Gilberto: Ky derbi më la pa gjumë. Golin ia dedikoj të dashurës sime, që është në Brazil

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Shkurt 8, 2014 | 9:23

Gilberto: Ky derbi më la pa gjumë. Golin ia dedikoj të dashurës sime, që është në Brazil

Gilberto, autori i golit, ne aksionGilberto Fortunat erdhi, iku dhe më pas u afrua sërish te Tirana në merkaton e janarit. Pra, afrimi i tij ka qenë dyshues, por sulmuesi brazilian e ka treguar veten pikërisht në ndeshjen më të rëndësishme si për objektivat e Tiranës, por edhe për të kënaqur tifozët. Pa dyshim me golin që i shënoi Partizanit, Gilberto ka vend të veçantë te tifozët bardheblu. Braziliani tha pas ndeshjes se nga emocionet nuk kishte fjetur gjithë natën, ndërkohë që golin ia dedikon të dashurës që ndodhet në Brazil. Në një intervistë për “Supersport”, braziliani tha.
Gilberto, ndeshja e dytë me Tiranën, si dhe derbi i parë si bardheblu, dhe në fund vjen goli i parë. Si ndiheni pas fitores së takimit?
E dinim që do të ishte ndeshje e vështirë, kemi punuar fort gjatë javës për ta kaluar me sukses derbin me Partizanin. Gjatë gjithë javës jemi përgatitur për një qëllim, fitoren. Në fund e kemi realizuar këtë objektiv, pasi fituam përballjen me të kuqtë. Pa dyshim që jam shumë i lumtur, sepse përveç gëzimit që të jep goli, e rëndësishme ishte që skuadra arriti objektivin.
Kujt ia dedikoni këtë gol të parë që shënuat ndaj Partizanit?
Golin që i shënova Partizanit dhe që i dha trepikëshin Tiranës ia dedikoj të dashurës sime, e cila ndodhet në Brazil. Ndonëse keni shënuar, pas ndeshjes jeni shprehur se nuk jeni i kënaqur nga vetja, pasi keni luajtur më mirë në takimin e parë në Krujë… Mbase kam qenë edhe i lodhur pak për këtë takim, për arsye se nga emocionet nuk kam fjetur natën. Gjithsesi, arrita të shënoj, por realisht në ndeshjen e parë në Krujë kam luajtur më mirë se në derbi.
Mund t’i dimë se cilat ishin arsyet që nuk fjetët para derbit?
Arsyeja ishte e thjeshtë, në mendjen time vërtitej vetëm derbi. Pra, isha duke menduar vetëm për këtë takim, prandaj emocionet nuk më lanë të bëja një gjumë të rehatshëm.
Si ju duk atmosfera e servirur nga tifozëritë në stadium?
Ishte një atmosferë vërtet e pabesueshme, atmosferë e zjarrtë, gjë që pritet në ndeshje derbi. Tifozët ishin të mrekullueshëm dhe na mbështetën gjatë gjithë kohës. Ne u munduam ta kontrollojmë takimin nga fillimi në fund, me qëllim që në fund të kënaqnim edhe tifozët e zjarrtë.

tirana-flamurtari 0-2, Vrapi ne aksionVrapi: Jemi një superskuadër
Endri Vrapi ishte një prej më të mirëve në fushë në sfidën e djeshme. Gjatë gjithë kohës u pa luftarak, madje në shumë momente u këshillua nga gjyqtari. Pas ndeshjes, mbrojtësi u shpreh: “Gjatë gjithë fazës përgatitore kemi punuar shumë mirë. Tirana nuk e ka vendin aty ku ndodhet tani. Kjo është një superskuadër, e cila u është imponuar të gjithëve me lojën që bën. Gjithsesi, me punën që është bërë, mendoj se Tirana do vazhdojë të ngjitet akoma më shumë. Përderisa matematika na lejon të luftojmë për të shpëtuar, këtë gjë po bëjmë. Nëse nuk do të ishte edhe kjo, përse të vazhdojmë të luajmë?”. Në 2-3 raste në pjesën e parë u duk se e tepruat disi me duart në përplasjet me Sacer dhe arbitri ju këshilloi madje disa herë. Nerva loje apo…? “Nëse çdo ndërhyrje do ishte faull, atëherë i bie që të luhej basketboll dhe jo futboll. Megjithatë, mendoj se gjithçka ishte brenda parametrave të luftës sportive”. Dukeni më i kënaqur sot(dje) sesa kur fituat titullin me Skënderbeun… “Është fitorja e parë për vitin 2014 dhe sigurisht që do të jem i kënaqur”, – përfundon prononcimin e tij mbrojtësi i skuadrës bardheblu.

