EKSKLUZIVE/ U largua nga Kukësi, zbardhen prapaskenat e dorëheqjes së Skënder Gegës nga verilindorët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 12, 2022 | 23:57


EKSKLUZIVE/ U largua nga Kukësi, zbardhen prapaskenat e dorëheqjes së Skënder Gegës nga verilindorët

Skënder Gega nuk është më trajner i Kukësit. Aventura e tij ka zgjatur vetëm katër javë në krye të verilindorëve dhe barazimi i fundit ndaj Teutës i ka vënë vulën largimit.

SKENDER GEGA

Duke marrë parasysh nisjen e dobët të kampionatit, me vetëm dy pikë në katër ndeshje, por edhe krisjet e javëve të fundit në klubin verilindor, kanë detyruar trajnerin që të japë dorëheqjen, duke e menduar si gjënë më të mirë në këto momente.

Gjithçka ka ndodhur pak orë pas mbledhjes, që është bërë në praninë e presidentit Safet Gjici, me stafin teknik dhe skuadrën në paraditen e së shtunës.

Në fund është pranuar vendimi i Gegës, edhe pse gjatë mbledhjes, vetë kreu i klubit i shprehu besim për vazhdimësinë.

Gazeta “Panorama Sport”, përmes faqes zyrtare në internet “panoramasport.al”, zbuloi gjatë së shtunës, jo vetëm dorëheqjen e Gegës, por edhe se kush do të jetë trajneri i ri i Kukësit.

Bëhet fjalë për 47- vjeçarin durrsak, Enkeleid Dobi, i cili vjen pas eksperiencës në dy klube polake gjatë pesë viteve të fundit dhe do të prezantohet sot nga Kukësi.

Por çfarë ndodhi që në pak orë pas barazimit me Teutën të largohej Gega dhe të arrihej menjëherë marrëveshja me Dobin?

“Panorama Sport” ka arritur të zbardhë të gjitha prapaskenat te kuksianët.

LARGIMI I GEGËS – Fillimisht presidenti i Nderit, Safet Gjici, një ditë pas barazimit ndaj durrsakëve, ka thirrur një mbledhje urgjente me ekipin, për të kërkuar llogari për nisjen e dobët të kampionatit dhe në të njëjtën kohë për t’i bërë të ditur stafit dhe lojtarëve se kthesa e menjëhershme duhet të vijë ndaj Partizanit.

Burime në klub i treguan dje gazetës, se në mbledhje nuk është vënë në diskutim qëndrimi i Gegës, pasi Gjici e ka bërë të qartë para skuadrës se kanë një projekt të nisur me teknikun dhe duan ta çojnë përpara, pavarësisht gjendjes jo të mirë në të cilën ndodhet aktualisht Kukësi.

Gjatë mbledhjes nuk kanë munguar tonet e larta të presidentit, por edhe një debat për çështje teknike mes kapitenit Gjelbrim Taipi dhe vetë trajnerit Gega.

Mesa duket, kreu i pankinës nuk e ka pasur grupin me vete dhe gjithçka ka nisur që prej pezullimit të Pero Pejiçit.

Krisjet nuk kanë munguar as për merkato dhe disa lojtarë të veçantë, ku trajneri dhe drejtuesit nuk kanë qenë në një mendje. Megjithatë, pas kësaj mbledhjeje, ku pati një zotim nga skuadra për kthesën dhe fitoren e parë, mësohet se Gega ka bërë një reflektim dhe i ka bërë të ditur Gjicit dorëheqjen e parevokueshme nga drejtimi i klubit.

Burime të gazetës pohojnë se ky vendim gjatë drekës së të shtunës ka ardhur si një befasi për Gjicin, i cili ka kërkuar nga Gega që të mendohet mirë dhe të vazhdojë përpara me projektin, duke i konfirmuar se ka plotësisht besimin e tij dhe të klubit.

Mirëpo, vetë tekniku ka qenë i vendosur dhe duke i shprehur mirënjohjen për vlerësimin, nuk ka pranuar të vazhdojë aventurën e tij me blutë dhe t’u hapë rrugën ndryshimeve në skuadër.

Përpara kishte ndeshjen me Partizanin, por duke dëgjuar edhe për bisedimet e Kukësit me disa të trajnerë, ka menduar të japë dorëheqjen për t’i paraprirë situatës.

Klubi i Kukësit e arsyetoi kështu në faqen zyrtare:

“FK Kukësi njofton ndërprerjen e bashkëpunimit me trajnerin Skënder Gega.

Pas rezultateve të ndeshjeve të para, trajneri ka paraqitur dorëheqjen dhe pavarësisht besimit që i është dhënë, nuk ka bërë kthim pas.

Klubi i Kukësit e falënderon trajnerin Gega për bashkëpunimin dhe i uron suksese në karrierë”.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE:

EKSKLUZIVE/ Kukësi mbetet pa trajner, Skënder Gega e mbyll me verilindorët

EKSKLUZIVE/ Reagon Gega: E vërteta e largimit nga Kukësi, ja çfarë me tha Gjici

Kukësi zyrtarizon divorcin me Gegën: Iu dha besim, nuk bëri kthim pas