Gilberto e Veliu, akord bardheblu, braziliani dhe vlonjati duken përforcimet e para

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Qershor 9, 2015 | 11:28

Gilberto e Veliu, akord bardheblu, braziliani dhe vlonjati duken përforcimet e para

gilbertoTirana zyrtarizoi disa ditë më parë Shkëlqim Muçën në krye të skuadrës, i cili firmosi një kontratë 3-vjeçare.

Në këtë mënyrë, drejtuesit së bashku me teknikun kanë nisur nga puna për të ndërtuar një skuadër që do të kërkojë të rikthehet te titulli kampion. Dhe, duket se negociatat me futbollistë të ndryshëm janë në rrugën e duhur. Burime të sigurta pranë klubit bardheblu bëjnë të ditur se është arritur akordi me dy futbollistë. Bëhet fjalë për sulmuesin Gilberto Fortunato dhe mbrojtësin e Flamurtarit, Franc Veliu.

Akordi

Burimet në fjalë sqarojnë se të dy këta futbollistë kanë rënë dakord që të bëhen pjesë e skuadrës për sezonin e ardhshëm.

Tashmë, pritet vetëm që ata të firmosin. Për Gilberton do të jetë një rikthim në skuadrën ku luajti për një pjesë të sezonit 2013- 2014.

Sulmuesi, i cili gjatë kësaj periudhe ka luajtur në Kore, gjatë një prononcimi për gazetën “Panorama Sport” disa ditë më parë, deklaroi se ishte i gatshëm që të ulte edhe rrogën dhe të bëhej pjesë e Tiranës. Ai përfitonte 120 mijë dollarë në sezon te Guanzhu.

“Unë jam i gatshëm që të ul edhe pagën për Tiranën. Këtu nuk po gjej shumë hapësira dhe unë e ndiej shumë të nevojshme që të luaj. Kjo është kryesorja për mua, asgjë tjetër. Kontrata nuk përbën problem. Mund të zgjidhet. Madje, nëse largohem, nuk është e nevojshme që të paguhet edhe kartoni. Unë kam një klauzolë që më lejon të largohem”, deklaroi në prononcimin e tij të pak ditëve më parë sulmuesi brazilian.

Ndërsa Franc Veliu duket se do të largohet nga ekipi ku është rritur dhe ka luajtur deri tani.

Mbrojtësi ka qenë gjithmonë pjesë e ekipeve të moshave të Flamurtarit dhe nga sezoni 2009-2010 luan në skuadrën e parë. Madje, ai ka mbajtur për disa sezone edhe shiritin e kapitenit. Tashmë, duket se Veliu ka vendosur të largohet nga skuadra vlonjate dhe zgjedhja e tij është Tirana.

Ndërkaq, klubi bardheblu është në negociata edhe me disa futbollistë të tjerë dhe pritet që gjatë ditëve në vazhdim të ketë konkretizime në lidhje me ata që do të afrohen. Synimi i drejtuesve dhe trajnerit Shkëlqim Muça është që ta rikthejnë skuadrën te titulli kampion.





www.minuta90.com