i Tiranës dhe do pres deri në fund të sezonit, duke qenë se kam kontratë, që të flas me drejtuesit mbi të ardhmen time. Nëse do më pëlqejnë kushtet dhe pjesa financiare atëherë mund të qëndroj, në të kundërt do largohem.
Keni pasur oferta nga klube të tjera në Superiore gjatë kësaj kohe?
Jo, nuk kam pasur asnjë ofertë.
Keni 4 muaj tashmë në Shqipëri, jeni i kënaqur me atë çka keni bërë deri tani te Tirana?
Në përgjithësi po, por do kisha dashur të kisha shënuar dy-tre gola më shumë. Të kisha kapur kuotën e 10 golave, pasi ky ka qenë synimi im kur erdha te kjo skuadër në janar. Por pësova një dëmtim, i cili më kushtëzoi disi në disa ndeshje.
Është thënë se ju dëshironit të largoheshit nga Tirana, për shkak të dhunës që keni parë në kampionatin shqiptar, është e vërtetë kjo?
Nuk është tamam ashtu. Po, në dy-tri ndeshje kam parë gjëra që nuk më kanë pëlqyer, si ndaj Bylisit dhe Flamurtarit, por gjithsesi nuk i shikoj si arsye për t’u larguar.

Çfarë tha Refik Halili muajin e shkuar
Donatori i Tiranës, Refik Halili, pat sqaruar më 10 prill situatën e sulmuesit brazilian. “Zyrtarisht deklaroj se braziliani, ashtu sikundër edhe lojtarët e tjerë të Tiranës, janë nën kontratë me klubin, ndaj askush nuk do të ketë mundësi që të largohet. Sa i përket Gilbertos në veçanti, ne si drejtues kemi biseduar me të, duke i ofruar rinovimin, ashtu sikundër do të bëjmë edhe me lojtarë të tjerë. Mes nesh dhe lojtarit ka pasur një dakordësi verbale, por sakaq në koherencë ka pasur edhe oferta të tjera nga jashtë. Ai po kërkon ta shfrytëzojë këtë, por klubi në asnjë mënyrë nuk do ta lejojë që të largohet, të paktën jo deri në fund të kontratës”, – u shpreh Halili.
LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"