“Është ndeshje teke”, legjenda Rumenige motivon zikaltërit: Ja si Interi e mund Sitin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2023 | 13:09

“Është ndeshje teke”, legjenda Rumenige motivon zikaltërit: Ja si Interi e mund Sitin

Në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”, Karl Hainc Rumenige ka bërë parashikimin e tij për finalen e Champions League, duke këshilluar edhe ish-skuadrën e tij, Interin, për përgatitjen e ndeshjes. “Mançester Siti pa dyshim e nis si favorit, por ky është një avantazh për Interin, i cili nuk duhet të ndihet i mundur. Interi mund ta dëmtojë dhe në një ndeshje teke, sigurisht që nuk përjashtohet asgjë. Nuk po them do të bëjë mrekulli, por vetëm të fitojë dhe Interi është i aftë ta bëjë këtë”, kanë qenë fjalët e para të gjermanit, që më pas ka sugjeruar edhe strategjinë.

rumenige

Si e festuan zikaltrit në Monako hyrjen në finale?

Mirë, shumë mirë. Dhe ndjeva një kënaqësi të veçantë, sepse Interi… është Interi, skuadra ime ashtu si Bajerni. Gjithashtu i dërgova një mesazh mikut tim Bepe Marota.

Çfarë lloj mesazhi?

Për mendimin tim, ai është treguar një gjeni këtë vit, ka ndërtuar me pesë para një skuadër që sot është finaliste e Champions League. Nuk është se ka shpenzuar shumë apo ka pasur luksin për ta bërë. Është një drejtues i jashtëzakonshëm, ndoshta e kanë kuptuar tani edhe në Torino. Kur unë isha te Bajerni dhe ai te Juvja kemi kryer shumë operacione. Është serioz dhe inteligjent dhe zbaton edhe “fair play”-n në merkato, nuk është shumë dinak, në kuptimin që dimë…

Nuk ju është venitur entuziazmi pasi patë paraqitjen e Sitit ndaj Realit? 

Jo, jam i lumtur që Guardiola shkoi në finale, sepse është një mik dhe prej 12 vitesh tenton trofeun. Sigurisht që Siti, edhe falë asaj që pamë ndaj Realit, është favorit, por e përsëris që ky është avantazh për Interin.

Pse atëherë është avantazh?

Edhe kur ishte në fazën e grupeve, askush nuk mendonte se Interi do të kualifikohej. Edhe unë thashë se ata do të avanconin bashkë me Bajernin, por e thashë nga dashuria. Të gjithë kishin bast për Bajernin dhe Barcelonën. Por Inzagi ia doli. Skuadra është për të mos u nënvlerësuar, është shumë e qëndrueshme në të gjitha repartet. Mbrojtja është e hekurt, në mesfushë vrapojnë dhe punojnë, të gjithë janë të gatshëm të sakrifikojnë. Në sulm Lautaro është qendërsulmues i denjë për një titull botëror, Xheko është gjithmonë i freskët dhe Lukaku përmirësohet nga ndeshja në ndeshje. Interi është një ekip që mund ta dëmtojë Sitin.

Si përgatitet një finale në të cilën askush nuk ju sheh favorit?

Mjafton të përsërisin dy ndeshjet që bënë me Milanin, do të ishte taktika e duhur. Interi është paraqitur mirë. Edhe pse Siti ka një sulm fantastik, me lojtarë si Haland, Grilish, Foden dhe gjithë të tjerët, Interi mund t’i heqë kënaqësinë e të luajturit me top. Mendoj se kjo do të ishte strategjia e duhur. Skuadrat e Pepit e ndjekin atë, atij i pëlqen loja e bukur dhe nëse ti i heq topin, nuk i lejon të bëjnë lojën e tyre.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"