Fushëmbreti vihet në lëvizje, synon të përfitojë nga transferimi i Sadikut te Legia

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Korrik 31, 2017 | 13:15

Fushëmbreti vihet në lëvizje, synon të përfitojë nga transferimi i Sadikut te Legia

Pas lajmit të publikuar dy ditë më parë në “Panorama Sport” që një klub shqiptar midis Fushëmbretit, Elbasanit dhe Turbinës mund të përfitojë nga shitja e Armando Sadikut te Legia e Varshavës, kanë nisur interesimet e para për të përfituar nga ky transferim si klubi mëmë.

sadiku

I pari që ka ndërmarrë një nismë të tillë është klubi i Fushëmbretit, i cili ka nisur konsultimet me njerëz që njohin mirë rregulloret e UEFA-s dhe të plotësojnë dokumentacionin që i duhet për të parë nëse do të përfitojnë diçka nga shitja e bomberit të Kombëtares.

Duke qenë se fillimet e veta si lojtar Sadiku i ka pasur në këtë skuadër, atëherë këta të fundit pretendojnë se ata konsiderohen klubi mëmë dhe që mund t’i përfitojnë këto para. Nga burime të sigurta të gazetës pranë këtij klubi, mësohet se do të bëjnë të pamundurën për ta dërguar këtë çështje deri në fund, me shpresën se në fund nuk do të dalin pa gjë.

Gazeta u interesua nëse Fushëmbreti njihej si një klub në atë periudhë dhe mësohet se ka siguruar një vendim të gjykatës së rrethit Tiranë, teksa në vitin 2003 Fushëmbreti është regjistruar si shoqatë sportive. Pritet që ky klub të nisë interesimin edhe për të përfituar nga shitjet e kaluara të Sadikut, por nuk dihet sa do t’ia dalë të mbushë arkat e tij.

PRAPASKENA

Por, pavarësisht pretendimeve të klubit të Fushëmbretit, ka gjasa që ata të mos përfitojnë asgjë. Kjo, pasi Sadiku është larguar nga vendi ynë si lojtar i përjashtuar dhe FSHF ka dhënë lejekalimin e tij me vlerë zero të kartonit, duke qenë se ai nuk aktivizohej dot në Shqipëri.

Por edhe në rast se është larguar i papërjashtuar pasi pështyu arbitrin, ai kishte një kontratë si lojtar profesionist dhe në klubin ku ka firmosur ka çuar një lejekalimi nga klubi i mëparshëm që është lojtar i lirë. Pra, edhe në këtë rast detyrimet janë zero.

ELBASANI & TURBINA

Nëse për Fushëmbretin është e sigurt që ka nisur puna për njohjen e kësaj skuadre si ekipi mëmë i Armando Sadikut, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Elbasanin dhe Turbinën, që mund të kenë pretendimet e tyre për këtë rast. Të paktën asnjë klub nuk ka dalë hapur që të ketë nisur interesimin e tyre, por nuk përjashtohet mundësia që ta bëjnë një gjë të tillë në ditët në vijim.

Në fakt, kjo është një çështje që pikë së pari duhet të jenë vetë klubet të interesuara, pasi bëhet fjalë për shuma jo të vogla që shkojnë deri në disa mijëra euro. Por, me sa duket, mungesa e kapaciteteve drejtuese që kanë përgjithësisht klubet shqiptare bën që të mos i hyjnë fare një historie nga ku mund të mbushin arkat e klubeve respektive. Gjithsesi, tani që kutia e “Pandorës” u hap, mund të nisë edhe ndërgjegjësimi i shumë skuadrave shqiptare në këtë aspekt.

VLADIMIR MEMA





www.minuta90.com