Tirana-Vllaznia 0-0, Kalari me Gocajn ne sfondKalari: Fitore e madhe, kartonin e mora prej babait
Ka qenë një ndër më të mirët në fushë, por pasi u shënua goli u ndëshkua me të verdhë. Arsyeja: festoi me babanë e tij polic, i cili ndodhej në krye të detyrës pranë fushës. Reinaldo Kalari tregon momentin e kartonit, si dhe komenton edhe këtë fitore të madhe. “Për kartonin fajin e ka babai im (qesh), shkova të festoja me të dhe u ndëshkova. Jam shumë i lumtur për skuadrën, pasi fituam derbin dhe kishim nevojë urgjente për tri pikët. Me këtë fitore edhe morali do të jetë më i lartë, ndërsa jam i bindur se do të mbijetojmë dhe hap pas hapi do të ngjitemi në tabelë. Ky sukses në derbi është gjëja më e bukur që kam përjetuar në futboll, pasi që kur isha 8 vjeç kam qenë pjesë e këtij klubi dhe ia di vlerën kësaj fanelle. E fituam këtë ndeshje në të gjitha aspektet, duke shkelur me këmbë kundërshtarin. Ne ia dolëm në fushë, ndërsa tifozët në tribuna. Këta janë ultrasit më të mrekullueshëm, pasi na mbështesin edhe pse jemi të fundit në tabelë”, – tha mbrojtësi.

Lika, Karabeci dhe Hoxha humbasin javën e 19-të
Ilion Lika dhe Erando Karabeci morën dje kartonin e tretë të verdhë dhe, për pasojë, ata nuk do jenë të gatshëm për transfertën me Bylisin. Por edhe Partizani do të vuajë mungesën e një lojtari të rëndësishëm kundër Lushnjës, pikërisht portierin Alban Hoxha. E thënë ndryshe, derbi i detyron të dy kampet, si atë bardheblu edhe të kuqtë, që të përballen me mungesa të rëndësishme në ndeshjen e ardhshme. Porta do të ketë një provë më vete, pasi si Lika dhe Hoxha janë garanci më vete për portat respektive. Vlen të përmendet në fakt se të dy gardianët u ndëshkuan për protesta, pasi iu larguan zonës së tyre për t’u ankuar te gjyqtari Sino. Por, ky i fundit, në të dy rastet u tregoi të verdhët futbollistëve.

Tirana ne xhami para ndeshjesBesimtarët, 16 lojtarë bardheblu u falën në xhami para derbit
Lojtarët e Tiranës, para se t’i drejtoheshin stadiumit, fillimisht shkuan në xhami, ku iu bashkuan dhjetëra besimtarëve myslimanë për t’u falur. Duket se ky ritual ka bërë të vetën, pasi në fund lojtarët bardheblu fituan, duke marrë një trepikësh me shumë vlera kundër Partizanit në derbi. Jo pak, po 16 lojtarë të Tiranës janë falur së bashku dhe kërkesa ka qenë e njëjtë prej të gjithëve: të dilnin me kokën lart nga “Qemal Stafa”, pra me fitore. I.Lika, Kalari, Kaja, Vrapi, Hoxhallari, Muça, Limani, Çaka, Morina, përfshi këtu edhe Selamani Ndikumana, por edhe shumë të tjerë, kanë shfaqur edhe njëherë devotshmërinë ndaj fesë të tyre duke u falur. Ky fakt nuk u ka shpëtuar edhe syve kureshtarë të kalimtarëve, por jo vetëm, të cilët të befasuar kanë ndjekur me shikim ekipin e Tiranës që i drejtohej dhe u fal në xhami.

Debutimet
Derbi i djeshëm ka rezultuar si ndeshja e parë për tre futbollistë, të cilët kanë ardhur në të dyja skuadrat në merkaton e janarit. Te Tirana dje ka debutuar sulmuesi nga Burundi, Selemani Ndikumana, ndërsa te Partizani ka qenë radha e Liridon Ahmetit dhe Nderim Nexhipit që të vishnin për herë të parë fanellën e kuqe. Pa dyshim, debutimi ka qenë fatsjellës për sulmuesin e Tiranës, i cili ka hyrë në fushë në minutën e 57-të.






www.minuta90.com